Ankohen të burgosurit në Manastir! Prindërit të shqetësuar për djemtë e tyre
Manastir, 26 gusht – 28 të burgosur në burgun e Manastirit nëpërmjet një deklarate me shkrim ankohen se nuk u lejohet që t’i shfrytëzojnë disa të drejta themelore që i kanë të siguruara me ligj.
Në letrën dërguar Avokatit të Popullit dhe Komitetit të Helsinkit thuhet se disa nga të burgosurve nuk ju lejohet të shfrytëzojnë të drejtën 7 orëshe për të dal jashtë dhe 4 orë vizitë me familjen, por edhe të drejta të tjera. Të burgosurit kryesisht shqiptarë ankohen se gjatë gjithë kohës marrin ofendime nga të punësuarit, sidomos nga udhëheqësja e sektorit.
Të shqetësuar për këtë situatë janë edhe familjarët e të burgosurve të cilët gjithashtu ankohen se nuk janë pritur aspak mirë kur kanë shkuar për të vizituar të afërmit e tyre.
“Ju bën maltretim, i ofendon, nuk i merr parasysh kërkesat e tyre, kur ata bëjnë lutje me shkrim ajo merr dhe ua gris ata para syve dhe u thotë se ajo është Zoti i tyre dhe se ata nuk kanë asnjë të drejtë dhe se do tu hakmerret në çdo mënyrë dhe ju thotë se s’mund të dilni gjallë nga burgu ju. Ne me avokatin kemi bë ankesa deri te burgu, te institucioni për të drejtat e të burgosurve, te organizatat joqeveritare, te avokati i Popullit”, deklaroi ky prind.
TV21 kontaktoi edhe zyrën e Avokati të Popullit në Kërçovë nga atje na thanë se e kanë pranuar ankesën dhe po marrin masat e duhura.
“E kemi pranuar ankesën dhe kemi dërguar ankesë dhe kërkesë deri te burgu në fjalë, që të na njoftojnë me detajet dhe të na lejohet ti vizitojmë të njëjtët”, tha Avokati i Popullit.
Edhe nga “Komiteti Helsinkit” thonë se e kanë pranuar ankesën dhe se ditët në vijim do të marrin masat e nevojshme.
“E kemi pranuar ankesën, por për shkak të situatës me pandeminë dhe problemeve shëndetësore, me kërkesën në fjale do të fillojmë të punojmë javën që vjen dhe do ti ndërmarrim të gjitha masat e nevojshme”, thanë nga Komiteti i Helsinkit.
TV21 u mundua të kontaktojë me udhëheqsinë e burgut të Manastirit por askush nuk dha përgjigje, vetëm na thanë se gjatë ditës së nesërme do të flasin për këtë rast.