A po turbullohet uji brenda Qeverisë, Kovaçevski e quan të “vizatuar” anketën që e nxjerr BDI-në në përparësi?

Shkup, 25 dhjetor – Maratona parazgjedhore në Maqedoninë e Veriut po fillon me mjaft zhvillime interesante. Tani kur jemi futur në gjashtëmujorin parazgjedhor, fushata është në vlugun e saj, ani pse zyrtarsisht fushatë arazgjedhore kemi vetëm 20 ditë para zgjedhjeve. Aktivitetet që zhvillohen në teren jo që janë intensive, por janë edhe karakteristike në esencë, nëse i krahasojmë me zgjedhjet e mëhershme dhe fushatat që janë zhvilluar para atyre fushatave, shkruan Zhurnal. Tani partitë fillonë gjithnjë e më tepër të shohin interesin e tyre, e jo interesin e partnerëve, e kjo si duket po vlen veçmas për partitë e koalicionit qeveritar. E këtë koalicion, së fundmi e kanë trazuar anketat e realizuara për rejtingjet e partive politike dhe liderëve të tyre. Kështu një anketë e porositur nga portali Mkd.mk, ka ngjallur emocione të ndryshme tek partnerët qeveritarë.

Përderisa në mesin e udhëheqësve dhe simpatizantëve të BDI-së kjo anketë është pritur me ekzaltim, njësoj si tek VMRO-DPMNE, sepse i nxjerr bindshëm në përparësi, krejtësisht ndryshe është pritur anketa tek udhëehqësia dhe simpatizuesit e LSDM-së. Të pakënaqur nga rejtingu që kanë, duke dalur në vend të tretë edhe tek rejtingu partiak edhe tek rejtingu i kryetarit të LSDM-së (kryeministrit) Dimitar Kovaçevski, kjo parti ka shpejtuar ta quaj anketën të “vizatuar” prej VMRO-DPMNE-së. Madje këtë vlerësim të anketës e ka bë vetë kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski.

Kryeministri mohon edhe rezultatet qeveritare të BDI-së para vitit 2016!

“Unë e di se në VMRO-DPMNE kanë anketë në të cilën 80 për qind e qytetarëve nuk mund të njohin se çka është politika e VMRO-DPMNE-së sa i përket interesit të qytetarëve. Ata nuk e tregojnë këtë (anketë, v.j.) prandaj e kanë patjetër t’i largojnë ato anketa, që të bëjnë tjera, t’i vizatojnë vetë që të ju ecë dita mirë kur do të zhduken 10 ditë kur të shohin se rezultatet ekonomike janë më të mira”, tha Kovaçevski, për të shtuar se “faktet tregojnë se LSDM ka disa herë rezultat më të mirë dhe atë në të gjitha sferat”. “Nëse flasim me fakte, atëherë rroga mesatare është rritur për 50 për qind, rroga minimae për 100 për qind. Nëse në vitin 2016 kanë qenë të nevojshme katër rroga e gjysëm për një shportë konsumatori, sot nevojiten dy rroga minimale për mbulimin e një shporte konsumatori, këto janë fakte. Nëse flasim për pensionet është fakt se pensioni minimal tani është 50 për qind më i lartë se ajo në vitin 2016. Nëse flasim për papunësinë, në vitin 2016 papunësia ka qenë 24 për qind, sot papunësia është 13 për qind, vitin e ardhshëm do të ulet për 2 për qind. Në vitin 2025 ne për herë të parë në dekadat e fundit do të kemi shifër njëshifrore të papunësisë dhe këto janë fakte që nuk mund të mohohen me populizëm dhe me kumtesa të rrejshme”, tha Kovaçevski.

Kjo deklaratë e Kovaçevskit gjithsesi u bën përshtypje njohësve të rrethanave, sepse ai mohon në mënyrë të qartë një anketë që nxjerr në përparësi edhe partnerin e tij të koalicionit, BDI-në, e cila ishte aq e mirëseardhur për partinë e Ali Ahmetit në kohën kur Vetëvendosja iu bashkangjit opozitës shqipatre në Maqedoninë e Veriut. Në kohën kur çdo deklaratë është mirë e analizuar dhe e përgatitur nga PiAr-i partiak është e pabesueshme se Kovaçevski të ketë bë ndonjë lëshim të paqëllimshëm, por si duket deklarata e tij qartë ka qenë e dedikuar për të goditur edhe VMRO-në edhe BDI-në. Përndryshe ai ka mundur të distancohet nga këto anketa, siç kanë bërë liderë partiakë edhe në të kaluarën kur nuk u ka konvenuar ndonjë anketë, me frazat “anketa më e mirë do të jetë në ditën e votimit”, ose duke mos e komenntuar fare me arsyetim se “vullneti i popullit i shprehur në zgjedhje është annketa më e mirë”.

Deri sa për rejtingun e VMRO-DPMNE-në është i kuptueshëm regaimi i Kovaçevskit, dilemat ekzistojnë për BDI-në, aq më tepër që edhe krahasimet ekonomike ai i bën me periudhën para vitit 2016, kur edhe BDI ishte pjesë e pushtetit. Athu kjo paraqet paralajmërim se edhe partnerët e koalicionit LSDM dhe BDI do të fillojnë të goditen me “bërryla” mes veti dhe deri ku mund të shkojë kjo goditje me “bërryla”? Deri tani raportet mes tyre kanë qenë korrekte, por e theksuam edhe më lart se në fazën e fundit të fushatës, që lirisht mund ta konsiderojmë edhe periudhën e tanishme, secili e shikon më parë interesin e vetë se të partnerit, shkruan Zhurnal.

Çka tregon “anketa e vizatuar”?

Anketa e dhjetorit e MKD.mk, që e ka realizuar agjencia Market Vision, krahasuar me ato të mëparshmet, tregon se numri i qytetarëve që do të dilnin për të votuar në zgjedhjet e ardhshme është në rritje. Dhe ky sondazh konfirmoi trendin në rritje të popullaritetit të VMRO-DPMNE-së dhe liderit të saj Hristijan Mickoski dhe rënien e LSDM-së. Në mesin e të anketuarve filloi të shfaqet partia e re politike e Maksim Dimitrievskit, transmeton Zhurnal.mk.
Në pyetjen se “në cilin lider politik keni më shumë besim”, 12,95 për qind e të anketuarve kanë thënë se Hristijan Mickoski, 6.65% e tyre kanë zgjedhur kreun e BDI Ali Ahmetin, vetëm 4.25% e votuesve kanë besim te kryeministri aktual dhe kryetari i LSDM-së Dimitar Kovaçevski, 3.5% kanë besim te Dimitar Apasiev.

Për herë të parë emri i Maksim Dimitrievskit, kryetarit të partisë së re politike Znam del në anketa me 2,1 për qind besim. Më shumë se gjysma e të anketuarve deklaruan se nuk i besojnë asnjë lideri politik.
Ndër liderët, sipas anketave të MKD.mk në shkurt, qershor, shtator dhe dhjetor, rritja e popullaritetit të Mickoskit (nga 11 në 13%), rënia e Kovaçevskit (nga 8,2 në 4,3 për qind) dhe Apasiev ( nga 4 në 3,5 për qind. %), dhe stabiliteti i popullaritetit të Ali Ahmetit rreth 6 për qind. Se cila parti janë të bindur qytetarët se do t’i fitojë zgjedhjet e ardhshme, 16,35 për qind e të anketuarve mendojnë se është VMRO-DPMNE, 5,95 për qind janë të bindur për fitoren e BDI-së, ndërsa 5,65 për qind kanë vendosur për LSDM-në.

Trendi i partive të atyre të anketuarve që deklaruan se do të votojnë, në krahasim me anketat e mëparshme në MKD.mk, tregon rritje të madhe të vendosmërisë së votuesve për VMRO-DPMNE – nga 21,8% në shkurt 2023 në 26,7% në dhjetor. Me LSDM-në, popullariteti në mesin e të anketuarve që kanë vendosur është në rënie – nga 12,4% në shkurt në 9,2% në dhjetor. Rënie e popullaritetit në mesin e njerëzve të caktuar është regjistruar edhe tek Levica – nga 7,1 për qind në shtator të këtij viti, në 6,6 për qind në dhjetor.

Më shumë se 60 për qind e të anketuarve thanë se do të votojnë në zgjedhjet e ardhshme. Dhe këtu bie në sy trendi i interesimit të qytetarëve për të votuar. Në qershor, kjo shifër ishte 56,8%, shtator 52,2% dhe dhjetor 61,2%.
Anketa është kryer nga data 8 deri më 15 dhjetor duke përdorur metodën CATI – anketë telefonike me kompjuter me 1067 të anketuarve me një interval besimi prej 95% dhe një marzh gabimi +-3%. Mostra është përfaqësuese në nivel të Maqedonisë sipas: rajonit, gjinisë, moshës dhe përkatësisë etnike sipas të dhënave për popullsinë rezidente nga regjistrimi i vitit 2021./Zhurnal