Antidiskriminimi diskuton për shfuqizimin e Balancuesit
Shkup, 11 tetor – Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e balancuesit, por nga ana tjetër, taktizimi për shtyrjen e seancës për shqyrtimin e dispozitave të ligjit të gjuhëve me arsyetimin e ndjeshmërisë së situatës, prej ditësh nxit debate mes partive politike dhe ekspertëve, mbi veprimet e fundit të institucionit më të lartë, Gjykatës Kushtetuese.
ALSAT mëson se Komisioni për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminim është duke e ndjekur me vëmendje të shtuar situatën, jo vetëm lidhur me vendimin e fundit të Kushtetueses, balancuesin, por edhe argumentet e rreshtuara në këtë rast nga gjykatësit përbërës.
Të kontaktuar nga ALSAT, nga ky institucion na siguruan se çështja është adresuar tashmë:
“Komisioni për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi është duke ndërtuar qëndrim rreth çështjes së balancuesit si masë afirmative dhe mekanizëm për realizimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të entiteteve të ndryshme shoqërore në institucione dhe organe shtetërore. Në fillim të javës se ardhshme qëndrimi zyrtar i Komisionit rreth balancuesit do të shpallet publikisht”.
Komisioni për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi është një nga organet që e bazon veprimtarinë e tij pikërisht mbi mosdiskriminim, dhe si një organ i pavarur dhe profesional që u përgjigjet nevojave të qytetarëve për mbrojtjen e të drejtave të tyre, ka si mision nxitjen e ndryshimeve pozitive për barazi thelbësore, promovimin e të drejtave të njeriut dhe eliminimin e të gjitha llojeve të diskriminimit.
ALSAT mëson se kryetari i këtij komisioni, Limko Bejzarovski pritet ta shpalosë vendimin e këtij komisioni, ditën e martë në kuvend.
Avokati i Popullit, si përgjegjës për monitorimin e përfaqësimit të minoriteteve, e cilësonte vendimin për ALSAT si politik.
Edhe vetë anëtari i Kushtetueses, Osman Kadriu e quajti antikushtetues vendimin, madje shkoi më tej duke kërkuar parim Badenter në këtë institucion.