Abazoviq: SBBA dhe BE po ndalojnë ndikimin negativ në Ballkan

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka thënë se në vizitën e tij zyrtare në ShBA – sa ishte zëvendëskryeministër i qeverisë së kaluar – ishte paralajmëruar që diçka do të ndodhte mes Ukrainës dhe Rusisë.

Ai, në një intervistë ekskluzive në “Rubikon” të Klan Kosovës, ka thënë se u kuptua po ashtu se kjo do të ishte mundësia që Mali i Zi të kthehej kah Perëndimi dhe të mos e lejonte ndikimin e mundshëm rus përmes strukturave të ndryshme.

“Çështja e Ukrainës kur kemi qenë në biseda në ShBA para Vitit të Ri, në vizitë zyrtare, atëherë ka qenë e qartë se diçka do të ndodhë në zonën e Evropës, fillimisht në kufirin mes Ukrainës dhe Rusisë. Në atë moment unë s’e kam pasë informatën se do të jetë një agresion dhe një luftë, por ka qenë e qartë se do të shkohet në konflikt dhe ka treguar mundësi që Mali i Zi të pozicionohet ndaj Perëndimit që të mos ketë influencë negative në rast se vjen deri te një konflikt. Këtë gjë e kemi pasë parasysh”.

Abazoviq nuk e pranon hapur, por thotë se ka mendime që dy partitë me të cilët ka qenë në koalicion mund të lejonin infiltrim të agjendës ruse.

Megjithatë, ai e pranon se ka struktura rusofile dhe serbofile që kanë pasë ndikim në qeverinë e kaluar e për të cilat thotë se ishin shtyrja më e madhe që të krijohet një qeveri e re me frymë krejtësisht evropiane.

“Mali i Zi vendin e ka në Perëndim, por ka struktura që ende janë rusofile dhe serbofile dhe në atë mënyrë nuk do të ishte mirë të pritej një konflikt që do të ndodhë me një influencë tepër të madhe në qeveri. Kjo gjë ka qenë edhe një shtyrje që të krijohet një qeveri e re me një frymë 100% evropiane. Është sfidë e madhe për mua dhe qeverinë, por jam i bindur se kursi i Malit të Zi nuk do të ndryshohet dhe ne do të vijmë deri te situata ku mbi 80% e popullatës absolutisht e përkrah një politikë pro Perëndimit”.

Madje, kryeministri i Malit të Zi deklaron se qeveria e tij u pa si shpëtim nga ShBA-ja dhe BE-ja të cilat donin që ta ndalnin ndikimin negativ në Ballkan.

“Jam shumë i kënaqur me përkrahjen e cila vjen prej strukturave të ndryshme ndërkombëtare dhe i befasuar pozitivisht. Dilema ishte që të mos lejohej që në Ballkan të vinte deri në një situatë e cila ka qenë para 10 ose 15 vitesh ose ku ndikimet negative mund të marrin hov. Në atë mënyrë ata e kanë parë si një shpëtim në qeverinë e re dhe përkrahja e tyre sigurisht duhet shfrytëzuar në mënyrën më të mirë”.

“Ky entuziazëm që ekziston në këtë moment ka me u rrit nëse ne marrim disa vendime të cilat qeveria e kaluar nuk ka arritur t’i marrë. Ky entuziazëm do të jetë i kotë nëse ne nuk do të arrijmë të sjellim disa vendime të cilat janë shumë të rëndësishme për shtetin e Malit të Zi. Unë jam optimist dhe mendoj se pa përkrahje të madhe ndërkombëtare, jo ndërhyrje, nuk mund të realizohen disa gjëra të cilat kanë të bëjnë me vite”.