Analizë: A duhet të përgjigjet Maqedonia e Veriut ndaj propagandës ruse, apo duhet të jetë e përmbajtur?

Shkup, 4 shkurt – Ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska, disa ditë me radhë ishte në shënjestër të një bulizmi të vërtetë në media të caktuara, por edhe në rrjetet sociale, për shkak se shprehu gatishmëri për dërgimin e ushtarëve nga vendi ynë në përkrahje të Ukrainës, kuptoht në kuadër të NATO-s, në rast të një invazioni rus.
Deklarata e saj më tepër ishte simbolike për të shprehur qartë gatishmërinë e vendit tonë për t’u rreshtuar krah aleatëve të NATO-s, sepse Maqedonia e Veriut nuk ka kapacitete të theksuara ushtarake për të luajtur ndonjë rol të rëndësishëm në rast të konfliktit në Ukrainë.

Miëpo kjo deklaratë hasi në përbuzje dhe përqeshje, që shkonin deri në ofendime personale ndaj saj.
Pas deklaratës së Petrovskës, udhëheqësit politikë e shtetërorë në Shkup po tregohen më të tërhequr dhe të përmbajtur në deklaratat e tyre. Këshilli për Siguri Nacionale mbajti mbledhje ku konstatoi se nukka kërcënime për sigurinë e vendit.
Por në ndërkohë arriti u publiukua edhe një letër e hapur e Ministrisë së Jashtme ruse, adresuar gjitha vendeve anëtare të NATO-s.

Letra, e rrallë në llojin e vetë, është publikuar në faqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Federatës së Rusisë dhe ka si adresë të gjitha vendet e NATO-s, të cilat sipas rusëve duhet të japin qendrimet e tyre individiale për çështje të sigurisë që lidhen me ta. Ky veprim, nga mediumet në Shqipëri, është lexuar si “propagandë dhe diversion” i Rusisë ndaj shteteve të NATO-s për të kuptuar nëse ka çarje në qendrimin e organizatës dhe nëse ka shtete që do të vendosin veton ndaj anëtarësimit të Ukrainës në të.

Aty poashtu vërehen edhe tentime që faji të hidhet tek perëndimi për zhvilimet e fundit në dhe rreth Ukrainës.
“Ju e dini mirë se Rusia është seriozisht e shqetësuar për rritjen e tensioneve politiko-ushtarake në afërsi të kufijve të saj perëndimorë. Me synimin për të shmangur çdo përshkallëzim të mëtejshëm, pala ruse prezantoi më 15 dhjetor 2021 draftet e dy dokumenteve ligjore ndërkombëtare të ndërlidhura – një Traktat midis Federatës Ruse dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Garancitë e Sigurisë dhe një Marrëveshje për Masat për të garantuar sigurinë. të Federatës Ruse dhe Shteteve Anëtare të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut.

Përgjigjet e SHBA-së dhe NATO-s ndaj propozimeve tona të marra më 26 janar 2022 demonstrojnë dallime serioze në kuptimin e parimit të sigurisë së barabartë dhe të pandarë, që është thelbësor për të gjithë arkitekturën evropiane të sigurisë.
Ne besojmë se është e nevojshme të sqarohet menjëherë kjo çështje, pasi ajo do të përcaktojë perspektivat për dialogun e ardhshëm”, thuhet në këtë letër.

Ajo përmban edhe paragrafe tjera me akuza ndaj NATO-s, si në vijim:
“Bazuar në qasje kolektive, e jo si grupe të ngushta. Parimi i sigurisë së pandashme interpretohet në mënyrë selektive si një justifikim për kursin e vazhdueshëm drejt zgjerimit të papërgjegjshëm të NATO-s.
Është zbuluar se përfaqësuesit perëndimorë, ndërsa shprehin gatishmërinë e tyre për t’u angazhuar në dialog për arkitekturën e sigurisë evropiane, qëllimisht shmangin referencën në Kartën për Sigurinë Evropiane dhe Deklarata e Astanës në komentet e tyre”.

Deri sa nga Shkupi zyrtar nuk ka asnjë përgjigje ndaj kësaj letre, që është cilësuar në shumë media edhe si “propagandë ruse” kundrejt zhvillimeve të fundit, një sqarim ka ardhur nga ambasadorja amerikane në Shkup, Kejt Mari Bërnz.
Në komentin për gjendjen në Rusi dhe Ukrainë, ambasadorja Bërnz shkruan se “bota po ndjek agresionin e paprovokuar të Rusisë ndaj Ukrainës”.

“Veprimet e Rusisë janë një kërcënim jo vetëm për Ukrainën, por për Evropën dhe për rendin ndërkombëtar bazuar në rregulla. Qëllimet tona janë të thjeshta. Ne qëndrojmë me aleatët dhe partnerët tanë për të mbështetur kohezionin evropian, për të forcuar marrëdhëniet tona transatlantike dhe për të forcuar shtetet dhe institucionet demokratike. Ne e bëjmë këtë për të përmirësuar jetën e qytetarëve të Shteteve të Bashkuara dhe të Maqedonisë së Veriut. Dhe këtë e bëjmë së bashku. Sekretari Amerikan i Shtetit Entoni Blinken ishte shumë i qartë: Shtetet e Bashkuara nuk do të negociojnë për Evropën, pa Evropën. Ne nuk do të negociojmë për Ukrainën, pa Ukrainën”, shkruan ambasadorja Bërnz, në një qaase më shumë “pa doreza”, se me doreza diplomatike.

Ajo rikujton se gjatë dy dekadave të fundit, Rusia ka pushtuar dy vende fqinje, ka ndërhyrë në zgjedhjet e të tjerëve, ka përdorur armë kimike për të kryer atentate në tokë të huaj, ka përdorur dërgesat e gazit si një mjet politik dhe ka shkelur marrëveshjet ndërkombëtare të kontrollit të armëve.

“Presidenti Putin fajëson në mënyrë të pandershme Ukrainën për agresionin e paprovokuar të Rusisë. Por gatishmëria ushtarake e Ukrainës si dhe Aleanca e NATO-s gjithmonë kanë qenë të natyrës së mbrojtjes. Ndryshe nga Rusia, Ukraina u ka dal zot angazhimeve të veta që rrjedhin nga marrëveshjet e Minskut midis Rusisë, Ukrainës dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, të cilat ishin krijuar për të siguruar një armëpushim në Donbas”, shkruan kryedilomatja amerikane në Shkup, pa harruar të theksojë mbështetjen e plotë amerikane për Ukrainën, sepse interesat e sigurisë evropiane dhe amerikane janë në rrezik.

Tani e ka radhën diplomacia në Shkup ta thotë fjalën e saj. Ndoshta edhe nuk do të ketë ndonjë qëndrim të posaçëm në rastin konkret, sepse përkundër faktit se synimet strategjike të vendit janë NATO dhe BE, në Maqedoninë e Veriut ka një përqindje të madhe të popullatës që kanë simpati të madhe për Rusinë. Kjo në një pjesë të madhe sqaron edhe reagimet e përmbajtura të zyrtarëve, e posaçërisht pas kritikave të ashpra ndaj ministres Petrovska.