Angjushev: Kriza energjetike është më e keqe se kriza me Covid, çmimet janë 400% më të larta

Shkup, 25 mars – Pasojat negative ndaj ekonomisë të cilat i shkaktoi invazioni i Rusisë në Ukrainë janë më të këqija se ato nga kovid kriza dhe në mënyrë shtesë ndikon ndaj rritjes së çmimeve të burimeve energjetike, thotë në një intervistë për “Faktor”, Koço Angjushev, kryetar i KD dhe drejtor ekzekutiv i “Feroinvest” dhe “Brako”.

“Në situatën e keqe në vend të stabilizimit të cilin e presim është futur një situatë edhe më e keqe. Dhe tani praktikisht situata është dyfish e keqe. Ekonomia nuk është rikuperuar ende nga kriza koronare dhe kjo është situata me Ukrainën. Është naive të mendosh se nëse nuk ke bashkëpunim të drejtpërdrejtë me Ukrainën apo Rusinë, kriza nuk do të të prekë. Pavarësisht nëse keni bashkëpunim të drejtpërdrejtë apo jo, kjo situatë do të ndikojë tek ju. Është shumë e thjeshtë, sepse energjia prek të gjithë. Energjia nuk mund të mbetet në të njëjtin nivel si para krizës, dhe këtu e kam fjalën për çdo burim energjie – naftë, gaz, energji elektrike, gjithçka tjetër është energji dytësore. Aktualisht, çmimi i këtyre tre burimeve të energjisë është në rritje. Nëse presim që stabilizimi të ndodhë shpejt, në të vërtetë nuk duhet as të shpresojmë për një zgjidhje të shpejtë ushtarake të krizës. Dhe në atë rast përsëri me muaj e ndoshta edhe më shumë se një vit do të ketë pasoja nga ai konflikt”, thotël Angjushev.

Në intervistë, Angjushev thekson se niveli në të cilin do të stabilizohen çmimet varen nga kohëzgjatja e konfliktit dhe sa do të jetë përqindja e inflacionit e cila do t’i rritë çmimet.

“Kjo periudhë do të mbahet në këtë nivel, i cili është ulur në krahasim me impulsin fillestar të rritjes drastike për shkak të momenteve spekulative, frikës, panikut e të ngjashme. Por niveli aktual është 400% më i lartë se niveli i çmimeve në këtë periudhë të vitit të kaluar. Nëse para krizës ukrainase kam thënë se çmimi i rrymës do të stabilizohet nga 80 deri në 120, do ta zhvendosja pak në një interval prej 100 deri në 200 euro për megavat orë në afat të gjatë”, tha Angjushev.

I pyetur për atë sa do të jetë goditja ndaj ekonomisë së vendit, Angjushev mendon se nga situatat aktuale në ekonominë botërore dhe çmimet e burimeve energjetike, pasoja më serioze do të vërehen tek kompanitë të cilat janë investime të huaja veçanërisht në Zonat zhvillimore teknologjike industriale të cilat punojnë për industrinë automobilistike.