A mund të kthehen vizat për kosovarët ende pa u hequr?

Prishtinë, 17 tetor – Presidenti francez Emmanuel Macron, gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin Edi Rama në Tiranë ka dhënë disa mesazhe edhe për Kosovën. Veçanërisht bujë ka bë qëndrimi i tij lidhur me mundësinë që të mos hiqen vizat për qytetarët e Kosovës nga 1 janari 2024. “Ne u kemi besuar për çështjen e vizave. Çështja është pezulluar nga ana e Francës sepse ka të bëjë me respektin e fjalës së dhënë dhe fjala nuk po mbahet. Pres që të angazhohen të dyja palët që të ecim përpara në javët e ardhshme. Është kusht i paqes në të gjithë zonën”, u shpreh Macron.

Kjo nuk është hera e parë që Franca bën paralajmërim për Kosovën me çështjen e vizave. Më herët, kur u përshkallëzuan tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, Macron paralajmëroi se vendi i tij do t’i rishikojë zotimet që i ka bërë për çështje ekonomike dhe politika të vizave për dy vendet, nëse nuk sillen me përgjegjësi. Përsëritja e këtij qëndrimi edhe pas sulmit terrorist në Banjskë, krijon një përshtypje se pa marë parasysh nëse fajtor për ngecjen e negociatave është Beogradi ose Prishtina, sanskione do të ketë vetëm për qytetarët e Kosovës. Dihet se ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian u pajtuan më 30 nëntor të vitit të kaluar për t’i dhënë mandatin Këshillit Evropian që të negociojë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën me Parlamentin Evropian. Më pas, u vendos që lëvizja pa viza për kosovarët të mundësohej nga 1 janari i vitit 2024.

“Kurthi” i Ramës!!!

Për momentin është vështirë të definohet qëndrimi i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Në njërën anë kemi përkrahësit e tij, në anën tjetër kundërshtarët që gravitojnë rreth kryeministrit kosovar, Albin Kurti.
Sidoqoftë, edhe për opinionistët e pavarur duket e tepruar që Rama shpeshherë preferon që fajtorin ta kërkojë në Prishtinë. Edhe po të ishte vërtetë Kosova fajtore deri në atë nivel, kryeminisri i shtetit shqiptar duhet të jetë më i kujdesshëm, e lëre më kur drejtësia është në anën e Kosovës. Aq më pak, kaq i zhurmshëm në kritika nuk duhet të jetë një kryeministër i cili vazhdimisht kërkonte mirëkuptimin e bashkësisë ndërkombëtare për qëndrimin e Serbisë të mos vendosë sanskione ndaj Rusisë, vendi që po kryen një agresion të egër ndaj Ukrianës fqinje, shkruan Zhurnal.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se me presidentin francez Emmanuel Macron, Shqipëria do të mbështesë një proces evropianizimi me vepra dhe jo me fjalë. Rama në një konferencë për media tha se Kosova ka në tavolinë planin franko-gjerman, të cilin sipas tij nuk duhet ta refuzojë por ta nënshkruajë e vetme. Ai gjithashtu theksoi se sot Kosova është futur vetë në një kurth që ia ka bërë vetes, por s’ka qenë kurrë më mirë.

“Por do të ishte dramatike të humbiste një të drejtë më në fund për të lëvizur lirisht në BE. Ndërkohë të dyja palët kanë në tavolinë një plan franko-gjerman që është gjëja më e mirë që mund t’i ndodhë Kosovës. Por kjo marrëveshje që është sot në tavolinë, nëse nuk e firmos nuk kthehet më. Dhe sa më shumë që do të tentoni të bëni marrëveshje, aq më të këqija do të jenë marrëveshjet. E sot unë po ju them ‘shikoni ku është Palestina’. Unë jam i bindur që e mira e madhe e Kosovës është jo që të ulet në tavolinë, por të firmosë të gjithë marrëveshjen edhe sikur Serbia të mos e dojë kurrë, dhe më pas t’ja lërë në dorë BE-së. Sepse e bën për veten e vet, paqja bëhet për vete, ajo bëhet me armikun nuk bëhet me mikun. Nuk mund të flasësh në telefon me mikun që t’i thotë armikut”, tha Rama. Për këtë arsye nuk tingëllon shumë i sinqertë Rama kur thotë se: “Më rrëqethet mishi kur mendoj që mund të ketë një ndalesë të procesit të liberalizimit të vizave. Por, nga ana tjetër nuk mund ta kërkojmë te presidenti Francës, por tek vetja”.

Gjermania duket e vendosur për të hequr vizat

Përballë qëndrimit të Francës për të shfrytëzuar vizat si mjet indirekt presioni në dialog, kemi qëndrimin e prerë të Gjermanisë që qytetarët e Kosovës prej 1 janarit 2024 të udhëtojnë pa viza në BE. Kjo ëshhtë theksuar në shumë raste, por e theksoi edhe deputeti dhe kreu i komisionit parlamentar gjerman për punë të jashtme Michael Roth gjatë një bashkëbisedimi me gazetarë në Prishtinë, në vizitën e tij të fundit në Kosovë. Duke e komentuar deklaratën e (parë) të Presidentit të Francës Emannuel Macron i cili heqjen e vizave e lidhi me procesin e dialogut, duke e lënë të hapur mundësinë që ato të liberalizohen, Roth ka thënë se tani është koha që udhëtimi i kosovarëve të ndodhë.

“Jam i bindur se tani është koha për liberalizimn e vizave për njerëzit këtu në Kosovë. Suspendimi nuk është ide e mençur dhe e mirë. Nuk e di nëse kjo çështje, një çështje kundërthënëse dhe e ndjeshme ndërmjet dy qeverive (Francës e Gjermanisë), por i jam mirënjohës Kancelarit dhe Presidentit francez që morën përgjegjësi dhe zotim personal për t’i zgjidhur problemet në terren” ka thënë Roth.

Duke folur rreth çështjes së liberalizimit, Roth ka thënë se BE i ka zhgënjyer kosovarët.

“E di që shumë njerëz këtu në Kosovë janë të zhgënjyer dhe kanë humbur durimin sepse BE jo gjithmonë ka luajtur një rol të drejtë kur është fjala për Kosovën. Vetëm sa për ta ilustruar me një shembull, liberalizimi i vizave. Ka qenë shumë e padrejtë dhe shpreh keqardhje për këtë, që njerëzit në këtë vend është dashur të presin kaq gjatë për liberalizimin e vizave, pavarësisht faktit se Kosova i kishte përmbushur kushtet dhe kriteret shumë vitë më parë. Dhe kjo është arsyeja që shumë njerëz në këtë vend nuk i besojnë BE’së, nuk na besojnë ne” ka thënë Roth.

Ndërkohë edhe nga kabineti i presidentit francez kan zbutur qëndrimin. Zyra e shtypit e Presidentit Macron ka sqaruar për ABC Neës, se vendimi i Francës do të diskutohej me partnerët e tjerë evropianë, dhe vinte si pasojë e “bllokadës së Kosovës”.

Procedurat për rikthim të vizave

Disa burime diplomatike brenda Bashkimit Evropian (BE) kanë sqaruar se nuk ka mundësi që një shtet në mënyrë të njëanshme ta pezullojë liberalizim e vizave për një shtet tjetër dhe se kjo mund të bëhet vetëm përmes një rregulloreje nga Këshilli i BE-së, pas një deklarate të presidentit të Francës, Emmanuel Macron, që shkaktoi huti në Kosovë të martën. Përderisa për shumë media në Kosovë Macroni “kërcënoi” me pezullimin e vizave për Kosovën kur tha të martën në Tiranë se “ne kemi bërë një gjest besimi për çështjen e vizave. Sa i përket Francës, ato [vizat] janë hequr sepse ne respektojmë fjalën e dhënë. E sot, fjala nuk po mbahet”, por burime brenda bllokut evropian thanë se Franca s’e ka bërë një kërkesë të tillë.

Burime nga Brukseli thanë për Radion Evropa e Lirë të martën se pezullimi është i mundshëm vetëm përmes procedurave në Këshillin e BE-së “duke e përdorur rregulloren për mekanizmin e suspendimit të vizave“ nga viti 2018. “Franca, e as ndonjë shtet tjetër anëtarë i BE-së, për momentin nuk ka propozuar suspendimin e vizave për Kosovën, apo për Serbinë. Por, nëse do të ketë interes politikë, ajo mund edhe ta bëjë këtë“, ka thënë një burim i Bashkimit Evropian.

Në prill të këtij viti, vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën u miratua edhe formalisht nga BE-ja dhe u botua në gazetën zyrtare të Bashkimit Evropian po të njëjtin muaj. Nga 1 janar i viti 2024 qytetarët e Kosovës pritet të udhëtojnë pa viza në 27 vende të BE-së, të cilat e përbëjnë të ashtuquajturën zonë Shengen. Për ta pezulluar këtë vendim duhet të merret një vendim tjetër nga Këshilli i BE-së. Kjo mund të bëhet me kërkesë ose nga Komisioni Evropian ose nga ndonjë shtet anëtarë. Pastaj, vendet anëtare të Këshillit mund të votojnë për pezullimin e mundshëm.

Janë katër skenarë kur Mekanizmi i pezullimit të vizave do të aktivizohej:

  1. Në rast të rritjes së konsiderueshme – mbi 50% – të migrimit të parregullt.
  2. Në rast të rritjes së konsiderueshme – mbi 50% – të kërkesave për azil me shkallë të ulët pranimi, rreth 3-4%.
  3. Në rast të rënies së bashkëpunimit për riatdhesimin e shtetasve që përjashtohen nga BE-ja, si rezultat i qëndrimit të parregullt.
  4. Në rast të rrezikut të shtuar për sigurinë e shteteve anëtare të BE-së, veçanërisht për vepra penale të rënda.

Deri më tash vetëm një herë kishte ndodhur që një shtet anëtar i BE-së të kërkojë pezullimin e liberalizimit të vizave për një vend të rajonit. Më 2019, Holanda kishte kërkuar që të pezullohej liberalizimi i vizave për shtetasit e Republikës së Shqipërisë. Si arsyetim e kishte përmendur rrezikun që shtetasit e Shqipërisë të përfshirë në krim të organizuar në Holandë paraqesin për sigurinë kombëtare të këtij vendi. Por, Komisioni Evropian e kishte hedhur poshtë këtë kërkesë ka raportuar Evropa e Lirë. /Zhurnal