Analizë/ Si u prezantua buxheti për vitin 2023 në Kosovë dhe si në Maqedoninë e Veriut?

Shkup, 7 dhjetor – Prezantimi i buxhetit për vitin 2023 në Maqedoninë e Veriut dhe në shtetin fqinjë ka një dallim esencial shumë të shprehur dhe shqetësues, për sa i përket qasjes së institucioneve përgjegjëse qytetarit atje dhe këtu. Përderisa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Financave, Hekuran Murati, dhe ministrin e pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, filluan me Prishtinën duke vazhduar derë më derë në secilën Komunë për të informuar qytetarët për planifikimin e buxhetit për vitin e ardhshëm, dhe duke treguar se sa prej buxhetit do të përfitojnë komunat përkatëse ku bëjnë edhe prezantimin. Ndonëse, jo shumë larg gjeografikisht prej Kosovës, Maqedonia e Veriut sikurse të jetë afër me ndonjë shtet të Lindjes, prezanton buxhetin për vitin e ardhshëm vetëm përmes një konference për shtyp nga kryeministri, Dimitar Kovaçevski dhe ministri Financave, Fatmir Besimi, duke mos e parë të nevojshme që të takohen me qytetarët, shkruan Zhurnal.

Si u prezantua buxheti për vitin 2023 në Kosovë?

Prezantimin i Buxhetit për vitin 2023 në Kosovë u bë në formën më të mirë të mundshme, një ekip me udhëheqës kompetent e përgjegjës në krye me Albin Kurtin si kryeministër, ministrinë e Financave, Hekuran Murati, si dhe ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, kanë filluar në kryeqytet në Prishtinë, për të vazhduar në secilën Komunë duke prezantuar Buxhetin për vitin e ardhshëm.

Foto që dëshmojnë prezencën e bartësve të institucioneve përgjegjëse nëpër Komuna të ndryshme, duke filluar në Prishtinë, Mitrovicë, Pejë, Ferizaj, Prizren, Gjakovë, dhe nuk përfundon me kaq, dje ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati bashkë me ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Pecin, prezantuan buxhetin për vitin 2023 në Podujevë.

Buxheti që i dedikohet qeverisjes lokale dhe komunave planifikohet të rritet për rreth 100 milionë €, nga 560 milionë që ishte në vitin 2022 në 660 milionë euro për vitin 2023. Për Komunën e Prishtinës, buxheti i planifikuar për vitin 2023 është mbi 109 milionë euro.

Në Prizren, Kryeministri Kurti theksoi se buxheti i vitit 2023, pra 3 miliardë e 212 milionë euro, është më i larti në historinë e Republikës sonë. Kjo pasi përkundër sfidave e krizave globale, vitin e kaluar e kishim vitin më të suksesshëm në historinë e shtetit tonë, për sa i përket të hyrave buxhetore dhe rritjes ekonomike. Edhe në vitin 2023, siç theksoi ai, mirëqenia, shëndetësia, arsimi, mbrojtja e bujqësia vazhdojnë të jenë prioritetet e Qeverisë së Kosovës.

Kryeministri Kurti tha se Buxheti i planifikuar për Komunën e Mitrovicës, për vitin 2023 është mbi 25 milionë euro, dhe së bashku me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati diskutuan më në detaje se si dhe ku është paraparë ndarja e buxhetit për këtë komunë.

Përveç 6.6 milionë eurove që janë planifikuar për projekte infrastrukturore në komunën e Pejës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka planifikuar 1.55 milion euro për projekte në këtë komunë, që do t’i shërbejnë sportit dhe rinisë. Gjithashtu janë planifikuar edhe mjetet për finalizimin e Qendrës Nacionale të Xhudos, sport ky që ka qenë kryefjala e sportit vendor tash e 15 vjet dhe në të cilin janë shënuar suksese historike. Më shumë se vitin e kaluar është planifikuar të jetë edhe buxheti për Komunën e Gjakovës i cili pritet të arrijë vlerën prej 31,558,422 euro.

Si u prezantua buxheti për vitin 2023 në Maqedoninë e Veriut?

Kryeminstri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, dhe ministri i Financave, Fatmir Besimi, gjatë prezantimit të buxhetit për vitin 2023, i cili u miratua ditë më parë në Qeveri, dhe ky buxhet u prezantua vetëm përmes kësaj konference për shtyp në ambientet e Qeverisë, dhe është e lehtë të sqarohet përmes këtyre dy fotografive kuptohet i tërë angazhimi i tyre për prezantim të buxhetit.

Përse ky dallim në prezantim, përderisa kemi të bëjmë me një temë të ngjashme në dyja shtetet, rëndësia e buxhetit është e padiskutueshme, sepse nëpërmjet kësaj është i planifikuar edhe ecuria e vitit të ardhshëm. Por, përtacia e përgjegjësve tanë këtu në Maqedoninë e Veriut sjellë situatë që mbase edhe mos të konsiderohet i rëndësishëm buxheti, sepse prezantohet vetëm përmes një konference për shtyp. Thua ti është ndonjë vendim i zakonshëm i Qeverisë apo ndonjë ligj i ri i sjellur në Kuvend.

Autoritetet në Kosovë, me këtë format të prezantim kanë treguar që në radhë të parë është qytetari dhe për këtë është dëshmuar duke vizituar secilën Komunë veç e veç që prej së afërmi të informohen qytetarët për buxhetin e vitit të ardhshëm. Edhe për kryeministrin Kurti dhe ministrin Murati do të kishte qenë më e lehtë që vetëm përmes një konference për shtyp të prezantojnë buxhetin, por kjo praktikë është distancuese prej qytetarëve.

Megjithatë, kur krahasojmë Kosovën dhe RMV, qasjen e autoriteteve atje ndaj qytetarit dhe këtu, ka dallime shumë të shprehura, kjo mbase edhe Qeveria aktuale atje buron pikërisht prej qytetarëve edhe atë shumicë, ndërkaq këtu në RMV kur shihet qasja e institucioneve ndaj qytetarëve kuptohet se kemi të bëjmë me një “qeveri të arnuar” që mezi qëndron në “jetë”, dhe është krijuar me pazare të ndryshme. /Zhurnal.mk