Një përbindësh që i gjason një nëne!

Shkruan, Mersel Bilalli

Para disa muajsh, në Mal të Zi u mbajt një konferencë rajonale, ku morën pjesë ekspertë të shquar rajonal, mes tyre edhe një emër i njohur në fushën e ekonomisë, i cili ka sanuar ekonomikisht disa vende. Një nga kolegët tanë ishte shumë kurioz ta pyeste për ekonominë e Maqedonisë. Pasojë një qeshje gati me lot në sy e tij, mandje nuk ndjehej mirë nga një qeshje e tillë, andaj kërkoi falje. Lidhur me pyetjen e parashtruar, ai tha: “I nderuar koleg, Maqedonia juaj nuk ka as ide, as vizion e aq më pak strategji për zhvillim. Në një kohë, ajo furnizonte me produkte bujqësore rreth 25 përqind të të gjithë tregut të dikurshëm jugosllav, plus veten. Në shifra, ajo ushqente rreth shtatë milionë njerëz. Kurse tani rreth një miliard euro në vit importoni produkte ushqimore! Pra, potenciali juaj bujqësor ka rënë dhjetëfish. Tani ju ushqeni vetëm 700 mijë njerëz, kurse keni kushte dhe resurse shumë të volitshme natyrore. Shihni çfarë po bëjnë Izraeli dhe Turqia! Duket se Tito krijoi “Ishullin të zhveshur” (Goli otok), kurse ju keni krijua një shtet të zhveshur – tha profesori, emrin e të cilit nuk do e përmend!

Ai shpjegoi gjithashtu se është një handikap i madh që nuk kemi ndërtuar apo sjellur ndonjë emër të njohur që do ta çonte vendin drejt zhvillimit ekonomik. Kjo ka rëndësi të madhe psikologjike dhe praktike. Kurse ju keni do persona qeveritar që në mënyrën komike merren me luftimin e çmimeve të tregut të produkteve ushqimore bazë! Jeni lodhur duke dhënë shanse aty ku nuk jetojnë shanset! Pra, me vite lundroni pa busull, shpesh të udhëhequr nga pirate të dehur, që bëjnë që anijet e juaja të fundosen në ujëra të cekëta! Me zhvillimi, ju ishit shumë më përpara të gjitha vendet e Evropës Lindore, kurse para bullgarëve ishin edhe pinguinët e Antarktidës! Seriozisht, diçka nuk po shkon me ju – tha profesori egocentrik!

Madje ai tha se nuk po bëjmë asgjë as në drejtim të sanimit të vetëdijes së ndotur te populli juaj se puna bujqësore dhe blegtorale është një punë poshtëruese! Se është e turpshme që ti i përkushtohesh bujqësisë dhe fermave kurse i hani ato produkte tre herë në ditë! “Me ju koleg, çdo gjë duhet bërë nga fillimi, sepse ju nuk ke as orientim bazë se si të filloni! Nuk e dini se në Perëndim, shtetet organizojnë familje dhe emra eminente për të mbajtur ferma, për të motivuar edhe të tjerë! Në vendin tuaj injoranca dhe partishmëria kanë shkatërruar gjithçka, përfshirë edhe degën kryesore të zhvillimit. Dhe ajo që keni tani është vetëm bukë e ujë” – tha profesori.

Këtë ia konfirmova edhe vet unë, kur një herë ne tre anëtarë të asamblesë parlamentare të OSBE-së nga Maqedonia, në një pritje në Kopenhagë, rastësisht u ulëm në të njëjtën tryezë me motrën e ministrit të atëhershëm të punëve të Jashtme gjermane, Joschka Fischer, e cila tha se përveç që një zyrë avokësh, ka edhe një fermë me lopë, dhe se herë pas here punon edhe vetë atje!

Strategji të shumta të kota!?

Ndër vite, në vend janë miratuar strategji të shumta për zhvillim ekonomik dhe social, por ato nuk kanë justifikuar as çmimin e letrës, për të mos përmendur honorarët, që në fakt shpesh ishin qëllim i vetëm. Kuadro partiakë, me njohuri të vogla kanë bëjnë strategji të mëdha!!! Këtu u paten përfshi edhe do organizata joqeveritare, kurse qëllimi përfundimtar nuk ishte zhvillimi i shtetit, por paratë dhe mbështetja partive në pushtet. Do ishte mirë që liderët partiak të operpheshin nga ndonjë partiak amator e jo nga ekipe kirurgësh professional. Korrupsion i cekët me pasoja të thella për fatin apo fatkeqësinë e shumë njerëzve, që tani më s’janë në atëdheun e tyre!

Fatkeqësisht, disa akademikë që prej vitesh kanë shkruar projekte që duhej të ishin serioz, në fakt kanë bërë punë falso dhe qëllimi i tyre kryesor ka qenë thithja e parave të popullit për vlera që i takojnë djallit. Si ndryshe kur nga ajo strukturë nuk kemi parë një projekt të vetëm serioz për zhvillimin ekonomik të shtetit, për qeverisje të mirë, apo ndonjë analizë produktive për departamentizimin e institucioneve, për nevojën e futjes së sistemit meritor në të gjitha shërbimet publike e shoqërore! Prandaj sot shumë analfabetë na bëhen prokurorë, gjykatës, ambasadorë, konsuj, ministra, sekretarë shteti etj., kurse njerëzit professional na ikin jashtë shtetit!

Në veçanti, korrupsioni politik prodhon dallime të mëdha sociale, diskriminim e deprofesionalizim dhe si rrjedhim i tyre pason emigrimi masiv. Kur shohin që një staf i dobët partiak e fiton një vend pune apo një pozicion, kjo është alarm serioz se në ate vend s’kanë më çka lypin. Ai i huaji do ua vlerësoj më shumë dijen se ai i veti. Kjo pashmangshëm çon në gjendje kaosi pas së cilës gjithçka dështon. Nëse më parë të rinjtë donin të largoheshin dhe të kërkonin kushte më të mira jetese në botën e zhvilluar dhe prindërit bënin çmos që fëmijët e tyre të qëndronin këtu në token e tyre, sot gjithnjë e më shumë çifte të reja të martuara po punojnë që fëmijët e tyre të largohen nga ky ferr. Kur punoni me djallit do krijoni ferrin.

MANU – organizatë kombëtare

Në shoqëritë normale dhe të hapura demokratike nuk ka vend për organizmat parazitare. Atje ajo që merret duhet të fitohet. Shpenzimi i pamerituar i parave të mëdha buxhetore në formë paushalleve të mëdha, madje sa tre paga të larta, është jashtëzakonisht jomorale për një institucion që pretendon të shesë moral dhe dije. Të gjithë ata akademikë të “me emë”, përveç një paushalli të tillë, marrin edhe rroga, pensione plus donacione të tjera në emër të zhvillimit ekonomik të rremë. Dhe nga ana tjetër, shumë prej tyre mbështesin publikisht axhenda partiake! Disa madje mbanin edhe fjalime pas mitingjeve partiake, ku shihej se mbreti ishte lakuriq!

Në një gjendje eksodi masiv të të rinjve nga shteti, është jashtëzakonisht egoiste që MANU të ketë një pozicion kaq dominues në thithjen e pamerituar të parave publike. Një institucion i tillë i amortizuar dhe parazitar nuk meriton para buxhetore me asnjë kriter morali. Si e tillë, ajo i ngjan një përbindëshi në personifikimin e një nëne të kujdesshme për shumë dekada!

Në botën normale e modern, ka gjithnjë e më pak institucione të tilla dhe akoma më pak akademikë individualë që marrin në mënyrë të pamerituar para publike. Të këtuit madje ankohen se nuk mjaftojnë! Në shoqëritë moderne evropiane, institucione të tilla kanë pothuajse të njëjtin trajtim si organizatat joqeveritare. Ata aplikojnë për projekte në konkurse të hapura dhe fitojnë gjithçka me meritë. Por para apo paushalle të gatshme askund. Gënjeshtrat e tyre duken të bukura, të mëdha dhe të shpejtë, për dallim nga e vërteta që mbetet e shëmtuar, e vogël dhe e ngadaltë. E para është produkt i djallit kurse e dyta e Zotit.

Sistemi zgjedhor mazhoritar!

Nëse qendrat politike vendimmarrëse do të kishin ndershmëri elementare, do të zgjidhnin sistemin zgjedhor mazhoritar, sipas të cilit shteti do të kishte 120 njësi zgjedhore dhe kandidatët do të luftonin kokë më kokë. Ky system është më demokratik dhe më efikas, sepse qytetarët do kishin kujt t’i drejtohen për nevojat e tyre. Liderët partiak, si një e keqe e provuar, padyshim që do të humbnin nga pushteti, sepse deputeti vet do ishte fituesi dhe njëherit vazhdimisht do konsultohej me qytetarët e zones së tij.

Modeli proporcional me një njësi zgjedhore nuk është i pranueshëm për partitë që kanë punuar keq në ekonomi dhe zhvillim, ngase qytetarët janë larguar masivisht. Fshatra të shumtë, sidomos në pjesën perëndimore të vendit, janë thuajse boshadisur. Një tragjedi e tillë njerëzore ndoshta nuk do të ishte krijuar as nga forcat pushtuese. Kështu, kur njerëzit mbyllnin sytë ndaj të keqes dhe tani ka ardhur koha kur nuk mund më t’i hapin! Konfuçio do kidjte thënë: – Nëse njeri nuk shikon në largësi, dështimin e ka pas thembrës së tij.

Ndihmo zoti profesor! Ai tha se çdo gjë duhet paguar! “Plus të gjithë duhet të më dëgjojnë nëse duan shpëtim fare! Nuk është aspak e lehtë të gjesh rrugën e duhur, të cilën gjithë kohës e ke shmangur!” gjithë kohës!