Nesër fillon vaksinimi kundër gripit sezonal, interesim më i madh tek të sëmurët kronikë, të moshuarit dhe personat e pamundur

Shkup, 24 tetor – Për vaksinimin kundër gripit sezonal interes më të madh ka nga të sëmurët kronikë, të moshuarit dhe tek personat e pamundur. Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Shaban Memeti ka konfirmuar për MIA-n se nesër fillon vaksinimi kundër gripit sezonal.

Lilia Çolakova Dervishova, kryetare e Shoqatës së mjekëve privatë amë për MIA-n tha se për vaksinën e gripit sezonal kryesisht zgjedhin të sëmurët kronikë, të moshuarit dhe personat e pamundur.

“Njerëzit kryesisht janë tashmë të edukuar dhe vetë regjistrohen për vaksinë në vakcinacija.mk, ose kanë të afërm më të rinj rreth tyre që e bëjnë këtë për ta”, nënvizoi ajo.

Vaksinimi rekomandohet nëse një person është i shëndetshëm, kujton ajo, duke theksuar se me ndonjë infeksion bakterial apo viral, nuk rekomandohet.

Gjatë ditës dhe nesër priten më shumë informacione nga autoritetet lidhur me vaksinimin e gripit sezonal.

Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur dje se këtë javë fillon vaksinimi kundër gripit sezonal. Kanë mbërritur në vend 60 mijë doza vaksinash katër lloje kundër gripit sezonal, të destinuara për vaksinim falas.

Sipas Ministrisë, qytetarët nga grupet e rrezikuara të cilët janë regjistruar për vaksinim përmes ueb-faqes vakcinacija.mk, në ditët në vijim do të marrin njoftim me SMS për datën, kohën dhe vendin e saktë të vaksinimit.