Arkivi kombëtar i SHBA-së: Tramp ka marrë 700 faqe dokumente të besueshme në Florida

Ish-presidenti amerikan, Donald Tramp, është larguar nga Uashingtoni me më shumë se 700 faqe dokumente të besueshme, duke përfshirë disa që përmbajnë sekrete të larta qeveritare, kur presidenca e tij përfundoi vitin e kaluar, njoftoi Arkivi kombëtar i SHBA-së.

Kjo u mësua nga një letër e 10 majit nga arkivistja në detyrë e SHBA-së Debra Shtajdel Uoll, drejtuar njërit prej avokatëve të Trampit, Evan Korkoran, në të cilën ajo hodhi poshtë pohimet e përfaqësuesve të Trampit se ish-presidentit duhet t’i lejohet të mbajë disa nga dokumentet duke iu referuar në privilegjin ekzekutiv nga koha e tij në Shtëpinë e Bardhë, njoftoi Zëri i Amerikës.

Uoll e përshkroi shqetësimin në rritje brenda Departamentit të sigurisë kombëtare të Ministrisë së Drejtësisë për shkak të “dëmit të mundshëm që del nga mënyra e dukshme e ruajtjes dhe transportimit të materialeve” në pronën e Trampit në Mar-a-Lago në vend që t’i dorëzoheshin Arkivit shtetëror pasi që ka përfunduar presidenca e tij, siç urdhëron ligji amerikan..

Në letrën e saj thuhet se ka “mbi 100 dokumente të klasifikuara” në 15 kuti me materiale, të cilat Qeveria i ka sekuestruar nga Mar-a-Lago në janar, e para nga tre herë këtë vit që FBI dhe arkivistët amerikanë kanë mbledhur kuti me materiale të besueshme nga rezidenca dimërore e Trampit dhe klubi privat në bregun e Atlantikut.

Tramp dhe ndihmësit e tij kanë dorëzuar shumë dokumente në qershor dhe më pas agjentët e FBI-së, duke vepruar sipas një urdhëri gjyqësor për kontroll, kanë nxjerrë edhe njëzet kuti të tjera, duke përfshirë edhe 11 kuti me dosje të besueshme më 8 gusht, derisa e kanë kontrolluar zyrën e tij, një deponi në bodrum, sipërfaqe dhe ambiente të tjera në pronë.

Tramp pretendon se i ka deklasifikuar materialet përpara përfundimit të mandatit të tij më 20 janar të vitit 2021 dhe përpara se Xho Bajden të bëhet president i SHBA-së, por as Tramp dhe as ndihmësit e tij nuk kanë paraqitur dëshmi të dokumentuara për një deklasifikim të këtillë.

Hetuesit federalë shqyrtojnë nëse Trampi ruante në mënyrë të paligjshme të dhëna në Mar-a-Lago, duke pretenduar në urdhrin për kontroll, që e ka përdorur për bastisjen e 8 gushtit, se ai mund të ketë shkelur tre ligje amerikane, përfshirë edhe Aktin e spiunazhit të SHBA-së.

“NJu Jork Tajms” raportoi të hënën se gjithsej, qeveria ka zbuluar më shumë se 300 dokumente të besueshme nga prina e Trampit, duke përfshirë materiale të CIA-s, Agjencisë kombëtare për siguri dhe të FBI-së, megjithëse përmbajtja e materialit nuk është bërë e ditur.