Editorial / Të investohet në shërbimin e ndihmës emergjente – vonesat e shumta, qytetarët mund t’i paguajnë me jetë!
Shkup, 9 shkurt – medial.mk/ – Shpeshherë qytetarët të zhgënjyer me të drejtë thonë “Zot na ruajt që dikush të ketë nevojë për ndihmë urgjente mjekësore, sepse me efikasitetin e kësaj ndihme vështirë të shpëtosh”!. Edhe pse sistemi i ndihmës urgjente është diezjnuar në mënyrë të atillë që të jetë shumë i shpejt dhe efikas, në ndihmë të qytetarëve, shpesh ndodhë që vonesat e kësaj ndihme të shpejtë, ose ndihmës që nuk arrin asnjëherë, të humb shpresat dhe jetën e njerëzve, shkruan “medial.mk/”.
Nga të dhënat e publikuara nga Qendra për Komunikime me Qytetarët, në Shërbimet e Mjekësisë Emergjente në vend mungojnë gjithsej 52 ekipe mjekësh, infermierësh dhe shoferësh për të përmbushur minimumin ligjor. Situata më alarmante është në Shkup, ku “mungojnë” plot 18 ekipe për funksionim normal, në Tetovë 10, ndërsa në Kumanovë dhe Strugë nga 5 ekipe secila. Nga ana tjetër, në Manastir, Delçevë, Kërçovë dhe Koçan ka më shumë se minimumi i kërkuar. Aktualisht, në vend ka gjithsej 258 ekipe të Ndihmës së Shpejtë.
Sipas të dhënave të hulumtimit, një ekip emergjence mbulon diku 1,000 banorë, dhe në disa qytete rreth 40,000 banorë. Një ekip ka deri në 50 ndërhyrje për turn, por asnjë nga 33 shërbimet në vend nuk mban të dhëna se sa thirrje për ndihmë ka nga qytetarët dhe sa prej tyre janë marrë në konsideratë.
Fatkeqësisht, nuk ka pasur investime në Shërbimet Mjekësore Emergjente për dekada të tëra dhe se vetëm shtatë automjete funksionale janë duke funksionuar aktualisht në Shkup, ndërsa në shumë qytete në Maqedoninë e Veriut nuk ka asnjë automjet emergjence funksional.
Kryeministri Mickoski njoftoi se shërbimet e ambulancës në të gjithë vendin do të rinovohen me automjete të reja dhe priten gjithsej 150 automjete do të dorëzohen në dy vitet e ardhshme. Në vitin 2026 Qeveria ka vendosur të blejë 100 automjete për Ndihmën Mjekësore Emergjente dhe vlera e këtij projekti është rreth 7.5 milionë euro, ndërsa në vitin 2027 do të blihen edhe 50 vetura të tjera, si rezultat i një donacioni.
Të dhënat në dispozicion, tregojnë se vetëm shtatë ekipe mjekësore janë në shërbim çdo ditë për 600 mijë qytetarë në kryeqytet. Kjo do të thotë se një ekip prej një mjeku, infermieri dhe shoferi u shërben më shumë se 90 mijë njerëzve. Me shtatë ekipe, mjekët nga Shërbimi i Ndihmës së Shpejtë nuk punojnë vetëm në zonën qendrore të qytetit, ata mbulojnë zonat nga Katlanova në Zelenikovë, komuna e Ilindenit, Saraj, Matka, të gjitha këto vende periferike varen nga ky shërbim. Mbulimi i dobët i terrenit konfirmohet edhe nga përvojat e pacientëve. Ata ankohen gjithnjë e më shumë se presin një orë që të mbërrijë një ambulance, shkruan “medial.mk/”.
Fatkeqësisht, mjekët kur akuzohen se nuk janë në shërbim të duhur të qytetarëve, ata thonë se qytetarët nuk mund të bëjnë vetë një vlerësim të urgjencës dhe të konsiderojnë se disa gjendje shëndetësore janë urgjente për ta. Pra mjekëtë thonë se disa gjendje shëndetësore që zgjasin për një periudhë më të gjatë kohore, siç janë ethet, nuk janë urgjencë.
Një problem tjetër i madh për vonesën e ndihmës së shpejtë është kaosi në trafikun e Shkupit. Edhe qytetarët janë vetë ata që shkaktojmë rrethana të caktuara rënduese në mënyrë që “ndihma urgjente të jetë e shpejtë, në kohë dhe efikase”. Parkimi në hyrje të ndërtesave, rrugët e ngushta, parkimi në rrugët anësore e situate të ngjashme mundësojnë që veturat e ndihmës së shpejtë të kenë vonesa. Policia duhet të qarkullojë dhe të ndëshkojë shoferët e pakujdesshëm.
Gjithashtu situata e trafikut nuk është më e mirë as kur ambulanca përpiqet të kalojë nëpër bllokimin e trafikut. Edhe pse qytetarët mundohen të ndihmojnë më shumë, megjithatë, kur të tre korsitë janë të bllokuara, as ata nuk mund të bëjnë mrekulli.
Ligjërisht ambulanca nuk ka të drejtë të kalojë në semafor të kuq dhe sa herë që kalon në semafor të kuq e shkel ligjin duke rrezikuar jetën e tyre dhe shoferëve tjerë të makinave.
Për këtë arsye duhet të gjindet zgjidhje siç ka nëpër shumë vende të botës, kur drejtuesit e shoferëve të Ambulancave mund të menaxhojnë vetë semaforët.
Ndërtesat që nuk kanë ashensorë, ose i kanë por nuk janë në funksion, janë gjithashtu problematike, sepse nëse dikush ka nevojë për një ambulancë dhe duhet të shkojë në spital, ky është një problem shumë serioz për familjet, por edhe për stafin e ambulancës.
Me shkuarjen e shumë të rinjvë jashtë shtetit, numri i pleqëve që kanë mebtur të vetëm nëpër shtëpi është rritur. Në këtë mënyrë është rritur edhe numri i kërkesave për ndihmë të shpejtë dhe shërbime mjekësore.
Prandaj, ministria e shëndetësisë dhe institucionet tjera përgjegjëse duhet në mënyrë të koordinuar të bashkëpunojnë dhe të marrin të gjitha masat e nevojshme që efikasiteti i ndihmës emergjente të jetë sa më i shpejtë dhe sa më i saktë. Ndryshe, çdo vonesë do t’iu kushtojë me jetë shumë qytetarëve që s’naë zgjidhje tjetër përveç që të thirrin ndihmën e shpejtë që shpesh vjen vonë ose nuk vjen fare!, shkruan “medial.mk/”.

