Zgjedhjet në Slloveni, fitoi Golob miku i Martin Berishaj

Shkup, 25 prill – Pas fitores së Macron në Francë i cili fitoi edhe një mandat të dytë, zgjedhje ka pasur edhe në Slloveni, ku Janez Jansha kryeministri deritanishëm humbi edhe se priste të fitonte mandatin e katërt, fitoi bindshëm Lëvizja për Liri e Robert Golob. Ndërsa interesante në këto zgjedhje ishte që kandidati më i ri ishte 18 vjeç dhe më i moshuari 82 vjeç, shkruan Zhurnal.

Golob, partia e të cilit është themeluar në muajin janar, ka fituar 34.5 për qind të votave në zgjedhjet e 24 prillit, në krahasim me partinë e Janshas që ka fituar 23.5 për qind të votave, sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, i cili ka numëruar 98 për qind të votave.

Vetëm tri parti tjera, ajo konservatore, Sllovenia e Re, Social-Demokratët dhe e majta, Levica, kanë marrë më shumë se 4 për qind të votave – minimumi që duhet për të hyrë në parlament.

Golob pritet të krijojë shumicën me Social-Demokratët dhe të bëhet kryeministër i ri i shtetit.

Ish kryeministri Jansha, një admirues i ish-presidentit amerikan, Donald Trump, është akuzuar nga opozita gjatë fushatës zgjedhore se ka tentuar të dëmtojë institucionet demokratike dhe lirinë e mediave.

Prej kur Jansha ka rifituar pushtetin më 2020, mijëra sllovenë kanë protestuar rregullisht në rrugë, duke thënë se ai ka shfrytëzuar pandeminë e koronavirusit për të kufizuar liritë e banorëve dhe mediave.

Ndërkaq, nga ana tjetër Golob, 55-vjeçar, inxhinier karizmatik, është zotuar në fjalimin e tij të fitores se rezultatet “do të na mundësojnë t’ia kthejmë lirinë shtetit”. Ai njihet si politikan që ka mbështetur tranzicionin e energjisë së gjelbër, pra ambientaliste, po ashtu njihet si top-menaxher i ndërmarrjeve publike.

Sipas rezultateve të publikuara, Lëvizjes për Liri e Golob ka siguruar 42 vende në parlamentin slloven nga 90 gjithsej që janë, dhe SDS-së e Jansha ka ngelur me 26 vende.

Ajo që pritet nga ky ndryshim në Slloveni është se tani më po krijohet një praktikë e re që liderët autokrat si Jansha që kishte udhëhequr në Slloveni për tre mandate një pas një i ka ardhur fundi. Dhe është një shpresë e re që politikani ambientalist Golob të krijojë një atmosferë të re përbrenda vendit dhe një qasje tjetër ndaj vendeve të rajonit.

Zgjedhjet në Slloveni ishin në fokus të vendeve të Ballkanit Perëndimor posaçërisht të Kosovës, përshkak të një skandali financiar ku flitej se është i përfshirë edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Partia Lëvizja e Lirisë e udhëhequr nga Robert Golob, është akuzuar para disa ditëve nga mediat sllovene për një skandal financiar, ku i përfshirë ishte edhe ambasadori Kosovës.

Televizioni slloven, Planet TV, sipas televizionit Berishaj kishte pranuar në llogarinë e kompanisë së tij “MB Consulting” një shumë prej 600 mijë eurosh nga dega në Beograd e kompanisë “GEN”, e të cilat pretendohet se i ka tërhequr në ‘cash’ dhe më pas ia ka dhënë kandidatit për kryeministër të Sllovenisë, Robert Golob.

Këto pretendime i ka mohuar Berishaj, duke paralajmëruar padi ndaj këtij mediumi. Presidenca i ka kërkuar raport dhe e ka ftuar për sqarime në Kosovë ambasadorin, pasi paraprakisht presidentja Vjosa Osmani ka thënë se i beson versionit që Berishaj e ka dhënë në Facebook. Partitë opozitare në Kosovë kanë kërkuar dorëheqjen e tij.

Në zgjedhjet e nënta parlamentare që nga pavarësia e Sllovenisë, të cilat janë mbajtur më 24 prill, kanë marrë pjesë 20 parti, pesë më pak se katër vjet më parë, ndërsa 1.464 kandidatë garojnë për 88 nga 90 vendet në Asamblenë Kombëtare. Pesë kandidatë të tjerë garojnë për dy vende të rezervuara për anëtarët e pakicave kombëtare italiane dhe hungareze. Përkatësisht, pakicat kombëtare italiane dhe hungareze, të cilat kanë lista të veçanta kandidatësh, kanë nga një vend të garantuar në Asamblenë Kombëtare.

Kujtojmë se, këtë vit janë bërë 30 vjet marrëdhënie diplomatike Shkup – Lubjanë. Sllovenia është vendi i parë që njohu Republikën e Maqedonisë dhe me të cilën vendosi marrëdhënie diplomatike dhe hapi ambasadën në vend kurse në Lubjanë edhe ambasadën e Maqedonisë së Veriut. Po ashtu Sllovenia ka ofruar mbështetje të plotë për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut sa më parë në Bashkimin Evropian. /Zhurnal.mk