Koment: A Bullgaria do të jetë problem më i madh për Kovaçevskin, apo ekonomia?

Shkup, 7 shkurt – Zgjidhja e problemit me Bullgarinë dhe vazhdimi i eurointegrimit ishte çështja që e shpëtoi qeverinë LSDM-BDI nga shkuarja në opozitë. Siç e dimë të gjithë, pikërisht kjo temë në moment të fundit ia ndërroi mendjen deputetit Kastriot Rexhepi që të mbetet pjesë e shumicës parlamentare, e jo të përkrahë krijimin e një shumicë të re të udhëhequr nga VMRO-DPMNE.

Pritjet ishin se vazhdimi i qeverisjes LSDM-BDI, ani pse me një “timonier” të ri, Dimitar Kovaçevski në vend të Zoran Zaevit, do t’i japë hov më të shpejtë eurointegrimeve, se sa do të bënte një qeveri e udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja, shkruan Agjencia e Lajmeve Zhurnal.

Ndërkohë, një problem që po del edhe më i vështirë se ai me Bullgarinë, është ekonomia. Kriza që ka kapluar Evropën, po manifestohet mjaft rëndë në vendin tonë. Shtrenjtimet janë të përditshme dhe dal ngadal po shterin edhe rezervat e fundit të qytetarëve edhe ashtu të lodhur nga pandemia dy vjeçare.

Me një fjalë, ekonomia tani po del problem edhe më i vështirë se Bullgaria.

Simptomat e para të krizës ekonomike janë shfaqur moti kohë, por tani kanë filluar të bëhen gjithnjë e më të rënda. SIndikalistët me të drejtë kanë paraqitur kërkesën për rritje të rrogës minimale në 18 mijë denarë, si mundësi për mbijetesë të qytetarëve në sektorët më pak të paguar.

Madje ka edhe organizata që vlerësojnë se paga minimale duhet të jetë më shumë se 18 mijë denarë, sepse shpenzimet janë shumë më të mëdha në krahasim me më herët.

Në anën tjetër kemi punëdhënësit, të cilët shprehin brengosje se rritja e mëtejme e pagës minimale, do ti sjellë bizneset e tyre në rrezik dhe se në atë mënyrë shumë të punësuar mund të humbin vendet e punës.
Për ta, nëse rritja epagës minimale arrin 18 mijë denarë, atëherë Qeveria duhet t’i ndihmojë me subvencione për kontributet e punëtorëve. Për punëdhënësit është e pranueshme që paga minimale të jetë 16.300 denarë, shkruan Zhurnal.

Krejt kjo e sjell qeverinë dhe kryeministrin Kovaçevski në situatë mes dy zjarreve.
Mirëpo, njëkohësisht kjo është sfida e parë më serioze e Kovaçevskit si kryeministër në “branshën” e tij, respektivisht në sferën e ekonomisë, të cilës profesionalisht i takon.
Ai dje ka bë një paralajmërim pozitiv përmes rrjeteve sociale, duke thënë se rritja e pagës minimale do të realizohet por duke mos saktësuar që paga minimale të jetë 18 mijë denarë. Kovaçevski është i bindur se sot do të ketë marrëveshje pozitive

“Qeveria është në anën e punëtorëve- rritja e pagës minimale do të përmbushet. Dialogu i hapur social me të gjitha palët e prekura është ajo që do të na çojë deri në zgjidhjen adekuate e që është në interes të punëtorëve.
Pres që nesër të kemi zgjidhje për rritjen e pagës minimale. Siç premtova, në mënyrë efikase do t’i zgjidhim të gjitha çështjet në interes të qytetarëve dhe do t’i përmbushim premtimet. Ai është parimi dhe fryma në të cilën do të zgjidhen të gjitha çështjet në ngritjen e standardit jetësor të qytetarëve”, ka shkruar dje Kovaçevski.

Kurse sot pritet të jetë dita vendimtare për rritjen e pagës minimale në 18 mijë denarë, siç kërkojnë sindikalistët. Dje, një ditë para se ekipi ekonomik i Qeverisë ti shqyrtojë edhe një herë të gjitha propozimet për të vendosur se cila është e pranueshme, sindikalistët thejksuan se nuk do të heqin dorë nga kërkesat e tyre. Madje, ata paralajmëruan se do të nisin grevë, gjegjësisht bllokada të fabrikave, zonave ekonomike, rrugëve nëse të enjten nuk votohet në Kuvend propozim ligji për rritjen e pagës minimale.

E punonjësit në sektorin e tekstilit kanë edhe kërkesa shtesë, sepse nuk pajtohen propozimin e punëdhënësve që shteti t’i subvencionojë kompanitë private, duke shtuar se paratë nuk përfundojnë në xhepat e punëtorëve por të punëdhënsve.
Sinjalet e para të revoltës, në formë të protestave, erdhën që në fund të javës së kaluar, kurse me siguri do të ashpërsohen në rast të dështimit të dialogut. Një situatë mjaftë e palakmueshme ekonomike, sipas proverbit “tërhiqe, por mos e këput”.///Zhurnal