Aliu: Nëpërmjet reformave në arsim krijojmë shoqëri më të drejtë dhe inkluzive

Shkup, 10 maj – Fuqia e arsimit për të ndikuar sistematikisht në sjelljen e gjeneratave të tëra dhe të krijojë shoqëri më të drejtë dhe inkluzive është në bazë të proceseve të reformave të mëdha që ka ndërmarrë Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Ndryshimet në arsimin fillor, programet e reja dhe materialet mësimore për mësim i udhëzojnë nxënësit drejt vlerave qytetare që lidhen me barazinë gjinore, multikulturalizmin, tolerancën dhe respektin për diversitetet. Nxënësit fitojnë tolerancë dhe ndjeshmëri për shokët e klasës që duken ndryshe, mendojnë ndryshe ose janë të një kombësie ose feje tjetër. Materialet e reja mësimore nuk mbështesin paragjykimet dhe i paraqesin njerëzit nga grupet e rrezikuara si anëtarë të barabartë të shoqërisë.

Këtë e theksoi zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Lulzim Aliu, në konferencën e organizuar nga Instituti për të Drejtat e Njeriut, në kuadër të projektit “Mbrojtje nga diskriminimi, bullizmi dhe gjuha e urrejtjes”, që mbështetet nga Ambasada Gjermane në Shkup. Zëvendësministri theksoi se këto dukuri negative nuk janë vetëm incidente të izoluara, por janë model të sjelljes që përsëritet në mënyrë të qëndrueshme dhe prandaj është e nevojshme të forcohen aktivitetet e të gjithë faktorëve relevant, për parandalimin e tyre.

“Si shoqëri, lufta kundër diskriminimit, bullizmit dhe gjuhës së urrejtjes duhet ta fillojmë nga rrethi i familjes, ku fëmija i fiton mekanizmat bazë rregullues të sjelljes dhe i mëson vlerat morale dhe më pas të vazhdojë përmes edukimit sistematik në institucionet parashkollore dhe shkollore”, tha Aliu.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës punon për krijimin e klimës shkollore në të cilën të gjithë nxënësit ndihen të pranuar dhe të mbështetur, për çka në shkollë realizohen programe për mbrojtje nga dhuna dhe diskriminimi, për rritjen dhe zhvillimin personal, për ndihmë dhe mbështetjen e nxënësve të grupeve të rrezikuara sociale dhe përpiqet për përfshirjen maksimale të tyre në jetën shkollore. Në këto aktivitete, përveç mësimdhënësve, rol të rëndësishëm kanë edhe bashkëpunëtorët profesional në shkollë.

Zëvendësministri theksoi se Ligji për Arsimin Fillor, nga viti 2019, është rregulluar që punonjësit në shkollat fillore kanë për detyrë të promovojnë barazinë ndërmjet të gjithë nxënësve dhe të kundërshtojnë në mënyrë aktive të gjitha format e diskriminimit dhe dhunës.

“Shkollat janë të obliguara që në programet vjetore të punës të planifikojnë programe për promovimin e mirëqenies së nxënësve, mbrojtjen nga dhuna, keqpërdorimi dhe braktsija, parandalimi i diskriminimit. Aktivitetet do të realizohen përmes aktiviteteve të ndryshme

mësimore dhe jashtë mësimore dhe në to përfshihen nxënësit, punonjësit, prindërit, përkatësisht kujdestarët e fëmijëve në bashkëpunim me komunat, në përputhje me nevojat e përcaktuara nga këshilli i shkollës, këshilli i komunës ose Shërbimi Pedagogjik. Ligji i imponon drejtorit të shkollës ta paraqet çdo formë të dhunës, keqpërdorimit ose mospërfillje të kryer ndaj një nxënësit nga një nxënës tjetër, prindi gjegjësisht kujdestari, mësimdhënësi, bashkëpunëtor profesional ose çfarëdo person tjetër që është i punësuar në shkollë, në institucionet kompetente të përcaktuara me ligj” tregoi zëvendësministri.

Duke përfunduar se në ndërtimin e shoqërisë së lirë nga diskriminimi, dhuna nga bashkëmoshatarët dhe gjuhën e urrejtjes të gjithë mund të kontribuojmë, Aliu tha se hulumtimi në këto efekte anësore e ngritin vetëdijen për problemin dhe është alarm i fuqishëm se të gjithë duhet të qëndrojmë personalisht në frontin për shfrytëzimin ndërsa jo për shkatërrimin e potencialit të çdo fëmije.