Tetëmbëdhjetë vjet nga vdekja e presidentit Boris Trajkovski dhe anëtarëve të delegacionit

Shkup, 26 shkurt – Në Shkup dhe në Rotimle sot do të shënohet  18-të vjetori nga vdekja e ish presidentit Boris Trajkovski i cili së bashku me anëtarët e ekuipazhit të kabinetit të tij humbi jetën në aksidentin me aeroplan në afërsi të Mostarit.

Tek varri i Trajkovskit dhe në vendpushimet e përjetshme të anëtarëve të vdekur të delegacionit në varrezat e qytetit në Butel, siç është paralajmëruar, lule do të vendosë presidenti i shtetit Stevo Pendarovski, ndërsa delegacionet nga Kabineti i Presidentit do të vendosin lule edhe para memorialit në vendin e aksidentit në Rotimle, Bosnja e Hercegovinë dhe në varrin e njërit anëtar të delegacionit, në Veles.

Në aksidentin me aeroplan, që ndodhi më 26 shkurt të vitit 2004, humbën jetën presidenti Boris Trajkovski dhe delegacioni tetë anëtarësh i cili udhëtonte  në një Konferencë ndërkombëtare në Mostar. Përveç presidentit Boris Trajkovski, jetën e humbën zëdhënësja Dimka Ilkova Boshkoviq, këshilltarët Risto Bllazhevski dhe Anita Lozanovska, përfaqësuesi i Ministrisë së Punëve të Brendshme Mile Kërsevski, truprojat Ace Bozhinovski dhe Boris Velinovski, si dhe piloti dhe bashkëpiloti i aeroplanit.