Aliu: Reformat në arsimin profesional duhet të krijohen së bashku me komunitetin e biznesit
Shkup, 12 tetor – Arsimi profesional në Republikën e Maqedonisë së Veriut në vitet e fundit ka shënuar reforma serioze në të cilat janë përfshirë Ministria e Arsimit dhe Shkencës, vetëqeverisjet lokale dhe kompanitë. Pikërisht bashkëpunimi ndërmjet këtyre tre sistemeve dhe kohezioni i tyre, si dhe vizioni për zhvillimin e arsimit profesional, kontribuoi për rritjen e numrit të paraleleve duale në shkollat e mesme profesionale, ndërsa me atë edhe rritja e numrit të nxënësve.
Këtë e theksoi zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Lulzim Aliu në Konferencën regjionale të shteteve të Ballkanit perëndimor nën patronazhin e OeAD-së dhe Parlamentit Austriak në temën: Partneriteti publiko-privat për zhvillimin e shkathtësive mendore dhe gjetjen e formës më atraktive për të mësuarit praktik që u zhvillua në Vjenë, Austri.
“Duhet të dakordohemi që reformat e arsimit profesional janë të pazbatueshme, nëse kompanitë nuk përfshihen në to si përdoruesit më të prekur dhe parësor të shërbimeve të cilat i ofrojnë shkollat profesionale. Në vitin shkollor 2021/22 në të gjitha shkollat e mesme profesionale në Maqedoninë e Veriut kemi pasur 97 paralele dhe 1400 nxënës në të njëjtat. Këtë vit kemi mbi 200 paralele dhe 2700 nxënës. Vitin e kaluar shkollor ishin 250 kompani pjesëmarrëse, ndërsa këtë vit janë mbi 400”, shtoi Aliu duke theksuar se interesimi për arsimin profesional tek të rinjtë po rritet, por edhe interesimi i kompanive për t’u përfshirë në procesin arsimor.
Nga ky projekt përfitojnë të dyja palët, tha zëvendësministri, gjegjësisht nxënësit marrin mësime praktike dhe njohuri drejtpërdrejtë nga kompanitë, ndërsa punëdhënësi potencial siguron kuadër të arsimuar dhe profesional, i cili është i gatshëm t’i bashkohet procesit të prodhimit menjëherë pas përfundimit të arsimit në procesin e prodhimit.
“Për krijimin e kuadrove të përgatitur, si Ministri veprojmë në tre aspekte, gjegjësisht avancimin e infrastrukturës, furnizimin e programeve studimore dhe teksteve shkollore të reja dhe ngritjen e motivimit për punën e kuadrit të mësimor. Gjithashtu, në bashkëpunim me BE-në dhe fondet në dispozicion të vendeve, janë hapur edhe tri qendra rajonale të QAP-së”, theksoi Aliu, duke shtuar se MASH për nxënësit e regjistruar në shkollat profesionale ju ndan edhe bursa, si motiv shtesë për avancimin e tyre profesional.
Implementuam, potencoi Aliu, bursa për nxënësit e profesioneve deficitare dhe të arsimit dual të cilat gjithashtu ndikuan në ngritjen e motivimit në regjistrimin në shkollat e mesme profesionale, si lloj motivimi, por edhe mbështetje për procesin edukativo mësimorë tek të rinjtë.
Sipas zëvendësministrit të Arsimit dhe Shkencës, investimi tek të rinjtë dhe ngritja e interesimit për arsimin profesional është investim nga i cili përfitojnë jo vetëm se nxënësit dhe kompanitë, por edhe vendi.
Ndryshe në konferencë nga Maqedonia e Veriut morën pjesë përfaqësues të ministrisë së Arsimit, deputetë-anëtarë nga komisioni për arsim pran Kuvendit të RMV-së, përfaqësues të Qendrës për arsim profesional dhe trajnime, si dhe përfaqësues të institucioneve që kanë të bëjnë me arsimin e mesëm profesional nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Kosova, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina.

