Anëtarët e Komisionit të përbashkët historik në takim në Sofje e konfirmuan përkushtimin për mbajtje të dialogut aktiv
Shkup, 25 shkurt – Takimi i parë këtë vit i Komisionit të përbashkët multidisiplinar të ekspertëve për çështje arsimore dhe historike ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, që u mbajt mbrëmë dhe sot në Sofje, kaloi në atmosferë konstruktive, thuhet në kumtesën e përbashkët pas përfundimit të takimit.
“Në suaza të seancës së përbashkët të Qeverive të Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, që u mbajt më 25 janar, bashkëkryesuesit e Komisionit prof. Dragi Georgiev dhe prof. Angel Dimitrov arritën pëlqim për organizimin e tre takimeve deri në fund të muajit maj”, qëndron në kumtesë.
Anëtarët e Komisionit e konfirmuan përkushtimin për mbajtje të dialogut aktiv, shtojnë prej atje.
Planifikohet takimi i ardhshëm i Komisionit të mbahet kah fundi i muajit mars ose filimi i prillit në Shkup.
Në takimin e 16-të paraprak në fillim të dhjetorit të vitit 2021, anëtarët e Komisionit, siç kumtoi atëherë pala maqedonase në këtë trup të përbashkët, nuk arritën t’i tejkalojnë dallimet në qasjen dhe mirëkuptimin e rolit në histori dhe arsimin historik në shoqëritë bashkëkohore dhe ndërtimin e marrëdhënieve të mira të nxjerra nga politizimi i historisë.
“Qasja e cila themelohet në përvojat pozitive evropiane dhe rekomandimet e Këshillit të Evropës dhe UNESKO, mbetet bazë në punën e palës maqedonase në Komision dhe prej këtu dalin mospajtimet kryesore me kolegët nga Sofja, të cilët mbesin në qasjen e jashtëzakonshme që është i huaj në kuptimin bashkëkohor të arsimit historik e cila nënkupton qasje multidisiplinare dhe interdisiplinare. Pas një diskutimi ditën e dytë tregoi se të dy palët ende janë larg zgjidhjes që mund të sjellë në përmirësim të procesit arsimor dhe realizimin e qëllimit të përbashkët në ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe miqësi në të cilën e kaluara dhe interpretimet e ndryshme të historisë nuk do të jenë pengesë”, ishte cituar në kumtesë pas takimit.
Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani javën e kaluar deklaroi se nuk duhet të krijohet presion me afate mbi Komisionin e Përbashkët Historik, por qëllimi është të krijohet proces i besimit për zgjidhje të çështjeve kontestuese.
Sipas Osmanit, ekspertët përpunojnë ndonjë temë, politikanët japin pikëpamje të tyre politike dhe udhëzime dhe ashtu duhet ta kemi pasqyrën e nevojshme duke i kaluar të gjitha filtrat, me qëllim që asnjë zgjidhje të mos mbetet e paanalizuar siç duhet.
Osmani beson se puna e Komisionit është proces afatgjatë dhe se qëllimi i saj është ta konservojë temën, me qëllim që shoqëritë dhe politikanët të mos debatojnë për historinë dhe ato çështje historike të mos e kontaminojnë komunikimin e përditshëm bilateral.
Sipas paralajmërimeve gjatë vitit 2022 duhet të mbahen pesë takime të Komisionit. Deri tani Komisioni historik ka dhënë rekomandime te qeveritë në Shkup dhe Sofje për festim të përbashkët të pesë personaliteteve – Car Samoili, vëllezërit Qirili e Metodi, Shën Klimenti dhe Shën Naum i Ohrit.

