Akuza për gjenocid, Ukraina thotë se vrasjet në Buça ishin të qëllimshme

Zyrtarët ukrainas e kanë akuzuar Rusinë për “gjenocid” në Buça, që gjendet në periferi të Kievit, teksa autoritetet lokale kanë thënë se afër 300 banorë janë vrarë gjatë kohës kur Buça ishte nën kontrollin e forcave ruse.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba ka thënë se “masakra në Buça ishte e qëllimshme”.

Një vullnetar inspekton trupin e një personi të vrarë, ndërsa sulmi rus ndaj Ukrainës vazhdon, në një rrugë në qytetin Bucha, në rajonin e Kievit, Ukrainë, 1 prill 2022/ REUTERS

Ndërkaq, kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, i tha gazetës gjermane, Bild, se “ajo çfarë ndodhi në Buça dhe në pjesë të tjera në periferi të Kievit mund të përshkruhet me termin gjenocid”. Ai tha se presidenti rus, Vladimir Putin, ishte përgjegjësi i vetëm për këto krime.

Ndërkaq, Human Right Watch ka thënë se ka “dokumentuar disa raste ku ushtria ruse ka kryer shkelje të ligjit të luftës kundër civilëve në zonat e okupuara të Çernihivit, Harkivit dhe rajonit të Kievit në Ukrainë”.

Trupi i një gruaje, e cila u vra nga ushtarët e ushtrisë ruse, shtrihet në rrugë, mes pushtimit rus të Ukrainës, në Bucha, në rajonin e Kievit, 2 Prill 2022/ REUTERS

Kjo organizatë, tha se më 4 mars, forcat ruse në Buça kishin qëlluar me armë zjarri prapa koke të paktën një person.

Kryetari i Buçës, Anatoly Fedoruk, tha më 2 prill se afër 300 banorë lokalë janë vrarë në kohën kur ky qytet ishte nën okupimin e forcave ruse. Afër 280 dyshohet se janë varrosur në një varrezë masive, ndërkaq trupat e viktimave të tjera janë lënë në rrugët e këtij qyteti.

Një grua vendase ecën përgjatë një rruge të zbrazët, ndërsa sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës vazhdon, në qytetin Bucha, në rajonin e Kievit, Ukrainë, 1 prill 2022/ REUTERS

Edhe zyrtarë të Bashkimit Evropian dhe të Mbretërisë së Bashkuar kanë reaguar pas pamjeve të publikuara nga Buça, duke thënë se forcat ruse kanë kryer mizori. BE-ja ka paralajmëruar sanksione të reja ndaj Moskës, ndërkaq Mbretëria e Bashkuar ka thënë se do ta ndihmojë Ukrainën që të dokumentojë krimet e kryera nga forcat ruse. /REL

Banorët vendas qëndrojnë pranë një tanku rus, ndërsa sulmi rus ndaj Ukrainës vazhdon, në fshatin Nova Basan, në rajonin Chernihiv, Ukrainë, 1 prill 2022/ REUTERS
Një trup i një civili, i cili sipas banorëve u vra nga ushtarët e ushtrisë ruse dhe më pas u varros së bashku me të tjerët në një varr, në Bucha, në rajonin e Kievit, Ukrainë, 2 prill 2022/ REUTERS