Zyra e auditorit konstaton një sërë shkeljesh në projektin, “Bashkimi i qytetit të Ferizajt”

Projekti 5.5 milionë eurosh i Komunës së Ferizajt, ‘Bashkimi i qytetit të Ferizajt’ nuk ishte menaxhuar dhe planifikuar mirë gjatë realizimit të tij.

Kështu ka konstatuar Zyra Kombëtare e Auditimit e cila ka audituar Komunën e Ferizajt dhe departamentin e Financave në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në lidhje me këtë projekt.

Sipas ZKA-së, si pasojë e planifikimit jo të mirë të projektit, komuna kishte kontraktuar shumë punë të cilat nuk ishin parashikuar në fillim dhe për pasojë kishte kosto shtesë.

Sipas ZKA-sw, kishte pasur menaxhim jo efektiv të kontratave, kishte vonesë në kryerjen e punëve dhe ende nuk është bërë pranimi teknik i projektit.Zyra e Auditorit ka konstatuar se Komuna nuk e kishte përfshirë projektin në dokumentet strategjike duke e zbehur kështu transparencën ndaj qytetarëve.

“Nuk ishin buxhetuar mjete të mjaftueshme për realizimin e projektit dhe si pasojë projekti nuk ka arritur të realizohet me kohë. Përveç kësaj, kishte kontraktuar shërbime apo punë me çmim shumë më të lartë se vlera e parashikuar e kontratave duke e kufizuar konkurrencën mes operatorëve ekonomik. Kemi gjetur edhe se Komuna i kishte paguar operatorit ekonomik punë të cilat ende nuk janë përfunduar dhe në anën tjetër operatori ekonomik ka përfunduar punë për të cilat ende nuk është paguar”, thuhet në raportin e ZKA.