Analizë: Pendarovski, Spasovski apo Naser Zyberi? Cili do të jetë kandidati i përbashkët i Qeverisë për president?

Shkup, 19 shtator – Zgjedhjet presidenciale janë një temë e cila çdo herë mbetet nën hijen e temës për zgjedhjet parlamentare. Shkaku është se zgjedhjet parlamentare mund të jenë të parakohshme, të jashtëzakonshme, ose të rregullta, prandaj edhe diskutohen vazhdimisht në opinion. Ka më shumë matematika rreth zgjedhjeve parlamentare se rreth atyre presidenciale, prandaj edhe janë temë më e trajtuar dhe më e preferuar nga mediumet.

Sidoqoftë, zgjedhjet presidenciale po afrohen, njësoj sikurse ato parlamentare. Edhe këtu, përfliten disa matimatika e kombinatorika nëse do të mbahen bashkë, nëse zgjedhjet parlamentare do të mbahen para atyre presidenciale, ose ato presidenciale para zgjedhjeve parlamentare, shkruan Zhurnal.

Përfliten edhe mundësi të ndryshme se kush do të jetë kandidat për president në zgjedhjet e ardhshme. Nëse shprehemi me fjalor të garave automobilistike, residenti aktual, Stevo Pendarovski mbetet në “pole position”, kur bëhet fjalë për kandidatët e mundshëm të shumicës, por ky pozicion ende nuk i garanton atij asgjë, sepse pretendimet thuhet se janë të shumta.

Steva apo Oliveri?

Por pyetja e parë është nëse qeveria do të dalë me një kandidat të përbashkët, ose jo. Gjykuar nga deklarata e zëdhënësit të BDI-së, Bujar Osmani, nuk përjashtohet mundësia që në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm “Fronti për Evropën” të dalë me një kandidat të përbashkët. “Atë e kishim edhe në zgjedhjet e fundit. Presidenti aktual është kandidat i përbashkët i LSDM-së dhe BDI-së, që është një precedent që shumë vende e dëshirojnë realisht, e ai është që dy bashkësitë më të mëdha etnike të kenë një kandidat të përbashkët për president.

Mund ta nënvlerësojmë, por është vërtet arritja më e madhe e një shoqërie multietnike dhe mendoj se është shembull i mirë dhe nuk e përjashtoj që të përsëritet”, tha Osmani në deklaratën e fundit në këtë temë.

Presidentit aktual  jepen gjasat më të mëdha të jetë kandidat i përbashkët i Qeverisë për president edhe një mandat të ardhshëm. Është mjaft interesante dhe karakteristike, por legjitimitetin e tij për president shteti ai në njëfarë mënyre e fitoi në zgjedhjet e humbura në vitin 2014. Në kohën kur pushteti autoritar i udhëhequr nga ish kryeministri Nikolla Gruevski dhe kushëriri i tij në DSK, Sasho Mijallkov kishte në disponim të gjitha “mjetet demokratike” për të fituar zgjedhjet, Pendarovski pati një paraqitje të shkëlqyer kundrejt kandidatit të VMRO-DPNE-së, Gjorge Ivanov dhe zgjedhjet i humbi vetëm falë bojkotit nga votuesit shqiptarë, shkruan Zhurnal.

Falë garës dinjitoze që pati kundrejt Ivanovit, Pendarovski u rikandidua në vitin 2019 duke fituar kundër Gordana Slijanovska-Davkovës të VMRO-DPMNE-së. Gjatë mandatit presidencial ai nuk tregoi militantizëm partiak, diçka që e kërkon dhe dëshiron nga presidenti çdo strukturë politike që e përkrah atë dhe ky ndoshta mund të jetë një minus i tij para subjekteve që e përkrahën në vitin 2019. Mirëpo nga ana tjetër, ky qëndrim duhet të jetë përparësi e tij para elektoratit në zgjedhjet e ardhshme, nëse vendos të rikandidaohet. Dihet që ka njerëz që i shprehin vërejtje se mandate i tij ishte i zbehtë, respektivisht nuk tregoi protagonizmin e nevojshëm presidencial gjatë zhbvillimeve të ndryshme, por duhet pasur parasysh se asnjë politikan nuk është i përkryer.

Si emër i mundshëm për të qenë kandidat i Qeverisë, po përmendet seriozisht edhe “kryepolici” i parë Oliver Spasovski. Ai nuk dëshiron të zbulojë planet e tij për karrierën e tij politike në të ardhmen. Duke pasur parasysh se vitin e ardhshëm do të mbahen zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale, Spasovski nuk dëshiron të komentojë se ku e sheh veten në atë perspektivë. Ai vlerëson se fokusi duhet të jetë në realizimin e angazhimeve për integrimin e vendit në Bashkimin Europian dhe premtimet që u janë dhënë qytetarëve.

Megjithatë, ai në një intervistë për Fokus thotë se është normale që çdo politikan, përfshirë edhe vetën, të aspirojë të arrijë një post më të lartë. I pyetur nëse mund të jetë presidenti i ardhshëm i LSDM-së, Spasovski tha se tani është herët të flitet për këtë, shkruan Zhurnal.

“Është ende herët për të diskutuar këtë temë, do të vijë në momentin kur do të diskutohet brenda partisë. Tani jam i fokusuar në aktivitetet në Ministri dhe në Qeveri. Këto janë pyetje të supozuara që mund t’i diskutojmë, por në kushtet kur jemi në gjendje të arrijmë qëllimin më të rëndësishëm kombëtar – anëtarësimin në BE, përgatitjen për zgjedhje, për mua është shumë e rëndësishme që LSDM-ja të pozicionohet mirë, të bëhet një ofertë e mirë. te qytetarët dhe natyrisht të fitoj besimin e gjithë kampusit për Maqedoninë pro-evropiane, i cili ka vizion të qartë dhe me të gjitha forcat e mia, me të gjitha kapacitetet e mia do të punoj për arritjen e këtyre qëllimeve”, ka thënë Spasovski në intervistën, të cilën nëse e dëgjoni me vëmendje do ta shihni se nuk e ka përjashtuar mundësinë të kandidohet për president.

Pse jo Naseri?

Ditëve të fundit “rrotullohet” edhe një mundësi tjetër e ajo është mundësia që Qeveria të garojë me një kandidat të përbashkët shqiptar për president. Lëshimi që bëri BDI në vitin 2020, duke hequr dorë nga premtimi për kryeministrin shqiptar, ndoshta mund të kompensohet në zgjedhjet presidenciale, duke pasur parasysh se BDI me gjasë është e gatshme të heq dorë nga kryeministri i parë edhe në 100 ditëshin e fundit të kësaj qeverie.

“Pse Steva e Oliveri, e jo Naseri?” është pyetja që mund të parashtrohet në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, duke u bazuar në pyetjen “Pse Zorani dhe Hristijani, e jo Naseri?”, që BDI e parashtronte në tubime në zgjedhjet parlamentare të vitit 2020 kur e promovonte kryeministrin e parë shqiptarë, i cili madje mbajti edhe një mbledhje ceremoniale para ndërtesës së Qeverisë.

Gjithsesi duhet pasur parasysh se “hesapi i Qeverisë”  është si “hesapi i shtëpisë” dhe ai nuk del çdo herë në “pazar”. Sepse në “pazar” do të garojë edhe “hesapi i opozitës”, kështu që bilanci përfundimtar në përcaktimin e kandidatit do të varet shumë edhe nga ky aspekt, sepse inflacioni galopant që ka kapluar, mund të shkatërrojë çdo “hesap pa hanxhiun”./Zhurnal