A djeg vërtet dhjamin dhe lehtëson dhimbjet e kokës kafeja me limon?

Njerëzit në mbarë botën betohen se një filxhan kafe e sapozier i ndihmon ata ta nisin ditën më mirë, ndërsa të tjerë pohojnë se një gotë ujë me limon i ndihmon më shumë për këtë qëllim. Tendencat e sotme nuk i anashkalojnë ato të ushqyerjes, ndaj së fundmi, kombinimi i këtyre dy pijeve është bërë i njohur për të nisur ditën, që pretendohet se shkrin dhjamin, mbron lëkurën nga dielli dhe lehtëson dhimbjet e kokës Për shumë prej nesh, një filxhan kafe është një ritual i përditshëm. Rreth dy miliardë filxhanë kafeje pihen në mbarë botën çdo mëngjes, duke e bërë pijen e zezë pijen më popullore në botë.
Kafeja përmban kafeinë (trimethylxanthine), e cila është përgjegjëse për përmirësimin e aspekteve të ndryshme të funksionit të trurit, duke përfshirë kujtesën, përqendrimin dhe nivelet e energjisë.
Kafeja ka anët e saj të mira, por vetëm nëse konsumohet me masë. Ka edhe anët negative – konsumimi i kafesë parandalon përthithjen e vitaminave dhe mineraleve në trup, e ndërlikon ndjeshëm procesin e tretjes dhe gjithashtu inkurajon zhvillimin e sëmundjeve që lidhen me mungesën e vitaminave dhe mineraleve.
Nga ana tjetër, limoni është një nga agrumet më të shitura në botë. Është përdorur me shekuj për vetitë e tij medicinale. Dihet se si kafeja ashtu edhe limoni përmbajnë shumë antioksidantë, të cilët mbrojnë trupin nga efektet e dëmshme dhe sasitë e tepërta të radikaleve të lira. Gjatë kombinimit të tyre, rekomandohet të shtoni lëngun e një limoni në 250 ml kafe.
Për të kuptuar nëse kafeja me limon të shtuar mund të sjellë përfitime shtesë shëndetësore, është e dobishme t’i konsideroni këto dy gjëra në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra.
Përfitimet shëndetësore të kafesë
Ka shumë studime që flasin për përfitimet e shumta shëndetësore të kafesë, nga mbrojtja e mëlçisë e deri te parandalimi i depresionit.
Në një nga studimet më të mëdha mbi kafenë deri më sot, Instituti Kombëtar i Kancerit dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit zbuluan se pirja e deri në tre filxhanë kafe në ditë mund të zvogëlojë rrezikun e vdekjes me 16 për qind.
Efekti pozitiv i kafeinës në bronkodilimin është vërtetuar në dy studime në SHBA dhe Itali, ku rezultatet treguan se tre filxhanë në ditë çuan gjithashtu në një ulje të ndjeshme të sulmeve të astmës. Duhet përmendur edhe efekti diuretik i kafeinës.
Kafeina rrit si kolesterolin e keq ashtu edhe atë të mirë, pa ndryshuar marrëdhënien e tyre me njëri-tjetrin, gjë që është shumë e rëndësishme për sa i përket rrezikut të sëmundjeve koronare, ndaj nuk mund të konsiderohet e dëmshme.
Dhe kjo, në fakt, nuk është e gjitha. Kur bëhet fjalë për rritjen e performancës mendore dhe fizike, kafeina është një nga suplementet më efektive.
Përfitimet përfshijnë rritje të mundshme në forcë, qëndrueshmëri muskulore, vigjilencë dhe ulje të shkallës së sforcimit të perceptuar, që do të thotë se do të jeni në gjendje të përfundoni stërvitjen tuaj më lehtë në krahasim me të njëjtat ushtrime pa një dozë kafeine, thonë dietologët.
Përfitimet shëndetësore të limonit
Limoni është një burim i shkëlqyer i vitaminës C dhe flavonoideve, dy antioksidantë të fuqishëm që lidhen me një rrezik më të ulët të kancerit, duke përfshirë kancerin e stomakut, pankreasit dhe gjirit.
Një limon i mesëm siguron 25 mg vitaminë C. Konsumimi i frutave dhe perimeve të pasura me vitaminë C redukton rrezikun e sëmundjeve të zemrës dhe goditjes në tru, mbron sistemin imunitar dhe ndihmon në luftimin e infeksioneve.
Ka disa pretendime shëndetësore për përfitimet e pirjes së kafesë me limon, por faktet duhen ndarë nga mitet.
Kafeja me limon ju ndihmon të humbni yndyrën – fakt apo mit?
Ky pretendim nuk është krejtësisht i pabazuar. Disa studime tregojnë se kafeina mund të ndihmojë në përshpejtimin e metabolizmit, duke rezultuar në djegie shtesë të yndyrës në pushim. Gjithashtu stimulon sistemin nervor, i cili dërgon sinjale të drejtpërdrejta në qelizat dhjamore, të cilat shpërbëjnë yndyrën. Megjithatë, kjo nuk do të ndikojë në humbjen e yndyrës nëse nuk jeni në një deficit kalori ose nuk digjni më shumë kalori sesa konsumoni.
Këtu, kafeja mund të ndikojë vetëm në mënyrën se si zvogëlon oreksin pas konsumimit, gjë që mund të çojë në konsum më të ulët të kalorive. Kur bëhet fjalë për limonin, si shumica e llojeve të frutave, ai është i shëndetshëm, por nuk ka përfitime specifike dhe të vërtetuara kur bëhet fjalë për humbjen e peshës.
Pra, nuk ka asnjë provë të konfirmuar se kombinimi i kafesë dhe limonit do të sigurojë përfitime shtesë për humbjen e yndyrës.