Festohet 7 Marsi – Dita e mësuesit
Shkup, 7 mars – Më 7 mars të vitit 1887 në Korçë u hap mësonjëtorja e parë shqipe. Mësues dhe drejtor i parë i saj ishte Pandeli Sotiri.
Edhe pse në kushte të vështira, kur mësimi i gjuhës shqipe për shkak të kushteve të ndodhura nën sundimin osman ishte reptësisht i ndaluar, mësonjëtorja e Korçës qëndroi e hapur për gati 20 vjet. Drejtues të saj, përveç Sotirit, ishin figura të njohura të Rilindjes shqiptare, si Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Thoma Avrami, etj.
Festa e mësuesit në nivel kombëtar shërben për t’i vlerësuar traditat më të mira të shkollës shqipe, si figurën e respektuar të mësuesit, ashtu edhe të gjithë punonjëseve të arsimit, si edukatorë të brezit të ri dhe si kontribuues aktivë të zhvillimit dhe përparimit të shoqërisë shqiptare.

