Alternativa “e përgjumur” ndaj rezultateve të regjistrimit
Shkup, 1 prill – A aq shumë po punon Alternativa në Qeveri saqë rezultatet e regjistrimit i ka lënë punë sekondare, madje as që ia vlen të merret me këtë temë?
Alternativa nuk po e ndjen veten si parti apo në shkëmbim me pozitat në pushtet e ka dhënë lirinë e shprehjes?
Janë dy pyetje të natyrshme që vijnë si rezultatet i anashkalimit të tyre ndaj një procesi shumë të rëndësishëm në vendin tonë, bëhet fjalë për rezultatet e regjistrimit të popullsisë. Që prej momentit kur u publikuan janë paraqitur shumë pakënaqësi nga shumë etnitete sipas të cilëve janë të pa pranueshme, shkruan Zhurnal.
Alternativa po sillet sikur mos të ketë ndodhur asgjë, e ne nuk mund të sillemi sikur se Alternativa nuk po vepron asgjë. Në këtë rast mos-veprimi është veprim, i cili të krijon përshtypjen se nuk është vetëm partner koalicioni në Qeveri, por edhe peng i qeverisë.
Deri më tani rezultatet e regjistrimit janë të pranueshme vetëm për dy partitë kryesore qeverisëse, LSDM dhe BDI, ndërkaq Alternativa si parti në pushtet ende nuk po e sheh të arsyeshme të prononcohet për regjistrimin, kjo neglizhencë a flet se për Alternativen ky proces është i pa rëndësishëm, apo janë të detyruar të heshtin.
Alternativa në pushtet ka këto pozita: nënkryetarin e Kuvendit të RMV-së, Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës, ministër pa resor – përgjegjës për mërgatën, zëvendësministër të Arsimit dhe Shkencës, zëvendësministër të Bujqësisë, zëvendësministër të Kulturës, dhe gjashtë drejtori. Por, sërish edhe krahas shumë funksionerëve që bartin pozita publike nga kjo parti, janë të përgjumur dhe nuk po paraqesin qëndrimin e tyre dhe partisë që i përkasin këta.
Ndërkaq, për dallim prej Alternatives kanë reaguar këto parti: Aleanca për Shqiptarët, Lëvizja Besa, VMRO-DPMNE, E Majta, Lidhja Demokratike e Boshnjakëve, Partia Demokratike e Turqve, Zëri i Maqedonisë i Sollza Gërçevës, e shumë të tjera, shkruan Zhurnal.
Aleanca për Shqiptarët dje përmes deputetit Halil Snopçe, në një konferenë për media, u shprehën se kanë dyshime mbi rezultatin, pikërisht edhe ato sepse mbi 130 mijë qytetarë nuk janë regjistruar me përkatësinë e tyre etnike.
Nga Lëvizja Besa kanë thënë se regjistrimi vërtetoi se me BDI në qeveri, ikja e shqiptarëve nga vendlindja është masovike. Forma, mënyra dhe mbarvajtja e procesit kaloi në fshehtësi të plotë, ndërsa procesi i ndërprerjes të regjistrimit dhe pengesat që patën qytetarët sidomos ata në diasporë për t’u regjistruar humb kredibilitetin dhe besueshmërinë ndaj procesit të regjistrimit të popullsisë. Prandaj, dyshojmë se ky proces ka kaluar në pazar politik mes LSDM dhe BDI, ashtu si edhe shumë çështje tjera në të kaluarën, që për fat të keq janë dëshmuar se çdo pazar politik i BDI-së ka sjellë pasoja afatgjate për shqiptarët në vend.
Sollza Gërçeva është pak sa e nervozuar me statistikat e shqiptarëve përshkak se sipas saj, numri i shqiptarëve është caktuar që para regjistrimit, duke u bazuar në deklarimet e disa politikanëve të cilët thonë se nuk do t’i pranojnë rezultatet nëse shqiptarët dalin nën 25%.
I pakënaqur me rezultatet është edhe Pavle Trajanov i Lidhjes Demokratike. Ai mbrëmë në Tv24 u shpreh se shqiptarët në Maqedoni nuk janë më tepër se 20% sepse banorët e paevidentuar të cilët ishin rreth 132mijë, 90% e tyre janë maqedonas, dhe kështu, rritet numri i maqedonasve dhe ulet numri i shqiptarëve.
Edhe partia më e madhe boshnjake, Lidhja Demokratike e Boshnjakëve (LDB), ka shprehur dyshimet e saja për rezultatet e regjistrimit
“E Majta” gjithashtu nuk e pranon regjistrimin e popullsisë, ndërsa këtë proces e quajnë thjeshtë një operacion politik e nxjerë nga BDI-ja, ndërsa e miratuar nga LSDM-ja. Nga “E Majta” kanë shpalosur shumë gjëra të cilat nuk janë sipas standardeve ndërkombëtare.
Ndërkohë, edhe VMRO-DPMNE konsideron se regjistrimi i popullsisë është jo i plotë. Edhe këta si arsyetim i marrin 132 mijë banorët e paregjistruar.
Dhe kur sheh një sërë reagimesh nga grupe e individ përgjegjës, të krijohet përshtypja se Alternativa është “dehur” nga ato rezultate, ende nuk e ka marrë veten prandaj nuk kanë reaguar fare, sepse askush dhe asgjë nuk ka thënë nga kjo parti për rezultatet e regjistrimit./Zhurnal.mk

