Analizë: “Evropa 2030”, një ëndërr e bukur që po e shuajnë Polonia, Holanda, Danimarka e shtetet baltike!?
Bruksel, 15 shtator – Entuziazmi ndaj deklaratës së presidentit të Këshillit Evropian Charles Michel se BE duhej të ishte gati për t’u zgjeruar deri në vitin 2030 është shuar.
Ky afat kohor u hodh poshtë nga disa shtete anëtare, përfshirë Poloninë, vendet baltike, Austrinë dhe shtete më skeptike si Holanda dhe Danimarka. Sipas këtyre shteteve anëtare, Ukraina, Moldavia dhe vendet e Ballkanit Perëndimor do të duhet të plotësojnë kritere strikte për t’u anëtarësuar duke përfshirë performancën ekonomike, ka raportuar Tv Klan.
Shtimi i shteteve të reja në familjen evropiane kërkon reforma të brendshme gjithëpërfshirëse dhe kjo ka të ngjarë të kërkojë vite të tëra debatesh mes anëtarëve aktualë të BE-së.
Kur shuhen ëndrrat e bukura, u lënë vend ëndrrave të shëmtuara
Presidenti francez Emmanuel Macron mbështet idenë e një zgjerimi në faza, me shtetet kandidate që së pari t’u lejohet aksesi në tregun e vetëm përpara se të bëhen anëtarë me të drejta të plota të BE-së.
Reformat e brendshme që do të shkaktonte zgjerimi përfshijnë: rishikimin e Politikës së Përbashkët Bujqësore të BE-së, ridizenjimin e buxhetit afatgjatë të bllokut dhe rishkrimin e procesit të vendimmarrjes për të ecur drejt përdorimit më të madh të të ashtuquajturës votim të “shumicës së kualifikuar” në fusha si politika e jashtme, ku aktualisht kërkohet unanimiteti.
Shuarja e ëndrrave të bukura evropiane, çdo herë përcillet me rrezikun e shndërrimit të tyre në ëndërra të këqija, respektivisht në një “zhgjëndërr” të shëmtuar, për vendet kandidate për anëtarësim, shkruan Zhurnal.
Kur është fjala për Ballkanin, shuarja e ëndrrave evropiane sjell rrezikun edhe të tensioneve. Qytetarët e këtij nënqielli janë aq të mishëruar me Evropën, saqë çdo mesazh pesimist e presin me dëshpërim të madh. Këtë dëshpërim, pastaj e shfrytëzojnë forca destruktive ndërkombëtare, me struktura vendore politike, për të ngjallur skenare dhe ideologji që përfundojnë me tensione.
Me politikanë të korruptuar nuk ka anëtarësim në BE
Por disa analistë vlerësojnë se me udhëheqësi të korruptuara, siç kemi tani, anëtarësimi në BE është edhe më i vështirë, shkruan Zhurnal.
“Nga numri kaq i madh i hajdutëve në liri dhe në pushtet, Maqedoninë s’e shpëton dot as anëtarësimi në BE. Në Bashkimin Evropian, edhe sikur të dihet se kur dhe a do të hyjmë, me këta “lider” të korruptuar, më mirë është fare të mos ngjajë. Për Maqedoninë shpëtimi është vetëm nëse me ndihmën e BE-së dhe SHBA-ve, çlirohet nga politikanët e korruptuar aktual dhe të mëparshëm, të cilët shtetin me krim dhe korrupsion e sollën në gjendje katastrofale”, shkruan Hajredini.
Një pjesë e ekspertëve kërkojnë nga gjyqësori që të mbledhë forca dhe të luftojë ndaj tendencave negative që vijnë nga pushteti ekzekutiv, siç janë ndryshimet e fundit në Kodin Penal. Sipas Malinka Ristevska Jordanova nga Instituti për Politika Evropiane, qëndrimet që vijnë nga institucionet kyçe të gjyqësorit, siç është Gjykata Supreme, janë shumë të qarta – se ndryshimet janë në kundërshtim me standardet evropiane.
Komisioni Evropian në disa raste ka treguar përdorimi i flamurit evropian si mënyrë e procesimit të shpejtë të legjislacionit në Kuvend duhet të ndryshohet. E fundit ka qenë në disa vende në Raportin e parë të skriningut për vendin. Sjellja e ligjeve me flamur evropian më së shumti në rajon përdoret pikërisht në Maqedoni. Siç shton Ristevska, Brukseli ka kohë që po përsërit se partitë parlamentare kanë arritur marrëveshje për heqjen e procedurës së shpejtë nga Rregullorja e punës, por që kjo të ndodhë duhet vullnet politik. Ajo theksoi se Unioni do të gjejë mënyrë për t’i dhënë fund kësaj praktike, e cila përmendet disa herë në Raport.
Nga Komisioni Evropian këtë javë njoftuan se janë të shqetësuar për mënyrën se si po zbatohen ndryshimet në Kodin Penal. Ato u propozuan me flamur evropian, pra pas një procedure të shpejtë, e cila sipas Komisionit e bën të pamundur një diskutim të gjerë publik. Në përgjigje të kritikave nga Brukseli, sipas kryeministrit Dimitar Kovaçevski, është thënë se flamuri është përdorur, por nuk është keqpërdorur. /Zhurnal

