Ancelotti flet pas fitores spektakolare ndaj Cityt, tregon edhe si i motivoi futbollistët e Realit për rikthimin

Real Madridi ka arritur në një tjetër finale të Ligës së Kampionëve pas një rikthimi fantastik.

Los Blancos kanë fituar 3-1 ndeshjen e kthimit ndaj Manchester Cityt dhe me rezultat të përgjithshëm 6-5 pas dy ndeshjeve kanë kaluar në finalen e madhe.

Sulmuesi brazilian Rodrygo i inkuadruar në lojë nga banka rezervë shënoi dy gola për një minutë, derisa Benzema kontribuoi me një tjetër në vazhdime për triumfin spektakolar të Realit.

Trajneri i madrilenëve, Carlo Ancelotti ka folur pas ndeshjes duke thënë se madhështia e këtij klubi është se nuk dorëzohet kurrë.

“Kjo është madhështia e këtij klubi. Reali është një klub që nuk të dorëzohet edhe kur duket se gjithçka ka marrë fund. Të jep forcë për të vazhduar, për të vazhduar, për të besuar”.

“Kemi luajtur një ndeshje kundër një rivali shumë të fortë. Kur gjithçka dukej se kishte mbaruar, ne kërkuam energjinë e fundit për ta përballuar”, tha Ancelotti.

Tutje trajneri italian tha se barazimi i dha atyre avantazh psikologjik që pastaj e shfrytëzuan për të gjetur edhe golin e dytë dhe të tretin.

“Nëse barazon një ndeshje në minutat e fundit, ke avantazh psikologjik. Hyn në një dinamikë tjetër. Pjesën e parë e bëmë mirë”.

“Na mungoi pak lidhja mes linjave, luajtëm më shumë se ç’duhet me topa të gjatë. Kemi luajtur kundër tri skuadrave të afta për ta fituar Ligën e Kampionëve. Ka qenë një sukses i madh”, tha italiani.

Krejt në fund ish-trajneri i Milanit, PSG-së, Bayernit e Chelseat tha se futbollistët e tij panë video nga të gjitha rikthimet që kanë bërë këtë sezon.

“Videoja motivuese që ata panë para ndeshjes ishte me të gjitha përmbysjet që kemi bërë këtë sezon. Të paktën do ta nisim finalen 0-0, kjo nuk është keq”, u shpreh Ancelotti.

Në finalen e madhe të Ligës së Kampionëve, Real Madridi do të përballet me Liverpoolin në kryeqytetin francez Paris.