Aksion i tensionuar në Kriva Pallankë/ Konfiskohen lopët që lëviznin të lira, pronarët bëjnë rezistencë
Kriva Pallankë, 25 shkurt – Një aksion i tensionuar është zhvilluar në Kriva Pallankë për kapjen dhe sekuestrimin e gjedheve që prej vitesh lëvizin të lira nëpër qytet dhe rrethinë. Në terren kanë zbritur inspektorë të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, forca të shumta policore, ndërsa situata është monitoruar edhe nga ajri përmes dronëve.
Gjatë aksionit, ekipet që dolën për të kapur kafshët u penguan vazhdimisht nga pronarët, të cilët madje tentuan t’i dëbonin gjedhet drejt malit për të shmangur kapjen e tyre. Kjo nuk është hera e parë që autoritetet hasin në rezistencë; për shkak të pengimit të aksioneve të kaluara, pronarët ishin mbajtur në paraburgim, por aktualisht mbrohen në liri.
Pronari i gjedheve, Goce Gjorgjievski, deklaroi se nuk kërkon konflikt me institucionet, por ankohet se prej pesë-gjashtë vitesh i është ndaluar shitja e kafshëve.
“Kafshët shtohen çdo vit dhe ky është problemi. Ne kërkojmë të na mundësohet shitja e një pjese të tyre që të shpërblejmë mundin tonë 30-vjeçar dhe të mbajmë vetëm aq sa mund të kujdesemi,” u shpreh Gjorgjievski.
AUV ka arritur të kapë rreth 20 krerë gjedhe, një pjesë e të cilave u ngarkuan pranë pishinës së qytetit, pavarësisht se pronarët tentuan të bllokonin hyrjen duke parkuar automjete para portave.
Nga ana tjetër, banorët e fshatrave përreth thonë se durimi i tyre është konsumuar, pasi gjedhet e lëna pa mbikëqyrje u kanë shkatërruar të mbjellat për vite me radhë. Ata gjithashtu akuzojnë familjen e pronarëve për kërcënime dhe kanë paralajmëruar një protestë për ditën e nesërme para ndërtesës së komunës.

