Analizë: Nxënësit dhe studentët preferojnë mësim të drejtpërdrejtë ose model të kombinuar
Shkup, 6 shkurt – Pjesa më e madhe e të rinjve në rajon, mbi 70%, nuk dëshirojnë të vazhdojnë me mësimin online dhe konstatojnë se as ata dhe as profesorët nuk bëjnë përpjekje të mjaftueshme për mësim cilësor përmes internetit, që rezulton me nivel të ulët deri mesatar të njohurive të fituara dhe arsimim joadekuat.
Këtë e tregon hulumtimi online i Institutit për qeverisje të mirë dhe perspektiva euro-atlantike (IDUEP) i realizuar në mesin e nxënësve dhe studentëve nga Maqedonia, Serbia dhe Shqipëria gjatë janarit të vitit 2022. Një qëndrim që lë përshtypje dhe i përbashkët i të rinjve nga të tre vendet është fakti se më pak se një e treta e tyre janë për vazhdimin e mësimit online, ndërsa pjesa tjetër janë të përkushtuar ndaj mësimit me prezencë fizike ose një modeli të kombinuar hibrid. Vetëm 14,6% e të rinjve në Shqipëri duan të mësojnë online, ndërsa 44% janë për mësim me prezencë fizike dhe 41,4% kanë zgjedhur modelin e kombinuar. Në Maqedoni, 27% e nxënësve dhe studentëve të përfshirë në anketën online janë për modelin online, 41% duan të kthehen në banka, ndërsa 32% janë për një model të kombinuar të mësimit me prezencë fizike dhe online. 21% e të rinjve serb, nga ana tjetër, preferojnë të mësojnë online, 37% janë për mësim në shkolla, ndërsa 42% duan të kenë mundësi edhe për online edhe për mësim me prezencë fizike.
„Është fakt se pandemia Covid-19 i kapi të papërgatitura sistemet arsimore në vendet e rajonit. Por dy vjet më vonë, shifra të tilla tregojnë pa mëdyshje se ne nuk kemi ndryshuar shumë dhe as që kemi investuar mjaftueshëm në ndërtimin e besimit në teknologjitë e reja dhe metodat e të mësuarit. Edhe unë personalisht preferoj mësim dhe trajnime të drejtpërdrejta, por ju kujtoj se nëse nuk do të ishte teknologjia digjitale, shumë nxënës dhe studentë do të mbeteshin në një pandemi pa një vit të mbaruar dhe disa të rinj do të duhej të shtynin diplomimin ose magjistraturën për 1 – 2 vjet. Megjithatë, teknologjia ka mundësuar që mos të ndodhë kjo, respektivisht të gjithë të mund të vazhdojmë të mësojmë dhe të punojmë në rrethana të reja. Sfida kryesore mbetet cilësia e mësimit, ndërsa të gjithë pjesëmarrësit në këtë analizë online tregojnë qartë se duan reformë digjitale, por sipas shembullit dhe zakoneve të nxënësve dhe mësuesve. Kjo do të thotë se nuk ka vend për improvizim, por është e nevojshme të fillohet me një proces gjithëpërfshirës në të cilin do të përfshihen dhe dëgjohen të gjitha palët e interesuara në sistemin arsimor“, tha Bojan Kordalov, komunikolog dhe një nga autorët e kësaj analize.
Anketa tregon gjithashtu se të rinjtë në këto tre vende pothuajse dyfishuan kohën e kaluar në celular, tablet ose kompjuter gjatë pandemisë Covid-19. Nëse para kësaj, mesatarisht vetëm rreth 40% e të anketuarve kalonin në internet deri në tre ose më shumë orë në ditë, gjatë pandemisë, dy herë më shumë ose mbi 80% e të rinjve në këto vende ishin të lidhur në internet në një nga pajisjet në një periudhë prej mbi tre orë në ditë.
Opinionet janë të ndara për cilësinë e mësimit online, si dhe për gatishmërinë e mësuesve dhe pedagogëve për të dhënë mësim në kushtet e reja të mësimit në distancë të shkaktuar nga pandemia Covid-19. Mesatarisht, në të dyja kategoritë, një përqindje e madhe e të rinjve mendojnë se mësimi ka qenë i cilësisë së dobët dhe mësuesit ishin të papërgatitur, ndërsa notën më të lartë 5 e kanë dhënë pak më shumë se 20% e të anketuarve. Më të pakënaqur janë të rinjtë në Shqipëri ku mbi 40% kanë dhënë notë mesatare ose të ulët për mësuesit, ndërsa vetëm 10% mendojnë se kanë realizuar mirë mësimin online. Opinionet për këtë çështje janë më së shumti të ndara në Serbi dhe Maqedoni ku pothuajse 30% besojnë se mësimdhënësit nuk ishin të gatshëm për mësim online, ndërsa e njëjta përqindje prej 30% e të anketuarve i dhanë notën më të lartë stafit mësimdhënës.
Nxënësit dhe studentët nuk janë shumë të kënaqur as me punën që kanë bërë dhe as me atë që kanë mësuar gjatë mësimit online në të kaluarën. Më autokritikë janë të rinjtë në Shqipëri ku pothuajse 48% nuk janë të kënaqur me njohuritë e marra, ndërsa mbi 47% e të rinjve në Maqedoni dhe Serbi kanë dhënë nota më të larta në këtë kategori.
„Nuk ka kthim prapa nga procesi i digjitalizimit. Sidomos jo për brezat e rinj. Mesazhi që ata po dërgojnë është shumë i qartë. Thonë, duam të kthehemi në bankat shkollore apo fakultet, por në arsimin modern, në të cilin mjetet digjitale do të përfshihen në procesin mësimor dhe do të përshtaten sipas shprehive tona. Në të njëjtën kohë, nxënësit dhe studentët kërkojnë të ketë zgjedhje – që ata të vendosin nëse dhe kur do të jenë pjesë e mësimit me prezencë fizike dhe kur pjesë e mësimit online. Kjo mund të tingëllojë e çuditshme ose jopraktike për brezat e vjetër, por koha në të cilën gjithçka sot funksionon është „e qëlluar” ose „on demand”. Ashtu siç ne kemi mundësinë për të ndjekur përmbajtje televizive në një kohë që na përshtatet, për të pasur qasje në e-mail ose në bazën e të dhënave si jashtë orarit të punës ashtu edhe në vendin e punës, ashtu edhe brezat e rinj po kërkojnë fuqishëm dhe presin shumë më tepër zgjedhje. Kjo është në kundërshtim me të ashtuquajturën disiplinë e hekurt në të cilën ne kemi mësuar dhe studiuar, por bota po ndryshon. Prandaj, nëse duam të krijojmë gjenerata që do të jenë funksionale, por edhe digjitale, duhet të përshtatemi dhe të ndryshojmë shpejt sipas shprehive dhe pritjeve të gjeneratave të reja”, tha Bojan Kordallov, komunolog dhe një nga autorët e hulumtimit.
Kjo tregon se edhe pse deri diku janë të kënaqur me mënyrën e zhvillimit të mësimit, të rinjtë nga rajoni prapseprapë kanë vërejtje se procesi mësimor nuk u dallua me risi të mëdha dhe se ky rezultat vjen nga fakti se përmbajtjet mësimore nuk u prezantuan në mënyrë interesante në platformat e internetit.
Sipas tyre, mësimi online ka aspekte pozitive, duke përfshirë hapësirën për menaxhim më të mirë të kohës, fleksibilitetin në ndjekjen e orëve dhe përvetësimin e aftësive të reja TIK nga të gjithë aktorët në procesin arsimor.
Interesante janë përgjigjet për platformat më të përdorura të mësimit në distancë nga të rinjtë në të tre vendet. Për të rinjtë nga Maqedonia platformat më të njohura janë Microsoft Times dhe Zoom, për të rinjtë serbë zgjedhja është në masë më të madhe Zoom, ndërsa zgjedhja e nxënësve dhe studentëve nga Shqipëria janë Google Classroom dhe Meet.
Shumica e të rinjve në Maqedoni (50,2%) dhe Serbi (47,6%) besojnë se është e mundur të mësohet në rrjetet sociale, dhe se hapësira e mediave sociale ofron shumë mundësi për të mësuar, por nuk përdoret sa duhet. (Serbia 45,1%, Maqedonia 37,8%). Për dallim nga ata, të rinjtë në Shqipëri nuk e shohin një mundësi të tillë – mbi 44% janë përgjigjur se nuk është e mundur të mësohet përmes rrjeteve sociale dhe as që këto kanale digjitale ofrojnë mundësi të tilla (50%).
Megjithatë, në përgjithësi, pjesa më e madhe e të rinjve në rajon mendojnë se nevojitet reforma nëpërmjet digjitalizimit të mësimit, e cila përfshin një program mësimor të hartuar në një mënyrë interesante dhe novatore, të përshtatur për nevojat e nxënësve dhe studentëve. Me një qasje të tillë, sipas të rinjve të përfshirë në këtë anketë online, do të rritet cilësia e njohurive dhe aftësive të tyre.
Ajo që është inkurajuese është se pothuajse të gjithë të rinjtë në rajon janë të gatshëm të pranojnë ndryshime pozitive dhe zgjidhje novatore të të mësuarit.
Të rinjtë rekomandojnë se për të pasur mësim më të mirë online duhet trajnim dhe përgatitje më të mirë të mësuesve, ndërveprim më të madh me nxënësit, përdorim më të mirë të mjeteve mësimore – harta mendore, diagrame, prezantime dhe përdorimi i mjeteve të ndryshme digjitale, me qëllim që materiali të transmetohet në një mënyrë më ndryshe, madje edhe gjatë mësimit të drejtpërdrejtë. Disa nga të rinjtë propozojnë që leksionet të regjistrohen dhe materiali i regjistruar të jetë i në dispozicion për çdo nxënës/e ose student/e gjatë mësimit.
„Nga ajo se çfarë arsimimi do të marrin të rinjtë sot, varet se në çfarë shtetesh dhe në çfarë bote do të jetojmë në të ardhmen. Brezat e sotëm të nxënësve dhe studentëve, për disa dekada, do të jenë drejtues dhe drejtuese të institucioneve dhe kompanive publike në vendet e rajonit, por edhe drejtues dhe drejtuese të institucioneve ndërkombëtare në mbarë botën. Nëse nuk marrin arsimim cilësor, të përshtatur me shprehitë e tyre të të mësuarit dhe marrjen e informacionit, mund të mbeten pa gjënë më të rëndësishme – arsimimin dhe socializimin. Dëmin do ta pësojmë të gjithë ne dhe dyshoj se do të kemi mundësi ta riparojmë apo kompensojmë atë”, përfundon Bojan Kordallov, komunikolog dhe një nga autorët e hulumtimit online për shprehitë dhe vlerësimet e të rinjve nga Maqedonia, Serbia dhe Shqipëria për mësimin online në kohën e pandemisë Covid-19.
Ky hulumtim online është realizuar nga data 20 deri më 31 janar 2022 dhe në të kanë marrë pjesë mbi 500 të rinj – nxënës dhe studentë nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia. Hulumtimi është kryer në bashkëpunim me Institutin rajonal për qeverisje të mirë dhe perspektiva euro-atlantike (IDUEP), ndërsa si organizatë partnere paraqitet edhe Forumi për Ndryshime Arsimore (FNA).
Rezultatet dhe të gjitha propozimet që janë marrë do t’i dorëzohen në mënyrë integrale udhëheqjes shtetërore dhe qeverive të vendeve të Iniciativës „Ballkani i Hapur“ – Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë.

