Abazoviq flet para votimit: Jam krenar për gjithcka që kam bërë si zëvendëskryeministër

Derisa debati ka përfunduar, i mandatuari për kryeministër të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka dhënë fjalimin përfundimtar.

Ai iu përgjigj disa deklaratave të deputetëve, raporton Vijesti.

“U theksuan disa gjëra. Unë kam qenë zëvendëskryeministër i Qeverisë së 42-të dhe jam krenar për gjithçka që kam bërë në një vit e gjysmë. Dhe do të përsërisja shumicën e gjërave që i kam bërë po të isha në situatë të njëjtë. Tri herë kam marrë vendime të vështira, por të sakta”.

Ai tha se 30 gushti 2020 është një datë shumë e rëndësishme në histori, sepse më pas vërtetoi se vota në Mal të Zi vlen diçka dhe se “ndryshimi i qeverisë nuk është makth”.

“Siç e zëvendësuam atë të mëparshmen, shpresoj që ta heqim qeverinë e 43-të në një atmosferë shumë më të mirë”, deklaroi ai në fjalimin përfundimtar para se të votohet për qeverinë e re.