Analizë: Çfarë modeli të mësimit preferojnë studentët nga vendet e “Ballkanit të Hapur”?

Shkup, 2 shkurt – Mbi 70 për qind e të rinjve në Maqedoninë e Veriut, Serbi dhe Shqipëri, përkatësisht në vendet e iniciativës “Ballkani i Hapur”, nuk duan të vazhdojnë me arsimin online dhe besojnë se as ata dhe as profesorët bëjnë përpjekje të mjaftueshme për mësimdhënie cilësore online që rezulton në nivel të ulët deri në mesatar të njohurive të fituara dhe arsimim joadekuat. Këtë e tregon studimi online i Institutit për Qeverisje të Mirë dhe Perspektiva Euro-Atlantike (IQMPE) i realizuar mes nxënësve nga të tre vendet gjatë muajit të fundit.

Sipas Institutit, qëndrimi interesant dhe i përbashkët i të rinjve nga të tre vendet tregon faktin se më pak se një e treta e tyre janë pro vazhdimit të arsimit online, ndërsa pjesa tjetër janë të përkushtuar ndaj edukimit fizik ose një modeli hibrid të kombinuar. Vetëm 14.6 për qind e të rinjve në Shqipëri duan të studiojnë online, ndërsa 44 për qind janë për edukim me prezencë fizike dhe 41.4 për qind kanë zgjedhur modelin e kombinuar. Në vendin tonë, 27 për qind e studentëve të përfshirë në studimin online janë për një model online, 41 për qind duan të kthehen në bankat e shkollës, ndërsa 32 për qind janë për një model të kombinuar të edukimit fizik dhe online. Nga të rinjtë serbë, nga ana tjetër, 21 për qind preferojnë të studiojnë online, 37 për qind duan të shkojnë në shkollë, ndërsa 42 për qind duan të kenë akses në edukimin fizik dhe atë online.

Sipas Bojan Kordallov, komunikolog dhe një nga autorët e kësaj analize, pandemia KOVID i gjeti të papërgatitur sistemet arsimore në vendet e rajonit, por shifra të tilla tregojnë pa mëdyshje, thotë ai, se dy vjet më vonë nuk kemi ndryshuar shumë ose investuar mjaftueshëm në ndërtimin e besimit në teknologjitë e reja dhe metodat e të mësuarit.

“Personalisht preferoj mësimin dhe trajnimin e drejtpërdrejtë, por ju kujtoj se po të mos ishte teknologjia digjitale, shumë studentë do të mbeteshin në pandemi pa një vit dhe disa të rinj do të duhej të shtynin diplomimin apo masterin për një apo dy vjet. Megjithatë, teknologjia ka penguar që kjo të ndodhë, pra të gjithë mund të vazhdojmë të mësojmë dhe të punojmë në rrethana të reja. Sfida kryesore mbetet cilësia e mësimdhënies dhe të gjithë pjesëmarrësit në këtë analizë online tregojnë qartë se duan reformë digjitale, por sipas shembullit dhe shprehive të nxënësve dhe mësuesve. Kjo do të thotë se nuk ka vend për improvizim, por është e nevojshme të fillohet me një proces gjithëpërfshirës në të cilin do të përfshihen dhe dëgjohen të gjitha palët e interesuara në sistemin arsimor”, thotë Kordallov.

Sondazhi tregon gjithashtu se të rinjtë në këto tre vende gjatë pandemisë, pothuajse kanë dyfishuar kohën e tyre të kaluar në celular, tablet apo kompjuter. Nëse para kësaj, mesatarisht vetëm rreth 40 për qind e të anketuarve shpenzonin në internet deri në tre ose më shumë orë në ditë, gjatë pandemisë kjo është rritur dy herë më shumë ose mbi 80 për qind e të rinjve në këto vedne qëndrojnë të lidhur në internet në një nga këto pajisje për më shumë se tre orë në ditë.

Opinionet janë të ndara për cilësinë e mësimdhënies online, si dhe gatishmërinë e mësuesve dhe pedagogëve për të dhënë mësim në kushtet e reja të mësimit në distancë të shkaktuar nga pandemia KOVID.

Mesatarisht, në të dyja kategoritë, një përqindje e madhe e të rinjve mendojnë se mësimi ka qenë i cilësisë së dobët dhe mësuesit ishin të papërgatitur, ndërsa notën më të lartë 5 e kanë dhënë pak më shumë se 20% e të anketuarve. Më të pakënaqurit janë të rinjtë në Shqipëri ku mbi 40% kanë dhënë notë mesatare ose të ulët për mësuesit dhe vetëm 10% mendojnë se kanë dalë mirë në mësimdhënien online. Opinionet për këtë çështje janë më të ndara në Serbi dhe në Maqedoninë e Veriut, ku pothuajse 30 për qind besojnë se mësuesit nuk ishin gati për mësimdhënie online, ndërsa po të njëjtit 30 për qind e të anketuarve kanë dhënë notën më të lartë për mësuesit.

Nxënësit dhe studentët nuk janë shumë të kënaqur me punën që kanë bërë dhe as me atë që kanë mësuar gjatë mësimdhënies online në të kaluarën. Më autokritikët janë të rinjtë në Shqipëri ku pothuajse 48% nuk ​​janë të kënaqur me njohuritë e marra, ndërsa mbi 47% e të rinjve në vend dhe në Serbi kanë dhënë nota më të larta në këtë kategori.

Për sa i përket platformave më të përdorura të mësimit në distancë nga të rinjtë në të tre vendet, për të rinjtë evendit tonë më të njohurit janë Majkrosoft tims dhe Zum, për të rinjtë serbë përzgjedhja është kryesisht Zum, ndërsa përzgjedhja e studentëve nga Shqipëria është Gugëll Klasrum dhe Mit .

Të rinjtë rekomandojnë që për një mësimdhënie më të mirë online nevojtiet edukim dhe përgatitje më e mirë e mësuesve, ndërveprim më të madh me nxënësit, përmirësim të përdorimit të mjeteve mësimore. Disa nga të rinjtë sugjerojnë që leksionet të regjistrohen dhe materiali i regjistruar të jetë i disponueshëm për çdo student gjatë studimit.

“Në përgjithësi, pjesa më e madhe e të rinjve në rajon mendojnë se nevojitet reforma përmes digjitalizimit të mësimdhënies, e cila përfshin një kurrikul të hartuar në një mënyrë interesante dhe novatore, të përshtatur për nevojat e studentëve. Ky akses, sipas të rinjve të përfshirë në anketën online, do të rrisë cilësinë e njohurive dhe aftësive të tyre. Ajo që është inkurajuese është se pothuajse të gjithë të rinjtë në rajon janë të gatshëm të pranojnë ndryshime pozitive dhe zgjidhje inovative mësimore, është një nga përfundimet e analizës.

Sondazhi online i IQMPE-së u krye midis 20 dhe 31 janarit të vitit 2022 në partneritet me Forumin për Ndryshime Arsimore – FNA dhe përfshiu mbi 500 të rinj – nxënës dhe studentë nga të tre vendet. Rezultatet dhe të gjitha propozimet e marra do t’i dorëzohen në mënyrë integrale kreut shtetëror dhe qeverive të të tre vendeve të Iniciativës “Ballkani i Hapur”