Analizë/ A ka rrezik që vendi të mbetet pa drithëra deri në fund të vitit?

Shkup, 29 mars – Edhe për faktin se shkëmbimi tregtar mes Maqedonisë së Veriut, Rusisë dhe Ukrainës nuk është në nivel të lartë, sërish situata konfliktuoze atje ka shkaktuar kaos ekonomik global, ngjashëm edhe në vendin tonë, ku kriza ekonomike ka ndikuar në çdo sektor. Ajo që është shqetësuese për qytetarët dhe bujqit, është fakti se ekziston rreziku që vendi të ketë mungesë drithërave deri në fund të vitit.

Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, viteve të fundit vendi ka një prodhim më të ulët të drithërave. Nevojat e shtetit janë 300 mijë tonë grurë dhe pritshmëritë janë që këtë vit të prodhohen 250 mijë tonë nëse grurit nuk i hidhen tani vetëti ushqyese, shkruan Zhurnal.

Prodhimi bujqësor është i varur nga importi i plehrave nga Rusia, çmimi i të cilave është rritur shumëfish. Sipas analistëve botërorë, nuk ka pothuajse asnjë zëvendësim për importin e plehrave nga vende të tjera përveç Rusisë dhe Ukrainës, kështu që humbja e eksporteve nga Rusia do të jetë një tronditje e vërtetë për të gjithë.

Një pjesë e plehrave në vendin tonë janë blerë nga Serbia, Bullgaria, Greqia, por janë në sasi shumë më të vogla. Në të njëjtën kohë, vendet kanë filluar të ruajnë plehra për nevojat e tyre për shkak të importeve të shtrenjta nga Rusia.

Ndryshe, Qeveria së fundi ka miratuar Programin për fondin intervenues në bujqësi, i cili parasheh 120 milionë denarë ose rreth 2 milionë euro për subvencionimin e kostos së plehrave.

Për shkak të rritjes së regjistruar të çmimeve të plehrave, fermerët do të marrin mbështetje prej 2500 denarë për hektar për shpenzimet e bëra për blerjen e plehrave në vlerë prej së paku 200 kilogramë për hektar.

Mirëpo, fermerët besojnë se kjo masë nuk do të ndikojë në uljen drastike të rritjes së çmimeve sepse janë të mbuluara vetëm 2 kultura, kurse mbjellja pranverore dhe mbjellja e të gjitha kulturave të tjera sapo ka filluar.

Qeveria kufizoi eksportet e disa drithërave, miellit, lulediellit dhe vajit të lulediellit. “Bëhet fjalë për sasi për mbulimin e nevojave të brendshme, gjegjësisht në mullinjtë e vendit ka mbi 50 mijë ton rezerva gruri, mbi 10 mijë ton misër dhe mbi 8 mijë tonë elb, që vjen si pasojë e rritjes së prodhimit vendor të grurit nga 195 mijë tonë në vitin 2017, në 253 mijë tonë në vitin 2021”, thuhet në njoftim.
Qeveria thekson gjithashtu se rezervat e mallrave të produkteve bazë, si gruri, misri, elbi, vaji i lulediellit, derivatet e naftës dhe produkteve të tjera janë në sasi të mjaftueshme dhe nuk ka nevojë për ndërhyrje shtesë, shkruan Zhurnal.

Se gjendja e bujqve është e mjerueshme në vend, tregues më i mirë është ikja e të rinjve në numër më të madh pikërisht nga vendet rurale, aty ku tokat janë më pjellore dhe gjasat e mundësitë më të mëdha për punë bujqësore. Mirëpo, në këto vende nuk ka shpresë se mund të mbijetohet nga puna bujqësore, prandaj të rinjtë duhet të lënë vendet e tyre të largohen, në kërkim të një jete më të mirë.

Pastaj, kjo si pasojë sjellë edhe mungesën e punëtoreve dhe regresin në sektorin bujqësor, me çka prodhimi vendor zvogëlohet dhe rrezikohet në çdo moment, sidomos në situata krize.

Qeveria si masë të zakonshme për të ndihmuar bujqit ka subvencionet, për të cilat shpesh herë bujqit janë ankuar për procedura të ndërlikuara për aplikim e deri në marrjen e këtyre ndihmave simbolike.

Mirëpo, ajo që është evidente, është fakti që përmes subvencioneve nuk mund të binden të rinjtë që të mos e braktisin vendin, por janë politikat zhvillimore si dhe tregu i garantuar ato që janë vendimtare për zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë.

Pa zhvillim bujqësor nuk mund të ketë ekonomi të përparuar që do të ndikonte në mirëqenie dhe rritje të punësimit, për shkak të mungesës së një strategjie efikase bujqësia vazhdon të mbetet sektori më i pazhvilluar.

Nga ana tjetër, një reformë e thellë nëpërmjet eliminimit të keq menaxhimit dhe fuqizimit të transparencës dhe llogaridhënies është e domosdoshme.//Zhurnal.mk