Koja: Vendi arriti progres historik në qëllimin strategjik, ka shumë punë në sfera të rëndësishme

Shkup, 8 tetor – Maqedonia e Veriut arriti progres historik në qëllimin e saj strategjik, e ai është integrimi euroatlantik, anëtarësimi drejt NATO-s dhe përfundimisht fillimi i bisedimeve për anëtarësim në BE, thekson shefi i Misionit të OSBE-së në Shkup, ambasadori Klemens Koja.

Megjithatë, thekson Koja, vendi ka ende shumë punë për të bërë në disa fusha kyçe, duke përfshirë zbatimin e legjislacionit reformues, strategjitë dhe planet e veprimit të krijuara për të përmirësuar funksionimin e institucioneve, si dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës së njerëzve. Një nga këto fusha është sistemi i drejtësisë.

Koja, i cili së shpejti do të largohet nga vendi pas përfundimit të mandatit të tij katërvjeçar në krye të OSBE-së, thekson se mbështetja për reformat në fushën e drejtësisë mbetet një nga fushat prioritare të punës së Misionit, duke përfshirë mbështetjen për modernizimin e Kodit Penal dhe Ligjit të Procedurës Penale.

“Kur mbërrita në Shkup, u befasova nga fenomeni që përmendët, niveli jashtëzakonisht i ulët i besimit të publikut në gjyqësor. Sipas mendimit tim, rritja e transparencës, paanshmëria dhe gjykimi efektiv dhe në kohë i rasteve janë faktorët kyç në rritjen e besimit të publikut. Duhet të respektohen parimet e barazisë para ligjit dhe, natyrisht, gjykatësit dhe prokurorët duhet të lejohen të bëjnë punën e tyre pa asnjë ndikim të jashtëm dhe përmes së cilës duhet të demonstrojnë integritet personal”, thekson shefi i Misionit të OSBE-së në vend.

Në lidhje me situatën në mediat në Maqedoninë e Veriut, Koja thekson se situata është përmirësuar gjatë mandatit të tij, gjë që është dëshmuar edhe me rangimin e shtetit në raportet ndërkombëtare për këtë temë.

“Por ka ende hapësirë ​​të konsiderueshme për përparim. Së pari, legjislacioni i reformuar për median duhet të zbatohet plotësisht. Organet e reja drejtuese të RTM-së dhe Agjencisë për Media nuk janë krijuar, ndërsa gazetarët ende përballen me kushte të vështira pune, shpesh duke marrë kontrata afatshkurtra që ofrojnë pak siguri në punë. Misioni ynë ka punuar shumë për të mbështetur përpjekjet për përmirësimin e sigurisë së gazetarëve dhe ne jemi të kënaqur që numri i sulmeve fizike ndaj gazetarëve është ulur vitet e fundit”, thotë Koja.

Ai shtoi se fatkeqësisht po rritet numri i rasteve të dhunës kibernetike dhe dhunës onllajn, veçanërisht ndaj gazetareve femra. “Ne inkurajuam institucionet përkatëse qeveritare që të përmirësojnë reagimin e tyre në raste të tilla. Gjithashtu kemi punuar për përmirësimin e standardeve profesionale për raportimin dhe rritjen e mbulimit mediatik të problemeve të grupeve të ndjeshme në vend”, thekson Koja.

Maqedonia e Veriut vitin e ardhshëm është kryesuese e OSBE-së, ndërsa Koja në intervistë për MIA-n theksoi se ajo është detyrë e madhe, por edhe nder për vendin, i cili ishte zgjedhur njëzëri si kryesues nga të gjitha 57 vendet pjesëmarrëse.

“Kam respekt të madh për ambasadorin Xhundev dhe ekipin e tij në misionin tuaj në Vjenë dhe për ekipin e formuar nga Qeveria për të punuar në Presidencën këtu në Shkup. Nuk kam dyshim se do të bëjnë një punë të shkëlqyer si kryesues në një mjedis shumë të vështirë dhe kompleks”, potencoi Koja.

Lidhur me angazhimet e tij të ardhshme pas përfundimit të mandatit në Shkup, ai thotë se si diplomat austriak “i huazuar” në OSBE në katër vitet e fundit, do të kthehet në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Austrisë.

Në vazhdim vijon intervista e plotë me shefin e Misionit të OSBE-së në Shkup, ambasadorin Klemens Koja:

Ambasador Koja, mandatit tuaj si Shef i Misionit të OSBE-së po i afrohet fundit. Ju morët detyrën më 17 shtator të vitit 2018. Çfarë mendoni se ka shënuar katër vitet e punës suaj në këtë post? 

Gjëja e parë që më kujtohet është bashkëpunimi i frytshëm që kemi pasur me të gjithë partnerët tanë në Maqedoninë e Veriut, ata në institucionet qeveritare, shoqërinë civile dhe mediat. Pastaj, gjëja e radhës që më kujtohet është puna e palodhur e stafit tonë në Mision, shumica e të cilëve janë qytetarë të Maqedonisë së Veriut, për të mbështetur proceset reformuese në vend. Nga të gjitha aktivitetet që kemi zbatuar këto katër vitet e fundit, jam më shumë krenar për ato që kanë potencialin më të madh për të përmirësuar jetën e qytetarëve të vendit. Për shembull, ne ndihmuam Ministrinë e Punëve të Brendshme që të hartojë një sërë strategjish për profesionalizimin e policisë, të cilat nëse zbatohen plotësisht, do të rrisin sigurinë e qytetarëve dhe trajtimin e barabartë nga organet e zbatimit të ligjit. Poashtu, ne kemi ndihmuar reformën në gjyqësor, duke mbështetur si hartimin e legjislacionit kyç, ashtu edhe iniciativat praktike siç është digjitalizimi i gjykatave, që do të rezultojë në drejtësi më të shpejtë dhe transparencë më të madhe. Unë jam gjithashtu krenar për punën tonë për të siguruar barazinë midis grave dhe burrave, mbështetjen tonë për përpjekjet kundër korrupsionit dhe projektin tonë të madh për të parandaluar përhapjen e armëve të vogla. Ky projekt i fundit i bëri njerëzit më të sigurt duke ndërtuar arsenale të sigurta për rezervat e municionit në 15 stacione policore kufitare dhe duke rritur kapacitetin e njësive për qenë K9 të MPB-së për zbulimin e armëve dhe lëndëve shpërthyese. 

Sigurisht, nuk mund të flasim për katër vitet e fundit, pa përmendur pandeminë, e cila ka pasur një ndikim të madh në jetën e të gjithëve. Jam shumë krenar për reagimin e Misionit kur u paraqit pandemia. Ne i dhuruam pajisje qeverisë për të ndihmuar reaguesit e parë dhe një automjet për Kryqin e Kuq në Tetovë, për t’u mundësuar atyre të hyjnë në fshatrat e izoluara dhe të vështira për t’u arritur. Duke e njohur se nuk mund të zbatonim shumë nga aktivitetet tona të planifikuara për shkak të kërcënimit të përhapjes së sëmundjes, ne morëm paratë e destinuara për këto aktivitete dhe i përdorëm për të krijuar Fondin e Reagimit ndaj COVID-19. Fondi dhuroi grante për 11 organizata joqeveritare lokale për të mbështetur grupet e cenueshme, të prekura nga pandemia, për shembull viktimat e dhunës në familje dhe fëmijët e tyre, si dhe personat me aftësi të kufizuara. 

Së fundi, koha ime në Maqedoninë e Veriut është shënuar nga përvojat e mia të vendit tuaj të bukur. Unë jam një alpinist i zjarrtë dhe gjatë katër viteve të fundit kam kaluar shumë fundjavë të këndshme duke ecur në të gjithë vendin. Kur të largohem do të marr me vete shumë kujtime të mrekullueshme të vendit dhe njerëzve që kam takuar këtu. 

Ju ushtruat detyrën tuaj në një kohë mjaft intensive për vendin – referendumi për Marrëveshjen e Prespës, ndryshimi i emrit, anëtarësimi në NATO, pandemia COVID-19, regjistrimi i parë i popullsisë pas 20 viteve, vetoja e BE-së, bllokada e Bullgarisë, propozimi portugez, propozimi francez, konferenca ndërqeveritare  e parë me BE-në,  fillimi i negociatave pas ndryshimeve kushtetuese… Qëndrimi juaj këtu sigurisht që mund të përshkruhet si çdo gjë, por jo i mërzitshëm. A mund të komentoni shkurtimisht se si e shihni vendin tani, krahasuar me kohën kur mbërritët për herë të parë këtu si Shef i Misionit të OSBE-së? 

Ka qenë një kohë kontestuese që kur kam arritur këtu në prag të referendumit. Maqedonia e Veriut ka bërë përparim historik drejt qëllimit të saj strategjik të integrimit Euro-Atlantik, anëtarësimit në NATO dhe fillimit të negociatave të anëtarësimit me BE-në. Marrëdhëniet ndëretnike kanë qenë të qeta gjatë gjithë mandatit tim, gjë që është goxha arritje e madhe duke pasur parasysh historinë e re të vendit. Në të njëjtën kohë, polarizimi politik ka mbetur i lartë. Qeveria bëri përparim në reformat, llogaridhënien dhe luftën kundër korrupsionit, me ish-zyrtarë të lartë të dënuar për korrupsion dhe dy Sekretarë të Përgjithshëm të qeverive të pas 2017-ës të akuzuar ose nën hetim. Megjithatë, mbetet edhe shumë për të bërë në të gjitha këto fusha kyçe, përfshirë zbatimin e legjislacionit për reforma, strategjive dhe planeve të veprimit të hartuara për të përmirësuar funksionimin e institucioneve, si dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës së njerëzve. 

Rruga e Maqedonisë së Veriut për në BE u bllokua nga vetoja bullgare. A mendoni se vetoja ishte e justifikuar? Konferenca e parë ndërqeveritare me BE-në u mbajt  në korrik të këtij viti, por për Shkupin kjo nuk do të thotë automatikisht fillim i negociatave për anëtarësim, pasi që negociatat do të fillojnë pas ndryshimeve kushtetuese dhe përfshirjes së popullit bullgar në Kushtetutë. Sa mendoni që ishte nevojshme kjo gjë? Gjuha e urrejtjes është një nga sferat në të ju jeni fokusuar dhe lufta kundër të njëjtës është tani aktuale në marrëdhëniet Shkup-Sofje si pjesë e afrimit të pozicioneve për të kapërcyer mosmarrëveshjen. Ku qëndron vija që kufizon gjuhën e urrejtjes dhe cilat mjete i përdor OSBE si përgjigje ndaj kësaj dukurie negative?  

Rruga e Maqedonisë së Veriut për në BE ka qenë e gjatë dhe e vështirë. Megjithatë, vlen të theksohet se një sondazh i realizuar së fundmi tregoi se një shumicë e madhe e qytetarëve akoma mbështesin anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian. Edhe pse vërejta se kishte një polarizim të thellë në shoqëri për çështjet që lidhen me anëtarësimin në BE, shpresoj që mundësitë e hapura me konferencën e parë ndërqeveritare do t’i japin përpjekjeve reformuese një ndjenjë të re energjie dhe synimi. E di që Misioni i OSBE-së në Shkup do të bëjë gjithçka që mundet për t’i mbështetur ata. 

Sa i përket gjuhës së urrejtjes, ajo shpesh i paraprin akteve kriminale. Ndihma për të adresuar këtë dukuri ka qenë një prioritet i Misionit tonë për shumë kohë. Ne kemi punuar për shumë vite me Komitetin e Helsinkit për të regjistruar aktet e krimit të urrejtjes, si dhe me policinë për të angazhuar të rinjtë lidhur me nevojën e tolerancës. Ne gjithashtu promovojmë kohezionin social, tolerancën dhe diversitetin në shkolla përmes aktiviteteve të ndryshme. 

Një nga rolet kryesore të Misionit të OSBE-së në Shkup është të promovojë marrëdhëniet ndëretnike, të mbështesë zbatimin e mëtutjeshëm të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. Tani së fundmi shënuam 21 vjetorin e Marrëveshjes. Pati bujë publike lidhur me parat e shpenzuara nga buxheti, diku 70,000 euro për festë në kohë të krizës, si dhe të bërtitura kur festa u paralajmërua në gjuhën maqedonase. A mund të komentoni rreth këtyre zhvillimeve dhe çfarë bënë Misioni i OSBE-së në fushën e rritjes së respektit për multikulturalizëm, multietnicitet, si dhe për komunitetet e ndryshme të bashkëpunojnë dhe jo të përçahen?   

Siç e theksova edhe më herët, marrëdhëniet ndëretnike në vend kanë qenë përgjithësisht të qeta gjatë kohës sime në Shkup. Por kjo nuk do të thotë se nuk ka sfida. Ne vazhdojmë të vëzhgojmë me vëmendje zhvillimet në aspekt të marrëdhënieve ndëretnike në mbarë vendin dhe të zbatojmë  shumë aktivitete të dizajnuara për të mbështetur përpjekjet e vendit për të rritur kohezionin social. Për shembull, gjatë viteve të fundit, ne kemi trajnuar 250 oficerë të policisë  lidhur me punën policore në një shoqëri multietnike, që ata të mund të angazhohen në mënyrë më efektive me qytetarët nga grupet e ndryshme etnike. Ne promovuam raportimin gjithëpërfshirës të mediave, në mënyrë që qytetarët të mësojnë më shumë për grupet e tjera në shoqëri dhe çështjet specifike me të cilat përballen ato. Unë përmenda më herët punën tonë lidhur me gjuhën e urrejtjes dhe krimin e urrejtjes. Përtej kësaj, lista e aktiviteteve që kemi zbatuar për të mbështetur arsimin gjithëpërfshirës, ​​tolerancën dhe mosdiskriminimin është shumë e gjatë për t’u renditur këtu. Por unë jam veçanërisht krenar për projektin tonë – ‘Ndërtojmë Ura’, i cili solli në një vend mijëra nxënës shkollash nga i gjithë vendi për aktivitete jashtëshkollore me fëmijë nga komunitete të ndryshme, të cilët nuk kanë mundësinë t’i shohin aq shpesh në mjedisin e tyre shkollor. 

Në shtator, ne zyrtarisht filluam skriningun bilateral me BE-në. Çdo gjë që nuk është në vijë të njëjtë me legjislacionin Evropian do të shqyrtohet. Nja nga sferat e punës së Misionit të OSBE-së është dhe sundimi i ligjit, reforma në gjyqësor, pavarësia e gjyqësorit … Por, qytetarët kanë vetëm diku 8 për qind besim në sistemin gjyqësor. Kjo reformë siç duket është një nga më të vështirat. Ku e shihni problemin? Ku kemi ngecur? 

Siç e përmenda më parë, mbështetja për reformën në drejtësi mbetet një nga fushat prioritare të punës së Misionit, duke përfshirë përkrahjen për modernizimin e Kodit Penal dhe Kodit për Procedurë Penale. Kur arrita në Shkup, më goditi dukuria që përmendët, niveli jashtëzakonisht i ulët i besimit të publikut në gjyqësor. Për mendimin tim, rritja e transparencës, paanshmëria dhe gjykimi efektiv dhe në kohë i rasteve gjyqësore janë faktorë kyç për rritjen e besimit të publikut. Parimet e barazisë para ligjit duhet të respektohen dhe, natyrisht, gjyqtarët dhe prokurorët duhet të lejohen të kryejnë punën e tyre të lirë nga çdo ndikim i jashtëm dhe duhet të shfaqin integritet personal gjatë tërë punës së tyre.  

Para një viti, OSBE, me mbështetjen e BE-së, filloi monitorimin e rasteve gjyqësore të lidhura me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Cilat janë konkluzionet tuaja deri më tani nga ky projekt? A mendoni se korrupsioni është thellë i rrënjosur në shoqërinë e Maqedonisë së Veriut dhe se lufta kundër të njëjtit kërkon përpjekje mbinjerëzore?  

Në kuadër të projektit tonë të mbështetur nga BE për monitorimin e rasteve gjyqësore, deri më tani kemi monitoruar mbi 30 raste të krimit të organizuar të nivelit të lartë, shumica e të cilave janë raste të ish-Prokurorisë Publike Speciale. Ne e vlerësojmë shumë mbështetjen e fortë që kemi marrë nga institucionet e drejtësisë për këtë projekt. Monitorimi ynë i gjykimit fokusohet në respektimin e garancive procedurale të gjykimit të drejtë. Në këtë drejtim, monitoruesit tanë kanë identifikuar disa fusha që paraqiten si shqetësim, përfshirë kohëzgjatjen e gjykimeve, menaxhimin e dobët të çështjeve, mungesën e koordinimit, përdorimin e kufizuar të pronave të konfiskuara  dhe mungesën e burimeve financiare dhe njerëzore. Këto vëzhgime kanë ofruar bazën për punën e gjerë që bëjmë me Akademinë për Gjykatës dhe Prokurorë Publikë për të ndihmuar në ndërtimin e kapaciteteve të gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe mbështetjen tonë për përmirësimin e koordinimit ndërinstitucional në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. 

Zgjedhjet e fundit që u mbajtën ishin ato lokalet në tetor të vitit 2021. ODIHR shpalosi rekomandimet e veta, poashtu u formua dhe grupi i punës pranë Ministrisë së Drejtësisë për të miratuar një Kod të ri zgjedhor. Akoma mbesin të paqarta pyetjet lidhur me një njësi të vetme zgjedhore, listat e hapura… Sipas jush, cili është modeli zgjedhor më i mirë për Maqedoninë e Veriut, duke pasur parasysh specifikat e vendit?  

Ne shpresuam se vendi do të shfrytëzonte kohën midis zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar dhe zgjedhjeve të ardhshme të rregullta parlamentare dhe presidenciale që duhet të mbahen në vitin 2024 për të nisur një proces gjithëpërfshirës për të rishikuar plotësisht legjislacionin zgjedhor në mënyrë që të përfshijë rekomandimet e ODIHR-it të dhëna për disa nga zgjedhjet e fundit. Fatkeqësisht, procesi nuk duket se po ecën përpara. Pasi që të nisë procesi, Misioni ynë është i gatshëm të ofrojë mbështetje me qëllimin që të ndihmojë vendin të krijojë një sistem zgjedhor edhe më të hapur, transparent dhe demokratik. Sa i përket numrit të njësive zgjedhore dhe listave të hapura kundrejt atyre të mbyllura, nuk ka standarde të pranuara të OSBE-së për këto çështje politike. Çdo shtet pjesëmarrës duhet të vendosë vetë për këto çështje. 

Misioni juaj gjithashtu zotohet për barazi gjinore, fuqizimin e grave. Fatkeqësisht, dhuna në familje dhe varësia financiare mbeten gjë e zakonshme në Maqedoninë e Veriut. Së fundmi, kishte edhe një rast të femicidit. Të dhënat statistikore tregojnë se çdo e treta grua në vend vuan nga dhuna në shtëpi, përfshi fizike dhe psikologjike. Si mund të ndryshohet kjo situatë? Sipas Raportit të Misionit të OSBE-së, në krahasim me shtetet e BE-së, në Maqedoninë e Veriut ka tri herë më shumë gra të cilat besojnë se dhuna në familje është çështje private. Për më tepër, ato e justifikojnë dhunën kundër tyre. Si arritët deri te këto të dhëna dhe çfarë bënë Misioni juaj për të rritur vetëdijen në shtet?   

OSBE zhvilloi një studim rajonal në të cilin morën pjesë pothuajse 2,000 gra nga Maqedonia e Veriut. Studimi u mbështet gjithashtu në fokus grupe dhe intervista me ekspertë dhe gra që kishin qenë viktima të dhunës. Rezultatet treguan qartë se dhuna me bazë gjinore mbetet një sfidë, prandaj Misioni ynë po bën gjithçka që mundet që të mbështet përpjekjet kombëtare për t’u përballur më mirë me këtë dukuri. Çdo vit, së bashku me partnerët tanë në Kombet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian, ne marrim pjesë në fushatën 16-ditore të aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore. Gjatë mandatit tim kemi mbështetur edhe hartimin e Ligjit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Familje. Ne mbështetëm hulumtimin mbi gratë me aftësi të kufizuara si viktima të dhunës me bazë gjinore dhe punuam ngushtë me organet e zbatimit të ligjit për të trajnuar policinë mbi funksionimin e Qendrave për referim të viktimave të sulmeve seksuale në vend, si dhe për të përmirësuar reagimin e policisë ndaj rasteve të dhunës me bazë gjinore.  

Unë kam qenë gjithmonë përkrahës i fortë i idesë se dhuna në familje dhe dhuna me bazë gjinore nuk janë çështje shqetësuese vetëm për vajzat dhe gratë. Andaj, dëshiroj të shfrytëzoj këtë mundësi, edhe një herë, t’u bëj thirrje burrave dhe djemve të vendit që të ndihmojnë në dhënien fund të dhunës ndaj grave dhe vajzave në Maqedoninë e Veriut. 

Njëra nga sferat e punës së Misionit përfshin edhe mediat. Maqedonia e Veriut gjendet në vendin e 57-të nga 180 shtete në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit të publikuar nga Reporterët pa Kufij  për vitin 2022, një përmirësim për 33 vende në krahasim me vitin e kaluar kur  gjendej në vendin e 90-të. Por, Reporterët pa Kufij vënë në dukje se “për shkak të polarizimit politik, mediat mund t’i nënshtrohen presionit nga autoritetet, politikanët dhe afaristët”. Sa të lirë janë mediat në shtet dhe ku dështuam me reformat? Kohëve të fundit, gjithashtu kemi qenë edhe dëshmitar të sulmeve ndaj gazetarëve dhe pengimit të punës së tyre. Mosndëshkimi mbetet një nga problemet kryesore. Tani parashihen edhe ndryshime të Kodit Penal ku thuhet se sulmi ndaj gazetarëve do të trajtohet si sulm ndaj zyrtarëve. Sa të sigurt janë gazetarët në Maqedoninë e Veriut?  

Situata e lirisë së mediave në vend është përmirësuar gjatë kohës sime në Shkup, siç shihet nga renditja e vendit në raportet ndërkombëtare mbi këtë temë. Por mbetet akoma hapësirë ​​e konsiderueshme për përparim. Së pari, legjislacioni i reformuar për mediat duhet të zbatohet plotësisht. Organet e reja drejtuese për RTM-në dhe Agjencinë e Mediave nuk janë emëruar, dhe gazetarët akoma përballen me kushte të vështira pune, shpeshherë duke marrë vetëm kontrata afatshkurta që ofrojnë pak siguri në punë. Misioni ynë ka punuar shumë në mbështetjen e përpjekjeve për të përmirësuar sigurinë e gazetarëve, dhe ne jemi të kënaqur që numri i sulmeve fizike ndaj gazetarëve është zvogëluar në vitet e fundit. Fatkeqësisht, numri i rasteve të ngacmimit (bullizmit) kibernetik dhe dhunës në internet, veçanërisht ndaj femrave gazetare, është në rritje. Ne kemi inkurajuar institucionet përkatëse qeveritare që të përmirësojnë reagimin e tyre ndaj rasteve të tilla. Ne kemi punuar gjithashtu që të përmirësohen standardet profesionale për raportimin dhe të rritet mbulimi mediatik i shqetësimeve të grupeve të cenueshme në vend. 

Maqedonia e Veriut është pjesë e Treshes Kryesuese me OSBE-në dhe zyrtarisht do të fillojë me kryesimin vitin e ardhshëm në këto kohëra sfiduese globale – lufta në Ukrainë, kriza energjetike…  Cila ishte këshilla juaj për autoritetet e shtetit mbi kryesimin vijues me organizatën më të madhe rajonale të sigurisë e cila përfshinë 57 shtete anëtare, plus 11 partnerë mediteran dhe aziatik? 

Kryesimi me OSBE-në është një detyrë e madhe, por edhe një nder për Maqedoninë e Veriut, e cila u zgjodh njëzëshëm si kryesuese nga 57 shtetet pjesëmarrëse. Unë kam një vlerësim shumë të lartë për ambasadorin Xhundev dhe ekipin e tij në misionin tuaj në Vjenë, si dhe për ekipin që qeveria juaj ka krijuar së bashku për të punuar në Kryesinë këtu në Shkup. Nuk kam asnjë dyshim se ata do të bëjnë një punë të admirueshme si Kryesues në një mjedis shumë të vështirë dhe të ndërlikuar. 

Lufta në Ukrainë ka shkaktuar trazira në nivel global, Rusia e problematizon prezencën e OSBE-së në Ukrainë dhe sipas informacioneve të fundit, Organizata mbetet në territorin ukrainas. OSBE pretendon se forcat ruse në Ukrainë kanë kryer shkelje të mëdha të së drejtës ndërkombëtare humanitare dhe të të drejtave të njeriut. Cili është vlerësimi juaj mbi situatën aktuale në Ukrainë?

Situata në Ukrainë ka destabilizuar konstruktin evropian të sigurisë, ka rritur tensionet gjeopolitike dhe ka përkeqësuar krizat energjetike dhe ekonomike pas pandemisë. Për më tepër, situata në Ukrainë ndikoi edhe në dinamikën e brendshme të OSBE-së lidhur me miratimin e buxhetit, dhe Organizata tani është në muajin e 10-të të funksionimit pa një buxhet vjetor të miratuar. Dy misione në terren të OSBE-së u mbyllën kur Federata Ruse refuzoi t’i bashkohej konsensusit për zgjatjen e mandateve të tyre. Prandaj, puna e mirë e kolegëve tanë në Ukrainë u ndal në mënyrë efektive. Kryesuesi i Organizatës, Ministri i Jashtëm polak Zbigniew Rau dhe Sekretarja e Përgjithshme Helga Schmid kanë njoftuar planet për të mbështetur Ukrainën përmes disa projekteve specifike, me mbështetjen e shteteve individuale pjesëmarrëse të OSBE-së. Prandaj, Organizata do të mbetet e pranishme, me plane tashmë për të zbatuar më shumë se 20 projekte për të mbështetur institucionet shtetërore të Ukrainës, shoqërinë civile dhe qytetarët e saj.

Cilat janë planet tuaja për të ardhmen?  

Pasi që jam një diplomat austriak, i “huazuar” në OSBE për 4 vitet e fundit, do të kthehem në Ministrinë e Jashtme të Austrisë.