Analizë: Maqedonia e Veriut peng i krizës politike në Bullgari

Shkup, 26 gusht – Bullgaria ka hyrë në një krizë të thellë politike, pasi brenda 8 muajve ka zhvilluar 2 palë zgjedhje parlamentare, por ato nuk kanë mundur që të prodhojnë një rezultat i cili do të mundësonte formimin e një qeverie politike, e me shumë gjasë ajo do të shkojë përsëri në zgjedhje të reja, e që e gjithë kjo do të ketë impakt direkt në rrugën integruese të Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Europian.

Zgjedhjet e prillit të këtij viti prodhuan një rezultat shumë të ngushtë mes partive politike në Bullgari, ku partia e ish-kryeminstrit Bojko Borisov GERN-SDS mori 26.18 % të votave apo 75 ulëse nga 240 që ka gjithësej parlamenti bullgar. Edhe përkundër faktit se u rendit si partia e parë, ajo nuk arriti të krijonte një koalicion qeverisës, dhe si rezultat i këti dështimi vendi shkoi në zgjedhje tjera të parakohëshme të cilat u mbajtën në korrik të këtij viti.

Zgjedhjet e korrikut ndryshuan renditjen e partive politike në vendin fqinjë, pasi tani si subjekt i parë nuk renditej GERN-SDS, por ajo e “Ka popull të tillë” (ITN) e Slavi Trifunov e cila mori 24.08 % të votave apo 65 ulëse, kurse e dyta u rendit partia e ish-kryeministriit Bojko Borisov me 23.51 % apo 63, shkruan Zhurnal.

Kjo u cilësua një fitore e madhe e opozitës, por ajo që e zbehte entuziazmin ishte dallimi i vogël mes partisë së parë dhe të dytë, ndërsa e tërë kjo do të komplikonte shumë krijimin e një shumice parlamentare, pasi duke pasur parasysh që dallimet ideologjike mes partive politike në Bullgari ishin aq të thella, saqë përafrimi i tyre për të qeverisur sëbashku ishte pothuajse një mision i pa mundur, siç do ta tregonte edhe koha.

Në bazë të kushtetutës së Bullgarisë, presidenti i vendit mandatin për formimin e qeverisë ja jep partisë fituese, e që në këtë rast ishte ITN, por ajo dështoi të krijonte një shumicë parlamentare, e kjo ndikoi që më 12 gusht ky subjekt të tërhiqte nominimet për qeverinë e re, çka nënkuptonte kthimin e mandatit përsëri te kreu i shtetit. I pari i kësaj partie theksoi se ata nuk do ta mbështesnin asnjë subjekt për formimine shumicës së re parlamentare e që e gjithë kjo ndikoi edhe më shumë në thellimin e krizës politike në vend.

Kështu presidenti mandatin për formimin e qeverisë së re i’a kaloi partisë së dytë, ku edhe GERN-UDF, dështoi që të sigurojë shumicën parlamentare dhe më 20 gusht e riktheu mandatin tek kreu i shtetit, duke e vendosur Bullgarinë në një udhëkryq politik.

Kushtetuta bullgare mundëson edhe edhe një tentim të tretë për formimin e qeverisë, e kështu afati i fundit për t’ia dhënë një partie mundësinë për të formuar një shumicë të re skadon këtë të premte, por ende nuk dihet se cila do ta marr mandatin , megjithatë supozohet se ajo do ti jepet partisë BSP ose “Ngrihuni. BG! Po vijmë!”. Gjasat që një subjekt të arrij të krijoj një shumicë janë shumë ta pakta për të mos thënë se janë zero, të gjithë keto zhvillime po paralajmrojnë se zgjedhjet e reja janë të pa shmangshme në vendin fqinjë.

Zgjedhjet presidenciale sipas kryetares së Kuvendit të Bullgarisë do të mbahen në muajin tetor, dhe sipas saj në qoftë se dështojnë përpjekjet për formimin e qeverisë, atëherë edhe për arsye financiare zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të mbahen sëbashku, shkruan Zhurnal.

Zhvillimet politike në vendin fqinjë kanë ndikim direkt dhe shumë të fuqishëm për të ardhmen europiane të Maqedonisë së Veriut, pasi përshkak të kontesteve mes Shkupit dhe Sofies, kjo e fundit ka vendosur veto duke bllokuar rrugën integruese të vendit tonë. Vetoja Bullgare pamundësoi vendit tonë marrjen e datës për fillimin e negociatave në samitin e BE-së që u mbajt në qershor të këtij viti, pasi mungesa e një qeverie politike ishte një nga shkaqet kryesore që ndikuan në dështimin e negociatave për të zgjidhur mosmarrëveshjen mes dy vendeve.

Liderët politik në vendin tonë shpresonin se me ndryshimet në udhëheqësinë e vendit fqinjë dhe me krijimin e qeverisë së re, do të përparonin negociatat në drejtim të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve, dhe sipas tyre kjo gjë besohej se do të ndodhte brenda muajit shtator, e që në këtë mënyrë vendi ynë ta merrte dritën jeshile për hapjen e negociatave në samitin ardhshëm të BE-së që pritet të mbahet në muajin dhjetor.

Situata politike në Bullgari me shumë gjasë do ta ndëshkojë përsëri Maqedoninë e Veriut, pasi në qoftë se shkohet në zgjedhje të reja në muajin nëntor, mundësia që të formohet një qeveri brenda një periudhe të shkurtër dhe të finalizoheshin negociatat me një marrëveshje të përbashkët brenda samitit të BE-së, që do ti hapte rrugë marrjes së datës për fillimin e negociatave janë shumë minimale apo e thënë më shkurt është e pa mundur.

Kështu që fati i negociatave të Maqedonisë së Veriut është e lidhur ngusht me zhvillimet e brendshme politike në Bullgari, dhe sa më gjatë të vazhdojë kriza atje, aq do të zgjatet edhe procesi i hapjes së negociatave me vendin tonë.//Zhurnal.mk