Kreu i GROM fton për dialog, evitim të ngjyrosjes partiake të telasheve të studentëve shqiptarë

Shkup, 19 Maj, medial.mk/ – Problemet në vend të cilat së fundi shpalosen edhe me kërkesat e studentëve shqiptarë për të hyrje në provimet përkatëse pas studimeve për licencat në punën e ardhshme të tyre profesionale, kërkojnë dialog të brendshëm si dhe konsultim edhe me perëndimorët për të gjetur zgjidhje, ka ftuar kreu i partisë GROM, Stevçe Jakimovski, shkruan medial.mk/.

Ai në një bisedë me Kanal 5 tha se nuk pajtohet me tentativat për t’i dhënë ngjyrosje partiake kërkesave dhe protestave të studentëve, përmes brohoritjeve të një grupi të protestuesve me emrin e UçK-së e në mbështetje të krahut politik të BDI-së.

“Personalisht më pengon kjo, se sa herë që ka nevojë, që të diskutohet ndonjë çështje, menjëherë përmendet UÇK-ja, domethënë përmendet pjesa ushtarake e krahut politik të BDI-së. Të gjithë shpresojmë që kjo punë është përfunduar tashmë,” citohet nga Koha.mk të ketë thënë ai në intervistën për Kanal5.
Jakimovski ftoi për diskutime për të zgjidhur të pazgjidhurat deri më tash të cilat kanë të bëjnë me çështjen e të drejtave të shqiptarëve.

“Sipas mendimit tim, gjithçka duhet të diskutohet dhe duhet të shihen përvojat e vendeve të tjera, si dhe të konsultohen edhe ekspertë të huaj. Nuk ka kuptim të zihemi për këtë çështje… Në momente të caktuara, ato janë madje qesharake. Ne i zgjidhim këto gjëra me politikë, nuk i zgjidhim me Kushtetutë. Unë jam mbështetës i nevojës për të diskutuar dhe kërkuar ndihmë nga jashtë, për të gjetur një zgjidhje që do të jetë e pranueshme për mjedisin, por edhe për të parë përvoja nga jashtë”, citohet ai të ketë thënë.

Kreu i GROM-it shtoi se sipas tij partitë ishin të përfshira në protestën e djeshme.

Pozicioni i tij përputhet edhe me pozicionin e anëtarëve të VLEN, të cilët i përshëndetën protestën e studentëve, ndërkohë që akuzuan BDI-në të fshihet pas kërkesave dhe protestës së studentëve për problemet e pazgjidhura e të grumbulluara ndër vite sa vet BDI-ja ishte në pushtet.

VLEN dhe Kryeministri Hristijan Mickoski dolën me një komunikatë dhe premtuan se qeveria do të ketë përgjegje pozitive ndaj kërkesave të studentëve, jo vetëm të atyre të juridikut për jurisprudencën por edhe për krejt të degëve të tjera në mënyrë ligjore.

Izet Mexhiti i tha Euronews se do të duhet një afat kohor eventualisht prej 3 muajsh që të fillojnë të zgjidhen krejt kërkesat e studentëve shqiptarë të krejt fakulteteve të tjera.

Me kalimin e protestës së parë, dhe kësaj të dytës, studentët e kanë zgjerura listën e kërkesave të tyre.

Mevan Ademi dje në fund të protestës paqësore në Shkup tha se tash e tutje kërkesat e tyre kanë të bëjnë edhe me moszbatimin e gjuhës në institucionet e vendit po aq.

“Nuk kemi dalë sot vetëm për provimin e jurisprudencës. Kemi dalë për zbatimin e gjuhës shqipe në institucionet e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, tha ai në përmbullje të protestës të dytë me radhë që nga Prilli. / medial.mk/

Leave a Reply