Arkivi shtetëror/ Prej jashtë kukull, prej brenda i kalbur (Foto + Video)
Shkup, 25 nëntor – Arkivi shtetëror, i cili kujdeset për dokumentet më të rëndësishme nga e kaluara e vendit, përballet vazhdimisht me përmbytjet, ndërsa dëmet janë të dukshme. Tashmë uji ka depërtuar në një nga zyrat e Gjykatës Kushtetuese, e cila ndodhet në të njëjtin pallat në katet e poshtme. Institucionet lajmëruan Qeverinë, por pa rezultat.
Përveç fotove, muret e Arkivit të Shtetit tashmë janë “stolisur” nga myku. Tavani është shembur dhe diku ka vrima. Reshjet e fundit të shiut kanë përmbytur ambientet e institucionit, i cili është ruajtësi i dokumenteve më të rëndësishme të shtetit. Ndonëse nga jashtë duket e re, pjesa e brendshme e objektit në kalatën e lumit Vardar dëshmon për një gjendje tjetër, shkruan REL, transmeton Zhurnal.

Përveç Arkivit, godina e cila u vu në përdorim në vitin 2014, ka edhe Gjykatën Kushtetuese dhe Muzeun Arkeologjik. Për ndërtimin e tij janë shpenzuar 42 milionë euro. Është pjesë e projektit të famshëm Shkupi 2014 të qeverisë së kaluar, të udhëhequr nga kryeministri i atëhershëm Nikola Gruevski.
Ambientet e Arkivit të Shtetit janë më të lartat në godinë, pra në katin e tetë, të shtatë dhe të gjashtë, ku ndodhet depoja ku ruhen dokumentet.
Situata më alarmante është në katin e shtatë, ku ndodhen punonjësit, të cilët me kova mbledhin në mënyrë të improvizuar ujin nga zyra, korridori dhe biblioteka. Uji gati sa nuk ka mbërritur në instalimin elektrik.

Drejtori i Arkivit, Emil Krsteski, thotë se vërshimet nuk janë të reja dhe shpesh ndodhin me reshje të rrëmbyeshme. Të tre institucionet që ndodhen në godinë, siç tregon ai, janë të prekura nga problemi dhe ka dëmtime të vazhdueshme.
“Natyrisht se diçka nuk është në rregull me ndërtimin e këtyre objekteve që janë ndërtuar me nxitim, të kualitetit të ulët dhe të papërshtatshëm për institucionet që duhet të kryejnë funksione të tilla në shoqëri”, thotë Kërsteski.
Uji gjeti rrugën edhe në depon ku ruhen materialet arkivore në enë metalike. Por sipas Krsteskit, asnjë dokument nuk është dëmtuar.
U përmbyt edhe Gjykata Kushtetuese
Dy kate më poshtë janë ambientet e Gjykatës Kushtetuese, e cila ishte më “me fat” se Arkivi i Shtetit. Reshjet kanë lënë gjurmë të dukshme vetëm në një zyrë ku ndodhet sekretarja e kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Dobrila Kacarska.
“Duke marrë parasysh se në një moment pas rrjedhjes është shfaqur një qark i shkurtër me rrymën, Gjykata Kushtetuese menjëherë ka dërguar informacion në SHPPP në kuadër të Qeverisë dhe ka kërkuar ndihmë për zgjidhjen e problemit”, thonë nga Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë.
Por ende nuk kanë marrë përgjigje dhe ndërkohë gjykata e ka regulluar vetë një pjesë të dëmit, transmeton Zhurnal.
Qeveria nuk i përgjigjet thirrjeve për ndihmë
Drejtori i Arkivit, Krsteski, thekson se problemi nuk është i djeshëm dhe për këtë është informuar disa herë edhe Qeveria.
“Kemi tre, katër vjet që praktikisht kërkojmë një lokacion të ri këtu. Ky është një problem që mund të zgjidhet me lëvizje, sepse këtu nuk ka standarde dhe kushte për punë”, thotë drejtori Krsteski dhe thotë se askund në botë nuk ka Arkiv afër lumit apo depo në katin e gjashtë.
Nga organizata joqeveritare “Sin Shtit” në forumin e fundit me titull – Menaxhimi i rreziqeve nga përmbytjet për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, kanë reaguar se nuk është bërë asnjë vlerësim i krizave të mundshme para se të hartohej Arkivi.
“Lind pyetja, a është një pozicion me fat të zgjedhësh pikërisht pranë bregut të një lumi që ka vërshuar shumë herë, të ndërtosh disa muze që ruajnë trashëgiminë kulturore dhe Arkivin Shtetëror të Maqedonisë, i cili ruan trashëgiminë nga kategoria më vulnerabël në rast lagështie dhe vërshimi”, tha Olivera Jartovska Taçevska nga organizata joqeveritare “Sin Shtit” qëllimi kryesor i së cilës është mbrojtja e trashëgimisë kulturore në krizë.
Arkivi shtetëror është një nga shtyllat kryesore të identitetit të një kombi dhe këtu ruhet e gjithë historia, kultura dhe tradita e një vendi dhe duhet të merren masa urgjente, thotë drejtori Krsteski.
Hapi i parë, shton ai, do të jetë takimi me njerëzit e parë të Gjykatës Kushtetuese dhe të Muzeut Arkeologjik për të vepruar së bashku për zgjidhjen e problemit.
Ndonëse të tre institucionet së fundmi kanë ndarë gati tre mijë euro për pastrimin e ulluqeve të objektit, ai ka rezultuar i pamjaftueshëm./Zhurnal.mk

