Vallë! A e kuptojnë ata se mashtruesit i zbulon vet fytyra e tyre
Shkruan, Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoninë e Veriut Shaqir Fetahu
Mashtrimi është ves i shëmtuar, por edhe rruga e vetme e intriguesëve, të cilët kur mashtrojnë mendojnë se ia arritën qëllimit. Të gjorët nuk e kuptojnë se mashtrojnë veten e tyre. Më qesharake është se janë të bindur se vërtetë e mashtruam. Vallë! A e kuptojnë ata se mashtruesit i zbulon vet fytyra e tyre, buzqeshja, syri mashtrues, trupi, pamja, gjithçka. Mashtrimin e tyre shumë lehtë e kuptojnë të sinqertit, sepse sinqeritetit është si rentgeni. Ai zbulon edhe çka mendojnë, edhe çka mëtojnë, edhe çka synojnë, edhe, edhe…Mashtrimi mashtron mashtruesit, neglizhentët, parazitët, pasivët, manipuluesit …
Mashtrimi trullon njerëzit që janë rob të epshit, emocionit, interesit keqpërdorimit, manipulimit, intriguesit, penguesit….
Andaj, zhvilloni dhe kultivoni ndjenjat e sinqeritetit që është i vulosur në shpirtin e juaj. Ai është zbulues i çdo të keqeje, kurthit, manipulimit.
Sinqeriteti është inspirim i vetëdijes, i të mirës, fuqi e dijes, urtësisë, syrit largapamës, mençurisë, vlerës, moralit.
Sinqeriteti është anija që çanë edhe dallgêt më të fuqishme, që ju qëndron përpallë stuhive më të forta, dhe që të nxjerr tek bregu i detit.
Nuk është e rastit që i Madhi Zot obligon në sinqeritet dhe e ka bërë shtyllë të vlefshmërisë së veprave të mira.
Sinqeriteti është maja e ngritjeve madhore në shërbim të së mirës.Andaj, bëjeni shtyllë të jetës suaj. Kështu ju do Zoti.

