Debat/ Universitetet të ofrojnë programe më të shkurtëra që të kalohet hendeku mes arsimimit dhe tregut të punës

Shkup, 12 tetor – Duhet menduar që universitetet të ofrojnë programe më të shkurtra se tre vjeç me qëllim që të kapërcehet hendeku midis arsimit dhe tregut të punës. Gjithashtu, është e domosdoshme lidhje dhe harmonizim midis dy sektorëve. Kjo u potencua në tryezën e sotme të rrumbullaktë “Harmonizimi i programeve studimore në arsimin e lartë me nevojat e tregut të punës”, në organizim të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup në bashkëpunim me Odën Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore.

Rektori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Izet Zeqiri potencoi se është e domosdoshme universitetet të fillojnë me reforma në disejnimin e programeve studimore sa më të shkurtra të cilat do t’u përgjigjen nevojave të tregut të punës. Ai potencoi se mungesë më të madhe të kuadrit ka në sektorin e TI-së dhe në ndërtimtari.

“Ideja vjen si rezultat i situatës alarmante ku në Maqedoninë e Veriut kemi 119 mijë të papunë, ndërsa në anën tjetër kemi 8.000 vende të lira të punës që i kërkojnë bizneset, por nuk ka punëtorë. Është e nevojshme që universitetet të nisin reforma në hartimin e programeve të studimit sa më të shkurtra, të cilat do t’i përgjigjen nevojave të tregut të punës. Është evidente sepse ndryshimet që ndodhin veçanërisht në botën digjitale paralajmërojnë se deri në vitin 2030 do të kemi profesione të tjera. Krahas këtyre profesioneve që i kemi, jo rastësisht, edhe kompanitë më të mëdha po krijojnë universitete të tyre, të cilat prodhojnë profile të veçanta dhe profesione të reja. Është e nevojshme që universitetet që po përgatiten në këtë drejtim t’i përgjigjen tregut të punës”, tha Zeqiri.

Sipas kryetarit të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Nebi Hoxha, është e rëndësishme ajo që nuk do të thotë që secili të ketë të mbaruar arsimin e larti pasi, siç tha, ne kemi nevojë për sektorë të ndryshëm që nuk kërkojmë arsim universitar, por mund të punësohet dhe të jenë produktivë për shoqërinë tonë edhe me arsim fillor edhe me të mesëm. Ai tha se që nga arsimi fillor duhet të fillojë përgatitja e kuadrove sipas nevojave të tregut të punës.

“Nisur nga fakti që kemi të rinj dhe burime që mund t’i përgatisim në këtë drejtim, prandaj mendoj se kemi burime dhe na duhet vetëm një fokus më i madh në këtë drejtim. Nisur nga fakti se arsimi është shtylla kryesore e zhvillimit ekonomik, duhet të kemi domosdoshmërisht një komunikim dhe një trekëndësh të funksionimit të sektorit të biznesit, Akademisë dhe Ministrisë së Arsimit, pra Qeverisë për hartimin e programeve shkollore në përputhje me nevojat e tregut. Kemi një situatë të përgjithshme, përgjithësisht në të gjithë Ballkanin Perëndimor, kur kemi produkte që nuk i plotësojnë nevojat e tregut dhe kjo paraqet një problem shumë të madh për sektorin privat, i cili është një nga faktorët kryesorë të zhvillimit ekonomik të vendet tona”, tha Hoxha.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri deklaroi se kanë bashkëpunim me odat ekonomike dhe vetëqeverisjen lokale për t’i përshtatur drejtimet në shkollat e mesme me nevojat e vetëqeverisjes lokale dhe odat ekonomike.

“Pres bashkëpunim të mirë nga Agjencia për cilësi në arsimin e lartë. Do t’i shohim të gjitha hulumtimet dhe informacionet e tryezës së rrumbullaktë dhe udhëzimet që do t’i japë Oda Ekonomike dhe do t’i dorëzohen Agjencisë për cilësi në arsimin e lartë, si institucion i cili akrediton dhe riakrediton programe studimore”, tha Shaqiri.

https://www.facebook.com/untshkup/posts/pfbid0nonVVxE9E7HyjWYDuhvfYp2g4p1cvWtXk25BiSMGwgAcyoTP88vYTZjRfHkEL8e8l