A do të frenojë ndryshimet kushtetuese në Maqedoni “Evropa e Macronit” me dy shpejtësi?

Shkup, 29 gusht – Presidenti francez Emmanuel Macron tha se BE-së mund t’i duhet të evoluojë drejt një bashkimi me shpejtësi të ndryshme, deri sa mendon si të integrojë Ukrainën, Moldavinë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor. Macron thotë se BE-ja duhet të reformohet nëse dëshiron të zgjerohet me vende të reja dhe duhet të krijojë një konsensus midis më shumë se 30 vendeve. Këtë qëndrim të tij presidenti francez e ka arsyetuar me vështirësitë që po përjeton BE në funksionimin e saj me 27 vende anëtare, shkruan Zhurnal. Për të mos ndodhur komplikime në funksionimin e saj, Macron propozon evoluimin e BE-së.

“Është e rrezikshme të mendojmë se ne mund të zgjerohemi pa reforma. Mund të dëshmoj se është mjaft e vështirë për Evropën të bëjë përparim në tema të ndjeshme me 27 anëtarë. Me 32 ose 35 anëtarë, nuk do të jetë më e lehtë”, tha Macron në takimin vjetor të ambasadorëve francezë në Paris. “Na nevojitet guxim për të pranuar një integrim më të madh në disa fusha dhe ndoshta edhe një Evropë me shpejtësi të ndryshme”, do të shprehet presidenti francez në takimin me ambasadorët e vendit të tij.

“Dy shpejtësitë”, një sinjal i gabuar?!

Macron nuk sqaroi në detaje se si mendon që Evropa do të punonte me shpejtësi të ndryshme, por tha se nevojitet një “remont” i procedurave të BE-së për të ruajtur tërheqshmërinë e saj. Sipas disa zyrtarëve francezë, qeveria e Macron po punon për disa propozime për Evropën me shpejtësi të ndryshme, me ç’rast vendet anëtare do të krijonin grupe joformale për të punuar në fusha specifike. Për të mos bë supozime se çka ka menduar në të vërtetë presidenti francez, do të presim detaje shtesë, sepse edhe vetë Macron njoftoi se do të shprehë pikëpamjet e tij për zgjerimin e BE-së në muajt e ardhshëm, para zgjedhjeve të Parlamentit Evropian, shkruan Zhurnal.

Kjo nuk është hera e parë të përmendet një Bashkim Evropian me dy shpejtësi. Sai herën e parë edhe tani fjala “dy shpejtësi” me sa duket përdoret si zëvendësim për fjalën “dy grupe”, por pa tingëlluar vrazhdët.

“Si do që të jetë, BE me dy shpejtësi, do të përkthej në një sinjal të gabuar për elitat qeverisëse në Tiranë, Shkup, Prishtinë, Beograd dhe Podgoricë, që treni ekspres i Europës do të vonohet jo 5 minuta, por pesë vite ose 5 dekada. Për të dalë nga kriza BE dhe vendet aspirante duhet të ndryshojnë rrethanat e krizës sepse duke bërë të njëjtat gjëra, smund të presim rezultate të ndryshme”, ishte një nga komentet që u paraqit në vitin 2017 kur ky term u përdor asokohe nga ish kryeminstrja gjermane, Angela Merkel.

Nga ana tjetër, në forumin e mbajtur në Bled, Slloveni, Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel tha se BE duhet të jetë gati të pranojë anëtarë të rinj deri në vitin 2030. “Për të qenë të besueshëm, besoj se duhet të flasim për kohën dhe detyrat e shtëpisë. Ndërsa përgatitemi për agjendën e ardhshme strategjike të BE-së, ne duhet të vendosim një objektiv të qartë. Besoj se duhet të jemi gati, të dyja palët, për t’u zgjeruar deri në vitin 2030”, tha Michel.

Në Maqedoni interpretime të ndryshme për deklaratat e Macronit dhe Michelit

Në Maqedoninë e Veriut çdo mesazh që vjen nga Evropa interpretohet në mënyra të ndryshme nga pushteti dhe opozita. Kështu ka ndodhur edhe me mesazhet e presidentëve Macron dhe Michel, shkruan Zhurnal.

Zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bojan Mariçiq shpejtoi të deklarojë se fjalimi i kryetarit të Këshillit të Evropës është një kthesë serioze politike në politikën e BE-së ndaj zgjerimit, sepse për herë të parë pas zgjerimit të kaluar kemi përcaktim kohor të cilin personi zyrtar i BE-së e paraqet si termin të mundshëm për zgjerimin e ardhshëm.

Sinjali i këtillë nga BE-ja, sipas Mariçiqit, duhet të shfrytëzohet dhe do të ishte për keqardhje nëse e humbim mundësinë dhe e bllokojmë veten. “Ai është një sinjal mjaft i rëndësishëm nga BE-ja të cilin ne duhet ta shfrytëzojmë. Kjo do të thotë se të gjitha përpjekjet që i investojmë tani, këtë vit, të gjitha përpjekjet për të cilat na thonë se po shpejtojmë, janë të arsyeshme dhe dëshirojmë ta kapim trenin, ta kapim këtë mundësi që na jepet”, thotë Mariçiq.

Porosia e dërguar nga Forumi strategjik i Bledit, vlerëson Mariçiq, është sinjal i mjaftueshëm se gjërat në BE po ndryshojnë për më mirë, drejt më të volitshmes për ne dhe sa më shpehtë t’i prëfundojmë obligimet tona, aq më shpejtë do të gjendemi në grupin e anëtareve të ardhshme të BE-së. Ajo në të cilën shteti duhet të fokusohet, sipas Mariçiqit, janë reformat. Procesi i inkuadrimit, thotë ai, kërkon transformim tek shtetet kandidate, por gjithashtu kërkon edhe adaptim të BE-së ndaj prnaimit të anëtareve të reja.

“Sinjalin nga Sharl Mishel e kuptoj si porosi që ato procesee të rrjedhin paralelisht në mënyrë që të mos humbet kohë. Reformat në BE dhe reformat për zgjerim tek shtetet kandidate të rrjedhin paralelisht dhe ai proces të bashkohet në vitin 2030 dhe atëherë të jenë të gatshme edhe shtetet kandidate me rregulla të implementuara të BE-së të bëhen anëtare të cilat do të kontribuojnë për zhvillim të Unionit”, thotë Mariçiq.

Mirëpo ndryshe interpreotn opozita. SIpas VMRO-DPMNE-së, deklaratat e presidentit të Francës, Emanuel Makron dhe kryetarit të Këshillit Evropian, Sharl Mishel në Forumin strategjik të Bledit janë konfirmim se nuk ka garanci se vendi do të vazhdojë në rrugën drejt BE-së. Këtë e tha zëdhënësja e VMRO-DPMNE-së, Marija Miteva duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve nëse mund të ndryshohet diçka tek VMRO-DPMNE lidhur me ndryshimet kushtetuese pas deklaratave për zgjerimin e BE-së në vitin 2030.

“Nga njëra anë kemi këtë deklaratë, ndërsa nga ana tjetër kemi deklaratë të Makronit ku thotë se BE-ja së pari duhet të reformohet dhe më pas të pranojë anëtare të reja. Ky është vetëm një konfirmim i asaj që flasim se nuk ka absolutisht asnjë garanci se edhe nëse bëhen këto lëshime, Maqedonia do të vazhdojë në rrugën e saj drejt BE-së. Gabimi i qeverisë sonë është që gjithë procesin e ka drejtuar shpejt dhe me premtime që tani nuk mund t’i përmbushë”, deklaroi Miteva, duke interpretuar deklaratat e Macron dhe Michel si argumente në favor të politikës së tyre kundër ndryshimeve kishtetuese.

Madje, lidhur me thirrjen e LSDM-së që bashkërisht të marrin vendim për ndryshimin e Kushtetutës me qëllim që sa më shpejtë të lëvizim drejt BE-së, Miteva theksoi se qëndrimi i VMRO-DPMNE-së për ndryshimet kushtetuese mbetet i pandryshuar.

“Në njërën anë mund të dëgjonim deklarata të tilla për zgjerim deri në një datë të caktuar, por nga ana tjetër, poashtu edhe nga përfaqësues të lartë të bashkësisë ndërkombëtare mund të dëgjonim deklarata ku thuhej se së pari BE-ja duhet të reformohet dhe më pas të mendohet për zgjerim. Dhe kjo është esenca të cilin vazhdimisht e flet VMRO-DPMNE. Qeveria ka hyrë në një proces për të cilin nuk mund të sigurojë shumicën në Kuvend, nuk e ka konsultuar opozitën dhe në këtë drejtim qëndrimi i VMRO-DPMNE-së për ndryshimet kushtetuese mbetet i pandryshuar”, deklaroi Miteva.

Nëse marim si tregues se si i ka lexuar këto mesazhe kryeministri shqiptar Edi Rama, atëherë punët nuk qëndrojnë mirë. Sepse rama në panelin e liderëve në Forumin Strategjik të Bled, me temë “Solidariteti për Sigurinë Globale”, tha se nuk beson se do të jemi në BE në vitin 2030 dhe theksoi se BE-ja duhet të mbështesë vendet. të Ballkanit Perëndimor më shumë, dhe jo vetëm për të kritikuar.

– Nuk besoj se në vitin 2030 do të jemi në BE. Vendet që hyjnë në rrugën e BE-së deri në momentin që të bëhen anëtare duhet të kenë jo vetëm reforma dhe kritika, të cilat janë të nevojshme, por edhe të kenë mbështetje. Nuk e them nga pikëpamja financiare, por edhe nga aksesi ynë në tregun e përbashkët dhe më shumë hapësirë për sipërmarrjet tona, tha Rama.

Sidoqoftë, një ditë pas këtyre deklaratave është vështirë të bëhet ndonjë parashikim se cili do të jetë efekti i tyre i vërtetë në proceset në Maqedoninë e Veriut dhe në Ballkanin Perëndimor. është me rëndësi që opinioni dhe mbi të gjitha elitata politike të mos keqpërdorin esencën e këtyre porosive për politika ditore.