A është ylli në ballë pasi ka rënë në bunar shkak që Afrimi Gashi është pëlqyer nga Mickovski?

Shkup, 21 qershor – Afrim Gashi është politikani i vetëm shqiptar që kreu i partisë nacionaliste e dikur hapur anti-shqiptare, Hristijan Mickovski, e ka për qejfi, madje ai e ka propozuar edhe për kryeministër. Politikani i odave dikur të njohura si “Vatra”, Afrim Gashi, është i pëlqyer nga Mickovski, kjo mes tjerash ngjallë dilema se është i pëlqyer për nga aftësia apo pa aftësia e tij?. Megjithatë, është për të ardhur çudi pasi partinë që e udhëheq Mickovski është partia më anti-shqiptare që ka vepruar përgjatë viteve në vend. Madje, lirshëm mund të thuhet se të gjitha rastet e montuara politike ku viktima ishin shqiptarët kanë ardhur pikërisht nga kjo parti, dhe nga ish kreu i kësaj partie Nikolla Gruevski. Afrim Gashi duke rrëfyer për jetën e tij ka treguar që dy herë e ka shkelur vetura, dhe njëherë ka rënë në bunar dhe është bërë djalë me yll në ballë, athua vallë kanë ndikuar këto raste që ia ka treguar edhe Mickovskit që ky i fundit të krijojë simpati?, shkruan Zhurnal.

Kryetari i VMRO-DMPNE në një intervistë ekskluzive për televizionin shqiptar, Syri.tv, u pyet mes tjerash edhe për bashkëqeverisjen me shqiptarët dhe mundësitë që një ditë vendi i tij të ketë një kryeministër shqiptar. Deklaratat e Mickovskit ishin të papritura rreth kësaj çështje.

“Unë kam propozuar që një shqiptar të jetë kryeministër. Unë i kam ofruar zotit Afrim Gashi që të bëhet kryeministër në një konferencë publike. Asokohe social demokratët dhe BDI vendosën që ta hedhin poshtë propozimin tim dhe çështja kryesore nuk është a pranojmë ne apo jo por përse social demokratët e kundërshtuan propozimin tim? Ndoshta ngaqë Afrim Gashi nuk është pjesë e BDI-së dhe sipas Ali Ahmetit dhe politikanëve të tjerë BDI ka të drejtë të privatizojë interesat e shqiptarëve në vend. Bëni mirë që këto pyetje t’i bëni në një mënyrë tjetër. Përse BDI dhe social demokratët nuk pranuan propozimin tim që Afrim Gashi të bëhej kryeministër?!”, ka thënë Mickovski.

Por, mbetet ende enigmë se cila është arsyeja që Afrim Gashi është politikan i pranueshëm madje i dëshirueshëm për VMRO-në e në veçanti për kreun e saj, Hristijan Mickovski. Çfarë ka bërë Afrim Gashi për Mickovskin ose çfarë nuk ka bërë që është krijuar kjo simpati që krijon çudi. Ekzistojnë përplot dilema, është aftësia apo pa aftësia e tij që e bëjnë të pranueshëm?.

A mund të jetë i denjë një kryeministër shqiptar në RMV që është i propozuar nga Mickovski?

Maqedonia e Veriut ka nevojë për thyerjen e gjitha barrierave etnike që shqiptarët mos të trajtohen si qytetarë të dorës së dytë, e kjo ndodhë pikërisht në momentin që në krye të shtetit do të vendoset një kryeministër shqiptarë. Kjo ide nuk ishte e askujt pasi është nevojë e gjithkujt. Por, në zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2020 partia më e madhe shqiptare BDI pati garuar me idenë për kryeministër të parë shqiptar. Por, kjo ide mbeti gjysmake pasi kandidati për kryeministër shqiptar përfundoi avokat populli.

Megjithatë, BDI dhe LSDM arritën marrëveshje që në zgjedhjet e radhës kurdo që të mbahen ato në tre muajt e fundit të mandatit, apo qeverinë teknike ta udhëheq një kryeministër shqiptar.

Por, në rastet kur flitet për një kryeministër shqiptar flitet për një përfaqësim më të denjë të shqiptarëve, e për këtë përfaqësim nuk mjafton vetëm përkatësia etnike shqiptare e kryeministrit, por është e patjetërsueshme edhe puna në këtë drejtim që është e domosdoshme një kryeministër i ardhshëm cili do qoftë të jetë duar lirë të punojë e të marrë vendime të rëndësishme.

Prandaj, duke ditur të kaluarën e VMRO-së, duke njohur pasuesin e Gruevskit, Hristijan Mickovski, është absurde dhe e pa kapshme që një propozim i një kryeministri shqiptar nga ana e Mickovskit të jetë i dobishëm për shqiptarët.

Kujtojmë që, ligji për shtetësi ishte bllokuar dhe kundërshtuar pikërisht nga kjo parti VMRO-DPMNE, ndërkaq propozues të këtij ligji ishte edhe partia e Afrim Gashit, ky i fundit e kishte cilësuar VMRO-në si parti anti-shqiptare, por tani çuditërisht propozohet e pranohet pikërisht nga kjo parti për kryeministër.

Afrim Gashi i dashur për Mickovskin, i urryer për Zejdin dhe Bilallin

Afrim Gashi është futur në skenën politike në vitin 2015 duke themeluar parti të re në skenën politike në Maqedoninë e Veriut, Lëvizja Besa, duke vendosur në krye, Bilall Kasamin, ndërkaq dy krahët e Bilallit ishin Afrim Gashi në njërën anë dhe Zejd Rexhep në anën tjetër.

Por, 4 vite më vonë kjo parti u nda dhe u përçanë në dysh, në njërën anë ngelën Afrim Gashi me Zejd Rexhepin dhe në anën tjetër i vetëm Bilall Kasami, ky i fundit fitoi procesin gjyqësor dhe i mbeti vula dhe emri i partisë. Ndërkaq, këta dy të vendosur si shok të idealit themeluan parti të re të quajtur Alternativa, por nuk përfunduan me kaq tre vite më vonë sërish u ndanë dhe u përçanë Zejd Rexhepi u largua nga Alternativa.

Nga tre shok me ideal të fuqishëm Bilall Kasami, Zejd Rexhepi e Afrim Gashi, ngelën të ndarë e të përçarë madje nuk dihet se cili mbeti pa krahë të djathtë sepse që të tre përfunduan të vetmuar. Ishin shpresa e ndryshimit u bënë shembulli përçarjes e ndarjes.

Por, si duket Afrim Gashi nuk është edhe i vetmuar sepse në përkrahje të tij është kreu i partisë më të madhe opozitare, VMRO-DPMNE, Hristijan Mickovski, për të cilin është i pranueshëm edhe për kryeministër, edhe se vullneti i popullit shqiptar mendon ndryshe dhe nuk është se e ka politikan të besueshëm, pasi në zgjedhjet e fundit nuk ka arrit të fitojë as edhe një komunë të vetme. /Zhurnal.mk