Ziadin Sela e Bilall Kasami komentojnë hetimet ndaj Muhamed Zekirit
Shkup, 8 prill – Paralajmërimi për arrestimin e Muhamed Zekirit, sot ka shkaktuar debat jo të vogël në opinion. Për këtë top ngjarje të sotshme kanë reaguar edhe liderët opozitar të partive politike shqiptare, informon Zhurnal.
Ziadin Sela, kryetar i ASH-së, përmes rrjeteve sociale ka shkruar se ngjarja e sotme ka dëshmuar se vendi ynë më tepër se kurrë po karakterizohet nga korrupsioni i nivelit të lartë.
Ai përmendë edhe rastin e Rashkovskit, edhe ai sekretar gjeneral i Qeverisë, e bashkë me Zekirin ishin emëruar nga ish kryeministri Zoran Zaev.
Ai falenderon partnerët ndërkombëtar, veçanërisht BE-në dhe SHBAtë që vazhdimisht i bëjnë me dije gjyqësorit se duhet të përvjelin mëngët për luftimin e korrupsionit dhe të kthehet besimi i qytetarëve në gjyqësor.
“Fillimi i hetimeve penale kundër Muhamed Zekirit duhet lexuar drejtë: vendi ynë më shumë se kurrë po karakterizohet nga korrupsioni i nivelit të lartë dhe me shpërdorim detyre nga politikanët në maje të pushtetit.
Të dy sekretarët e përgjithshëm të qeverisë të emëruar nga Zoran Zaev po bien nga pozitat e tyre për arsye korruptive.
Falënderoj partnerët tanë ndërkombëtarë, veçanërisht SHBA-të dhe BE-në, që vazhdimisht i kujtojnë gjyqësorit se duhet patjetër të shohim dënime përfundimtare në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë nëse duam t’i japim fund kulturës së mosndëshkimit, të kthejmë besimin e qytetarëve në drejtësinë dhe të zhbllokojmë procesin e anëtarësimit në BE”, ka shkruar Sela, njofton Zhurnal.
Ndërkaq edhe kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami ka komentuar fillimin e hetimeve të Zekirit.
Ai sot u shpreh se i vjen mirë që Prokuroria ka marë hapa konkrete për të, por kërkon që e njejta të ndodhë edhe me funksionarë të tjerë, lëndët e të cilëve qëndrojnë me vite të tëra në sirtare.
“Uroj që organet e drejtësisë të kryejnë punën e tyre ashtu siç kërkohet nga qytetarët. Mua më vjen mirë që në këtë rast, Prokuroria ka ndërmarrë hapa konkrete. Unë do të kisha dashur edhe për funksionarë të tjerë të partive të tjera, pjesë të pushtetit, Prokuroria dhe organet të kenë të njëjtën masë dhe të njëjtën qasje, pasi kemi edhe plot lëndë të tjera”, tha Kasami./Zhurnal.mk

