7 gabime thuajse të padukshme që mund të shkatërrojnë marrëdhënien në çift
Kur flasim për ndarjet në çift, motivet më të zakonshme që na vijnë ndërmend janë tradhtia, gënjeshtrat apo abuzimi. Por disa zakone janë po kaq të dëmshme për marrëdhënien sa edhe arsyet e lartpërmendura.
Çështja është se shpesh nuk kuptohet si ndodhin derisa shohim se në çift janë krijuar çarje të mëdha. Psikologët kanë renditur 9 zakone thuajse të pakuptueshme që mund t’i japin fund një marrëdhënieje.
Nuk komunikoni hapur
“Komunikimi është zgjidhja”. Kjo shprehje duket e thjeshtë në teori, por në praktikë shumë prej nesh nuk e zbatojnë. Arsyet pse një çift nuk është i hapur në komunikim mund të jenë frika nga refuzimi ose gjykimi, shmangia e konfliktit, ndryshime në stilin e komunikimit, mungesë të vetëdijes emocionale, aftësive komunikuese, ndryshimet kulturore e sociale dhe mosdëgjimi.
Shmangia e konfliktit
E përmendur edhe në listën e mësipërme, duket se shmangia e konflikteve është shenjë e një marrëdhënieje të shëndetshme, pa zënka e debate. Në të vërtetë, ideja se gjithçka është e paqtë mund të jetë e gabuar. Ju mund të keni pakënaqësi që grumbullohen dhe presin të shpërthejnë. Një çift që zihet shpesh ka më shumë gjasa të kalojë sfidat se sa ata që shmangin debatet. Përballja nuk është gjithmonë e bukur, por flisni me respekt dhe kujtohuni që është e nevojshme.
Hamendësimet
Hamendësimet rreth ndjenjave ose qëllimeve të partnerit mund të krijojnë konflikte të panevojshme. Pavarësisht sa e njeh partnerin, nuk mund ta dish se çfarë mendon dhe anasjelltas. Nëse ju prisni që për ditëlindje të merrni një surprizë gjigande dhe në fakt ai bën të kundërtën, diskutojeni dhe dëgjoni arsyen pse mendoi të vepronte në atë mënyrë.
Injoroni gjërat e vogla
Mos e merrni partnerin për të mirëqenë. Mirënjohja dhe vlerësimi rrisin kënaqësinë në një marrëdhënie. Personat që i vlerësojnë partnerët janë më të ndjeshëm ndaj nevojave të tyre, më të përkushtuar dhe marrëdhënia ka më shumë gjasa të zgjasë.
Tabela e pikëve
Nëse marrëdhënia juaj ka një tabelë pikësh imagjinare, nuk do të vazhdojë gjatë. Nëse bëni diçka për partnerin dhe prisni që ai t’jua kthejë, nuk është diçka që ka vend në një çift. Ai funksionon si skuadër, zgjidh gjërat dhe toleron edhe në rastin kur pala tjetër nuk ia del me sukses në një situatë.
Kritikimi i tepruar
Kritikat dhe ankesat lidhen me çështje specifike, por kritikimi sulmon drejtpërdrejt karakterin dhe personalitetin e partnerit. Është normale që të dëshironi përmirësimin e partnerit dhe të përmendni pikat që ju shqetësojnë apo të ofroni sugjerime herë pas here. Por të kritikuarit e vazhdueshëm kalon nga “dua të përmirësohesh” te “s’je mjaftueshëm”.
Nuk harroni gabimet e shkuara
Sabotimi i marrëdhënies mund të vijë edhe nga rikujtimi i gjërave që kanë ndodhur në të shkuarën. Kjo mund të ndodhë aty-këtu, por është një formë keqtrajtimi emocional. Nëse keni folur më parë rreth një çështjeje, mos e përmendni më ose në të kundërt nuk do të ecni përpara.