Apel për vaksinimin e fëmijëve

Maqedonia e Veriut në vitin 2019 u përball me epideminë e fruthit, prej ku viktima më e vogël ishte foshnja gjashtë muajsh, e cila ndërroi jetë si pasojë e komplikimeve shëndetësore të shkaktuar nga fruthi.

Shkup, 7 maj – Maqedonia e Veriut në vitin 2019 u përball me epideminë e fruthit, prej ku viktima më e vogël ishte foshnja gjashtë muajsh, e cila ndërroi jetë si pasojë e komplikimeve shëndetësore të shkaktuar nga fruthi. Pas tre vjetësh, shtrirja e vaksinimit përsëri po bie. Mjekët kanë frikë nga një epidemi e re e mundshme andaj dhe u bëjnë thirrje prindërve që të imunizojnë fëmijët e tyre në kohë.

Mjekët paralajmërojnë se një epidemi e re e fruthit mund të ndodhë për shkak të përfshirjes së ulët të vaksinës MMR sidomos gjatë pandemisë Kovid-19. Gjegjësisht, të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë tregojnë se përfshirja me vaksinën kundër fruthit, rubeolës dhe shytave është larg përqindjes së kërkuar prej 95 për qind të vaksinuar për të arritur imunitetin dhe mbrojtjen kolektive të popullatës.

Ndërkaq gjatë vitit 2020 ka një mbulim jashtëzakonisht të ulët, 63 për qind për dozën e parë dhe 68,5 për qind për dozën e dytë. Përfshirja e vaksinimit për vitin 2021 është rritur. Për dozën e parë të vaksinës MMR është 70,4 për qind, si dhe për dozën e dytë 80,4 për qind, por ende jo e kënaqshme mjaftueshëm për imunizimin.

Për mediat e vendit, mjekja Sonja Raleva, specialiste e mjekësisë së përgjithshme, e cila është pjesë e ekipeve të vaksinimit të fëmijëve në Shkup, thotë se duhet të rritet vaksinimi i fëmijëve kundër fruthit, përndryshe do të përballemi me një epidemi të re. “Sipas shifrave reale, padyshim se mund të pritet një epidemi e fruthit nëse nuk korrigjojmë këtë pjesë të vaksinimit dhe nëse nuk arrijmë të rrisim nivelin e imunizimit për të mbajtur fëmijët, kjo do të thotë se mund të përballemi me një epidemi të re si fruthi”, ka thënë Raleva. Ajo ka shtuar se nëse virusi lejohet të hyjë në popullatë do të përhapet me shpejtësi, sepse fruthi është një infeksion viral ngjitës që transmetohet përmes teshtitjes, kollitjes, kontaktit të ngushtë apo sipërfaqeve të kontaminuara.

Po ashtu edhe nga Oda e Mjekësisë në vend kanë alarmuar për rënien e vaksinimit MMR.”Mjekët duhet të marrin mbështetje për të promovuar më mirë rëndësinë e vaksinave, si dhe për të përmirësuar aftësitë e tyre të komunikimit për t’iu përgjigjur siç duhet hezitimit të prindërve për të marrë vaksinime të rregullta. Edukimi i studentëve të mjekësisë është thelbësor për t’u mundësuar mjekëve të ardhshëm të komunikojnë në mënyrë efektive me pacientët e tyre dhe ndërgjegjësimi i prindërve duhet të fillojë gjatë periudhës prenatale dhe gjithashtu të bëhet në vazhdimësi”, thonë nga Dhoma e Mjekësisë.

Ministria e Shëndetësisë njoftoi se tashmë është duke u mobilizuar me fushata dhe intensifikimin e punës në terren të ekipeve parandaluese për të rritur mbulimin me vaksinën MMR. “Fushata e vaksinimit parashikon gjithashtu dërgimin e një mesazhi të unifikuar me mesazh për prindërit që nuk kanë vaksinuar fëmijët e tyre, si dhe fuqizimin e rrjetit rajonal të koordinatorëve nga qendrat e imunizimit për të forcuar aktivitetet në terren dhe monitorimin e atyre që nuk janë vaksinuar”, ka thënë ministri i Shëndetësisë Bekim Sali gjatë Javës Evropiane të Imunizimit.

Numri i rasteve të fruthit po rritet me shpejtësi në botë. Kjo është pikërisht ajo që thuhet në raportin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Sipas raportit, numri i rasteve të raportuara me fruth në dy muajt e parë të vitit 2022 është 79 për qind më i lartë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas raportit të OBSH-së situata është përkeqësuar nga konfliktet dhe luftërat në Ukrainë, Etiopi, Somali dhe Afganistan që kanë detyruar miliona të largohen nga shtëpitë e tyre, fëmijëve u është mohuar e drejta e vaksinimt dhe shpesh detyrohen të jetojnë në akomodime të mbipopulluara. Shfaqja e epidemive të mëdha të kësaj sëmundje tepër ngjitëse është një rrezik, veçanërisht pas heqjes së masave të distancës sociale të vendosura për shkak të pandemisë. Sipas të dhënave, në janar dhe shkurt të këtij viti janë raportuar 17.338 raste me fruth. Midis prillit të 2021 dhe prillit 2022, u regjistruan gjithsej 21 shpërthime të mëdha të fruthit, shumica e tyre në Afrikë dhe në Mesdheun Lindor.

Ndërkohë UNICEF paralajmëroi gjithashtu për rrezikun e fruthit, duke thënë se në shekullin e 21-të, jeta e fëmijëve nuk duhet të rrezikohet me vetëdije dhe të ekspozohet ndaj rrezikut të sëmundjeve që mund të parandalohen me anë të vaksinave dhe të cilat janë provuar të jenë të sigurt dhe shumë efektiv.