A do të heqë dorë Putini nga lufta? Ruzhin për Zhurnal: Edhe po të dojë nuk mundet…
Shkup, 3 mars – Ndonëse gjatë muajve janar dhe shkurt presidentin rus e vizituan dhe e takuan gati të gjithë liderët botërorë, duke filluar nga Makron, Biden, Erdogan, Xi e shumë të tjerë, prap se prap lideri rus nuk i bind nga fjalët e askujt, dhe shfrytëzoi krizën me energjinë dhe pandeminë, për të filluar sulme tokësore dhe ajrore ndaj Republikës së Ukrainës, shkruan Zhurnal.
Meqenëse në Evropë njerëzit nuk janë mësuar me dhunë dhe luftëra, perëndimi dhe e gjithë bota i bënë thirrje Rusisë dhe Putinit që të ndalojë urgjentisht sulmet sepse në të kundërtën do të ketë sanksione, në përgjithësi ekonomike. Disa shtete evropiane edhe pse thanë se nuk do ta ndihmojnë Ukrainën, gjithsesi u solidarizuan sado pak dhe dërguan pajisje dhe armatim. Parlamenti Evropian gjithashtu ka dhënë pëlqim për anëtarësimin e menjëhershëm të Ukrainës në Bashkimin Evropian.
Çdo minut mund të jetë vonë
E gjithë Ukraina në krye me presidentin Zelenski i bëjnë thirrje botës që të ndërmarin sanksione ndaj Rusisë dhe të ndihmojnë Ukrainën, me qëllim që të ndalojnë sulmet e Rusisë, duke thënë se çdo minut tjetër pritje mund të jetë shumë vonë. Deri tani siç dihet jetën kanë humbur rreth 2000 civilë ukrainas. Ukraina ndërkohë ka njoftuar se kanë vrarë mbi 7000 ushtarë rus ndërsa kanë shkatërruar dhe shumë automjete ushtarake, përfshirë dhe helikopterë e avionë ushtarak.
Zelenski gjithashtu i ka bërë thirrje Putinit që të ndalojë bombardimet derisa po zhvillohen bisedimet diplomatike mes grupeve të Ukrainës dhe Rusisë, mirëpo kjo deri tani nuk po ndodhë.
Forcat ushtarake me kolona të gjata kilometërshe, i janë afruar madje edhe Kievit. Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitchko, ka thënë se nuk do ta braktisin vendin e tyre por do t’u bëjnë rezistencë sulmeve ruse.
Por a mund të bëjë prapakthehu Vlladimir Putin? A mundet që të dorëzohet mos të sulmojë Ukrainën e të ndjehet si një humbës dhe një dështak para botës, apo do ta çojë luftën deri në fund sa të arrijë qëllimin e tij, edhe pse në çdo moment bota po i vendosë sanksione me të cilat ka humbje multi miliardëshe. Cila i paguhet më tepër Putinit?
Profesori Universitar dhe ish diplomati Nano Ruzhin, në një deklaratë për Zhurnal, shprehet se Vlladimir Putin edhe po të dojë, nuk mund të kthehet prapa sepse do të dilte para botës si një dështak. Sipas Ruzhin, Putin do të kërkojë një epilog prej së cilës nuk do të dalë i mposhtur.
“Invazioni në Ukrainë nga Rusia ka arritur deri në atë nivel që edhe po të dojë, nuk mund të kthehet prapa. Nuk mund të dorëhiqet sepse është mobilizuar një makineri e madhe. Sanksionet që i ndërmori perëndimi dhe shtetet tjera janë në fuqi, kështu që tërheqja do të thoshte mposhtje për Putinin dhe nuk e di si do të mund të dilte nga ajo situatë pastaj, do të ndjehet i pafuqishëm para botës.
E dyta, gabimi tjetër i Rusisë ishte njohja e Luganskut dhe Donjeckut sepse ato edhe ashtu ashtu i kontrollonin dhe mendoj që gjatë bisedimeve do të arrihet marrëveshje lidhur me këtë. Sa më tepër që kalon koha, armata ruse është në gjendje më të vështirë. Shpresojmë që takimet që zhvillohen të japin fryt dhe të ndalohet kjo çmenduri që po ndodhë. Putini nuk mund të shkojë deri në fund, nuk mund ta pushtojë tërë Ukrainën, por do të kërkojë një epilog që nuk do të ishte mposhtje e turpshme, ndoshta do të kënaqeshte vetëm me dy qytetet që i pranoi, por për këtë duhen garanca”, ka deklaruar për Zhurnal, profesori Nano Ruzhin.
Raundi i dytë i bisedimeve me qëllim t’i jepet fund luftës, duhet të mbahet në rajonin perëndimor të Bjellorusisë, në Brest, por pritshmëritë për një rezultat pozitiv janë të vogla. Zelenski bën thirrje për ndalim të sulmeve. Llavrov thotë se politikanët perëndimor janë ata që mendojnë për luftë nukleare dhe jo Rusia.
Deri tani forcat ruse kanë njoftuar se e kanë marë kontrollin mbi qytetin Herson. Ky qytet është qyteti i cili është okupuar që ditën e parë të invazionit. Pushtimin e Hersonit e ka pranuar edhe kryebashkiaku i këtij vendi, Igor Kolihaev.
Mbrëmë një kolonë e gjatë e automjeteve ushtarake ishin nisur për në Kiev mirëpo si duket kanë ndaluar përshkak se nuk kanë patur mjaftueshëm derivate dhe ushqim.
Ndryshe deri tani një milion njerëz e kanë braktisur Ukrainën nga fillimi i invazionit rus. Shumica e familjeve që kanë braktisur Ukrainën, të zotët e shtëpisë (burrat) pasi kanë lënë familjet e tyre në vende të sigurta, janë kthyer në vendin e tyre për të luftuar.//Zhurnal.mk

