Kriza e industrisë televizive britanike

Nga: Jane Martinson / The Guardian (titulli: Yes, we should celebrate Adolescence – but it comes at a cost to the UK TV industry)

Të gjithë po flasin për Adoleshencën [Adolescence], dramën televizive që fokusohet te maskuliniteti toksik dhe që ka nxitur një debat të vazhdueshëm shoqëror dhe politik. Por, vetëm një pakicë njerëzish po flasin për atë që kjo dramë e suksesshme thotë rreth krizës që po ndodh në kohë reale në industrinë britanike të televizionit – dhe kjo po ashtu ka nevojë për një diskutim.

Adoleshenca është gjithçka që shërbimi i transmetimit publik duhet të jetë: programim goditës që përfshin njerëz të cilët shpesh injorohen në dramat televizive – në këtë rast, familjet e bardha të klasës punëtore në veri të vendit – e që janë diskutuar si në portat e shkollave ashtu edhe në Parlament. Pas një takimi në Kryeministri [Downing Street] mes skenaristit dhe dramaturgut britanik Jack Thorne dhe Keir Starmerit, u zbulua se Adoleshenca do të ofrohej falas në të gjitha shkollat e mesme në Mbretërinë e Bashkuar.

Fjala “falas” duhet theksuar, sepse ndryshe nga transmetuesit tradicionalë publikë që qëndrojnë prapa sukseseve klasike si Keti, kthehu në shtëpi [Cathy Come Home] apo Z. Bejts kundër shërbimit postar [Mr Bates vs the Post Office], Adoleshenca është porositur nga Netflix-i, një prej platformave amerikane të transmetimit që funksionon me modele abonimi, të cilat janë dukur si drone të mbushura me raketa që ulen mbi transmetuesit britanikë që vuajnë nga mungesa e fondeve.

Për shumë nga 66 milionë shikuesit që ndihmuan për ta bërë Adoleshencën titullin më të shikuar ndonjëherë në Netflix, në Britani, një deklaratë e tillë mund të tingëllojë si një shembull tipik i britanizmit përmes pasqyrës së errët, kur një televizion kaq i shkëlqyer duhet të jetë thjesht një arsye për të festuar. Përdorimi i talenteve britanike për të treguar histori universale për një audiencë globale, duhet të jetë një fitore për të gjithë. Netflix-i gjithashtu meriton lëvdata të mëdha për besimin që i dha aktorit të jashtëzakonshëm Stephen Graham dhe Jack Thorneit (i cili gjithashtu shkroi hitin e fundit Qyteti toksik / Toxic Town për këtë platformë).

Po çfarë mund të bëhet? Kosminsky ka lobuar në Parlament për një taksë prej pesë për qind mbi të gjitha të ardhurat nga abonimet për platformat e transmetimit në Mbretërinë e Bashkuar, me të ardhurat që do të mblidheshin në një fond kulturor britanik për t’u përdorur në përmbajtje televizive. Ky sistem do të sillte më shumë të ardhura sesa sistemi ekzistues – dhe disi i ndërlikuar – i kthimeve të taksave për të ashtuquajturin televizion “të nivelit të lartë”. Për më tepër, do të ndihmonte për t’i dhënë fund argumentit se gjithçka duhet të bëhet për të inkurajuar investimin e platformave globale në talentin britanik.

Sepse, nëse jo tani, kur? Ndodhemi në një nga ato momente kur një shfaqje televizive na kujton pse televizioni ka rëndësi: një televizion që është më shumë se argëtim, një televizion që na bën të mendojmë dhe të reflektojmë mbi veten, një televizion që nxit. Ai asnjëherë nuk ka qenë i lirë – dhe as nuk do të jetë ndonjëherë – por, është e vështirë të mbivlerësohet vlera e tij.