“Makpetroll” injoron bashkëpunimet me kompani shqiptare por i preferon klientët shqiptarë!
Shkup, 1 qershor, medial.mk/ – Pompat e benzinës Makpetroll veprojnë në tërë territorin e Maqedonisë së Veriut, duke qenë të pranishme edhe në vendbanime tërësisht shqiptare. Kjo e bën që klientela e saj të jetë e mbushur me konsumatorë shqiptarë. Megjithatë, dëshmitë e fundit tregojnë se kompania nuk i parapëlqen bashkëpunimet me kompani shqiptare, duke i refuzuar pa shpjegim të qartë edhe kur ka pasur interes fillestar për të bashkëpunuar. Një pronar i një kompanie shqiptare nga Maqedonia e Veriut, ka dëshmuar për medial.mk/, se “Makpetroll” fillimisht ka pranuar bashkëpunim, por pak ditë para nënshkrimit të kontratës është tërhequr pa arsye konkrete, shkruan Zhurnal.
Makpetroll në gjah të klientëve shqiptarë, por në “pushkatim” të kompanive shqiptare
Një kompani e suksesshme shqiptare në RMV-të, që ka kërkuar të mbetet anonime ka dërguar në redaksi dëshmi të komunikimit me “Makpetroll”. Në kontaktin e parë, Makpetroll ka shprehur interes për bashkëpunim dhe ka kërkuar dokumentacion shtesë. Por në kontaktin e fundit, përgjigjja ka qenë e ftohtë në drejtim të asaj se nuk kanë nevojë për bashkëpunim të ri për shkak të marrëveshjeve ekzistuese.
Kjo ngre dilema mbi atë që nëse arsyeja ishte ekzistenca e bashkëpunimeve të tjera, pse nuk u tha që në fillim? Por ky proces zgjati me muaj të tërë e me kërkesa nga Makpetroll dhe plotësim të kërkesave nga kompania shqiptare? Nuk duket racionale aspak që nga interesimi fillestar deri te refuzimi final të jetë arsyeja mungesa e hapësirës për bashkëpunim për shkak të bashkëpunimeve ekzistuese? Çfarë e nxiti Makpetrollin që në fazën finale të bëhet “pishman”?
Makpetroll të mos injorojë kompanitë shqiptare sepse largon klientët shqiptarë
Mungesa e bashkëpunimit me kompani shqiptare krijon një situatë të rrezikshme që është ndarja e klientelës mbi baza etnike. Është një qasje e gabuar dhe e dëmshme, sepse nuk mund të përfitosh nga konsumatori shqiptar ndërkohë që injoron kompanitë shqiptare pa asnjë pretekst të qartë. Ky lloj veprimi minon besimin e konsumatorëve dhe e kthen marrëdhënien tregtare në një raport të pabalancuar, ku njëra palë shfrytëzohet vetëm si klient, por jo si partner. Nëse Makpetroll vazhdon me këtë politikë, rrezikon të humbasë pikërisht ata që e mbajnë gjallë në treg klientët shqiptarë.
Rasti i Makpetroll është simptomë e një problemi më të madh që lidhet me mungesen e respektit për partneritetin ekonomik me shqiptarët, edhe pse ata përbëjnë një pjesë të madhe të konsumatorëve. Një kompani që synon të jetë e qëndrueshme nuk mund të ndërtojë strategji mbi injorimin e një komuniteti të tërë biznesesh. Përkundrazi, bashkëpunimi me kompani shqiptare do të ishte garanci për besueshmëri, stabilitet dhe rritje afatgjatë.
Kujtojmë që, kompania shqiptare serioze dhe gëzon edhe bashkëpunime vendore e rajonale, dhe sipas pronarit të kompanisë është hera e parë që me Makpetroll ka zgjatë procesi i negociatave për bashkëpunim dhe në fund ka rezultuar me një refuzim të ftohtë dhe tejet enigmatik. medial.mk/

