Armata siguroi mbushjen e karburantit për helikopterët në afërsi të pikave kritike
Shkup, 7 gusht 2021 (MIA) – Me angazhim efikas të armatës dhe mbështetje nga REK Manastir dhe SHA Makpetroll, dukshëm u rrit efikasiteti dhe shpejtësia e veprimit të të gjithë helikopterëve të përfshirë në shuarjen e zjarreve në rajonin e Berovës – Dellçevës, njoftoi Ministria e Mbrojtjes.
Ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska e cila sot i vizitoi pjesëtarët e Armatës dërgoi falënderim të sinqertë për ta dhe kolegët nga Serbia dhe Sllovenia për përpjekjet mbinjerëzore të ofruara për shuarjen e zjarreve dhe porositi se pjesëtarët e Armatës të motivuar dhe të përkushtuar vazhdojnë në luftën me stuhitë e zjarrit.
“Sot ende nuk është as mesditë, ndërsa aviacioni ynë, pilotët tanë dhe teknikët tashmë 5 orë janë në ajër dhe disa herë asistojnë në përballjen me zjarret më të rënda në teren të pakapshëm. Këtu në pjesën e komunës së Berovës kemi heliport të improvizuar ku zbresin helikopterët, mbushin karburant, arrijnë në afërsi të sigurojnë ujë nga akumulimet dhe menjëherë mund të kthehen në teren. Kjo shumë e shkurtoi edhe do ta shkurtojë kohën për intervenim dhe iu mundëson të gjithë këtyre helikopterëve që të reagojnë disa herë pa u kthyer mbrapa në Petrovec”, deklaroi Shekerinska.
Komandanti i aviacionit VING, koloneli Stojko Pejovski porositi se me këtë shkurtohet koha e veprimit nga aeroporti i Shkupit, forcat ajrore qëndrojnë afër terrenit dhe ciklet e marrjes së ujit dhe sjelljes së ujit në rajonet e djegura në mënyrë drastike shkurtohen.
“Unë jam shumë krenar për atë që e kemi bërë dhe shpresoj se edhe më tutje do të mundemi me kohë, shpejtë dhe në mënyrë efikase të reagojmë. Situata për momentin është nën kontroll, ne deri më tani kemi realizuar një numër të madh të fluturimeve dhe vazhdojmë edhe më tutje”, tha koloneli Pejovski.
Pjesëtarët e aviacionit VING në teren i përshëndeti edhe kryeministri Zoran Zaev, i cili shprehu falënderim të madh për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm.