Akademia e Filmit nis hetimet për rastin e Smithit, thuhet se “Oscars” menduan përjashtimin e tij menjëherë pas skandalit

Grupi që shpërndau çmimet “Oscars” të hënën dënoi shuplakën e aktorit Will Smith ndaj kolegut të tij Chris Rock në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Oscars” të së dielës mbrëma dhe tha se kishte filluar një rishikim zyrtar të incidentit që hodhi hije mbi nderimet e filmit.

Smith u ngjit në skenë gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë televiziv dhe goditi Rockun në fytyrë pasi aktori i komedisë bëri një shaka për pamjen e jashtme të gruas së Smithit. Më pak se një orë më vonë, Smith fitoi çmimin ‘Aktori më i mirë’ për rolin e tij në “King Richard”.

Në një deklaratë të hënën, Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit prej 9900 anëtarësh tha se “dënon veprimet e zotit Smith në shfaqjen e mbrëmshme”, shkruan Reuters.

“Ne kemi filluar zyrtarisht një shqyrtim zyrtar rreth incidentit dhe do të shqyrtojmë veprimet dhe pasojat e mëtejshme në përputhje me aktet nënligjore, standardet e sjelljes dhe ligjin e Kalifornisë”, tha Akademia e Filmit në një deklaratë.

Politika e standardeve të sjelljes së aktorëve në “Oscars” thotë se është “kategorikisht kundër çdo forme abuzimi, ngacmimi ose diskriminimi” dhe pret që anëtarët të mbështesin vlera “të respektit për dinjitetin njerëzor, përfshirjen dhe një mjedis mbështetës që nxit kreativitetin”.

Shkeljet mund të rezultojnë në pezullim ose përjashtim nga “Oscars”, revokimin e çmimeve “Oscar” ose humbje të përshtatshmërisë për çmime të ardhshme, sipas politikës.

Teksa pranoi trofeun ‘Aktori më i mirë’, Smith i kërkoi falje akademisë dhe kolegëve të nominuar, por jo Rockut dhe tha se shpresonte se do të ftohej përsëri në “Oscars”.

Është e rrallë, por jo e paprecedentë që akademia e filmit të revokojë anëtarësimin. Producenti Harvey Weinstein u përjashtua në vitin 2017 pasi shumë gra e akuzuan atë për sulm seksual. Bill Cosby dhe Roman Polanski u përjashtuan në vitin 2018.

Cosby u dënua për drogë dhe sulm seksual të një gruaje në vitin 2004, megjithëse një gjykatës më vonë e hodhi poshtë dënimin.

Polanski pranoi se kishte bërë seks të paligjshëm me një vajzë 13-vjeçare.

Prodhuesit e “Oscars” kishin shpresuar për një natë të paharrueshme të dielën për t’u rikuperuar nga vlerësimet rekord të ulëta vitin e kaluar gjatë pandemisë COVID-19. Ata sollën në skenë tri prezantuese, hapën shfaqjen me Beyoncen dhe u përpoqën ta mbanin në lëvizje shfaqjen duke redaktuar disa fjalime.

Por ishte shpërthimi i Smithit ai që u bë momenti më i përfolur i natës, me fotografi dhe video që shpërndaheshin nëpër rrjetet sociale.

Shikueshmëria televizive u rrit ndjeshëm nga viti i kaluar, në një mesatare prej 15.36 milionë njerëz, sipas vlerësimeve paraprake. Kjo përfaqësonte një rritje prej 56 për qind nga viti 2021.

Filmi “CODA” fitoi çmimin kryesor të mbrëmjes si ‘Filmi më i mirë i vitit’.

New York Times, duke cituar dy zyrtarë anonimë të industrisë, tha se kishte diskutime serioze rreth largimit të Smithit nga Teatri “Dolby” pas sulmit të tij nda Rockut.

“Por koha ishte e shkurtër, sepse rasha për çmimin ‘Aktori më i mirë’ po afrohej me shpejtësi”, tha një nga burimet për gazetën, dhe palët e interesuara kishin mendime të ndryshme se si të vazhdonin.

Shumë të famshëm të Hollywoodit dënuan veprimet e aktorit Smith.

“Will Smith i detyrohet Chris Rock një falje të madhe. Nuk ka asnjë justifikim për atë që ai bëri”, tha regjisori Rob Reiner në Twitter.

Të tjerë e mbështetën Smithin për mbrojtjen e gruas së tij.

“Kjo është ajo që duhet të bëjë burri juaj, apo jo? Të mbrosh”, tha aktorja e komedisë Tiffany Haddish për revistën People.