Ansambli “Bresana” nga Opoja sivjet është vlerësuar me katër çmime në festivale të ndryshme
Ansambli “Bresana” nga treva e Opojës gjatë vitit 2024 është paraqitur në disa festivale të organizuara në Kosovë dhe jashtë vendit. Në festivalet e mbajtura brenda vendit ky ansambël ka arritur që sivjet të shpërblehet me katër çmime.
Në njoftimin e ShKA “Bresana” thuhet se çmimi i parë sivjet është marrë në Festivalin Folklorik të mbajtur në Hanin e Elezit, raporton Telegrafi.
“ShKA Bresana në muajin qershor ishte pjesë e festivalit të Hanit të Elezit, ku u vlerësua më çmimin ‘Ansambli më autokton i festivalit’”, thuhet në njoftim.
Aty gjithashtu theksohet se në festivalin “Dyshja na bashkon” në Viti, ShKA Bresana është shpërblyer me vendin e parë, teksa valltari Osman Ahmeti është zgjedhur “Valltar i Karrierës”.
“Gjatë muajit qershor, sërish Ansambli ‘Bresana’ ishte pjesë e Festivalit ‘Eshkë e ndezur mbi Shkëlzen’ në qytetin e Deçanit, ku në mesin e 30 ansambleve të ndryshme fitoi vendin e parë”, thuhet në njoftim, duke shtuar se juria ka vlerësuar vazhdimin e kultivimit të traditës opojare nga ky ansambël.
“Rishtazi, me 19 shtator të këtij viti, ShKA ‘Bresana’ ishte pjesëmarrëse në edicionin e parë të festivalit folklorik të këngëve dhe valleve ‘Folk fest’ të mbajtur në Shtime dhe aty ka fituar çmimin e festivalit”, thuhet në njoftim.
Në të njëjtën kohë është sqaruar se edhe në këtë festival, ansambli ka prezantuar në mënyrë të denjë ritet e zakonet opojare.