A janë përkeqësuar marrëdhëniet mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë?

Shkup, 22 prill – Samiti i qershorit po afrohet, një marrëveshje mes RMV-së dhe Bullgarisë ishte përafruar mjaft, mirëpo në momentet e fundit nga Shkupi dhe Sofja ishin kapur persona në institucione të cilët punonin për përkeqësimin e marrëdhënieve dhe kundër arritjes së një marrëveshjeje të mundshme mes dy shteteve. Së fundmi presidenti Radev ka akuzuar politikanët maqedonas se po ndërtojnë identitet me baza të falsifikuara, shkruan Zhurnal.

“Përpjekjet e politikanëve në Maqedoninë e Veriut për të ndërtuar identitet bazuar në falsifikime, në vend të fakteve historike, janë kundër interesave të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut të cilët duan anëtarësim në BE”, deklaroi Radev.

Presidenti bullgar ka pasur përplasje edhe me presidentin Pendarovski për ngjarjet e javës së kaluar dhe emërtimit të Qendrës Kulturore Bullgare në Manastir me emrin e revolucionarit Ivan Mihajlov.

Rumen Radev, duke iu përgjigjur akuzave për lidhjet e Ivan Mihajllovit me fashizmin, thotë se Mihajllov në fakt i ka thënë ‘Jo’ Hitlerit për nxitjen e luftës vëllavrasëse ndërmjet maqedonasve dhe bullgarëve. Radev madje akuzon se pikërisht në Maqedoninë e atëhershme dhjetëra mijëra bullgarë janë dërguar nëpër kampe fashiste të përqendrimit.

“Nëse flasim për fashizëm, duhet të jetë e qartë se Ivan Mihajllov është njeriu i cili e ka refuzuar Hitlerin për përfshirjen e Maqedonisë në luftën vëllavrasëse me Bullgarinë. Jo Ivan Mihajllovi, por njerëz tjerë, pas vendosjes së diktaturës jugosllovene në Maqedoni, vranë dhe dërguan dhjetëra mijëra bullgarë nëpër kampe përqendrimi, vetëm për shkak se vendosën të vazhdojnë të quhen bullgarë. Ky është fashizmi i vërtetë”, ka thënë Radev.

Ndërkohë ndaj këtij reagimi është përgjigjur presidenti maqedonas Stevo Pendarovski, i cili deklaratat e Radevit i ka quajtur gënjeshtra për qëllime politike.

“Nuk ekziston asnjë burim relevant i cili do të konfirmonte se 10 mijë njerëz janë vrarë në kampe përqëndrimi në Maqedoni në atë kohë. Asnjë burim, as në historiografinë bullgare, as maqedonase, as botërore. Numri prej 10 mijë gjoja të vrarëve është gënjeshtër. Praktikisht konstruksion i pastërt për qëllime politike”, është përgjigjur Pendarovski.

Për kryeministrin Dimitar Kovaçevski nga ana tjetër, emërtimi i klubit të bullgarëve të Maqedonisë së Veriut me emrin Ivan Mihajllov paraqet provokim të rëndë dhe nuk ndihmon dialogun mes dy vendeve.

“Ajo ngjarje paraqet provokim sepse i ngjall shpirtrat e së kaluarës, pasi bëhet fjalë për personazh që ka qenë bashkëpunëtor i Gjermanisë së Hitlerit dhe Italisë së Musolinit dhe si i tillë aspak nuk mund të kontribuojë si urë për ardhmërinë dhe miqësinë mes dy popujve dhe si urë për rrugën evropiane të shtetit. Kjo ngjarje mund të jetë vetëm provokim që nuk shkon në drejtim të përmirësimit të marrëdhënieve dhe finalizimit të dialogut me marrëveshje të përbashkët”, ka deklaruar Kovaçevski.

Klubi “Ivan Mihajllov” u hap javën e kaluar në Manastir, në prezencën e kryeministrit bullgar Kiril Petkov, zv/presidentes dhe ministres së jashtme të Bullgarisë. Asnjë përfaqësues i Qeverisë nuk mori pjesë në hapjen e klubit, pikërisht për shkak të figurës kontestuese të Ivan Mihajllovit. Delegacioni bullgar u prit me protesta nga disa banorë lokal.

Kujtojmë se, pengesa më e madhe për mos marrjen e datës për fillim të negociatave me BE-në për Maqedoninë e Veriut është shteti Bullgar.

Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat Bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. /Zhurnal.mk