Analiza për masa të reja për ulje të çmimeve, kontrolle të përforcuara për çmimet ekzistuese

Shkup, 21 mars – Qeveria do të bëjë analiza dhe nëse konfirmon se mund të ndikojë në mënyrë shtesë në pjesën e uljes së çmimeve do të sjell masa të reja gjatë kësaj jave. Tani më po sanksionohen një pjesë e tregtarëve që nuk i respektojnë masat ekzistuese – për lirimin nga TVSH-ja të produktet ushqimore bazë dhe për marzhat e përcaktuara. Qeveria konsideron se masat janë në kohë dhe me to mbrohen buxhetet familjare nga goditjet e çmimeve, ndërsa opozita mbetet në qëndrimin se politikat ekonomike të pushtetit nuk rezultojnë dhe kërkon masa të reja më gjithëpërfshirëse.

“Në pjesën e tregtisë me shumicë dhe pakicë kemi intervenuar në marzhat përftuese, ku për tre produkte kemi konstatuar të mos ketë marzhë, ndërsa për tjerat të ketë 4 dhe 3 për qind dhe këtë e ndjekim çdo ditë përmes Inspektoratit. Nëse nevojitet në seancën e ardhshme do të sjellim edhe masa plotësuese që kemi në dispozicion. Kjo do të ishte heqje e disa kuotave që janë paraparë për disa produkte bujqësore dhe detyrime doganore. Për disa produkte kemi shkallë doganore prej 29 për qind nga 32 për qind, atë do ta heqim plotësisht me qëllim të ketë numër më të madh produktesh dhe mundësi për tregtarët në vendin tonë të ketë çmime konkurruese. Nesër, pasnesër do të bëjmë analizat e fundit për mënyrën se si zbatohen dhe efektet që kanë pasur masat, nëse konstatojmë se mund të ndikojë në zbutjen e çmimeve, kuptohet se gjatë kësaj jave do ta miratojmë”, ka thënë Bekteshi.

Deri më tani janë bërë mbi 1.100 kontrolle nga Inspektorati shtetëror i tregut dhe Drejtoria për të ardhura publike dhe janë shqiptuar gjoba përkatëse, por sipas Bekteshit, masat kryesisht respektohen.

Drejtoresha e DAP-it, Sanja Llukarevska, sot në konferencë për shtyp informoi se edhe krahas vërejtjeve se ka pasur objekte shitëse, të cilave nuk u janë adaptuar aparatet fiskale dhe në vend të grupit G, buka, mielli TIP 400, vezët, qumështi, sheqeri, mishi, orizi, dhe vaji për ushqim, i kanë shitur në grupin B, respektivisht me TVSH të llogaritur prej pesë për qind.

“Inspektorët në pajtim me kontrollet e bëra, më së shumti parregullësi kanë konfirmuar te tatimpaguesit nga Tetova, Shkupi, Struga, Prilepi dhe Ohri”, tha mes tjerash Llukarevska.

Ajo shtoi se parregullsi ka pasur edhe te gjashtë objekte shitëse në Strumicë, Kavadar, Gostivar dhe Resnjë.

Me kontrollet, tek një tregtar i madh, i cili kryen tregti me pakicë me ushqim dhe prodhime të qumështit dhe të mishit në disa markete në Shkup, Strumicë, Gjevgjeli dhe Vallandovë u konfirmua, tha drejtoresha e DAP-it, mospërshtatje të shkallës së tatimit për mish dhe prodhime tjera.

Të gjitha këto masa, sipas LSDM-së, siç deklaroi dje deputeti Darko Kaevski, tashmë po japin rezultate, me heqjen e TVSH-së për produktet bazë që mbron buxhetet familjare nga goditjet e reja të çmimeve, ndërsa çmimi i derivateve është në rënie të vazhdueshme.

Inflacioni i lartë, i cili tani më është dyshifror, rezulton me stagflacion në shtet, dhe kjo për fat të keq ndikon drejtpërdrejt ndaj standardit të qytetarëve të fuqisë së tyre blerëse, deklaroi sot lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.